Na ndodh në jetë t’i urojmë mirëseardhjen një mysafiri, prania e të cilit na gëzon e na sjell kënaqësi, t’i urojmë mirëseardhjen një fëmije që sapo vjen në jetë dhe na entuziazmon me të qarat e tij të para që sfidojnë edhe më të bukurën muzikë, t’i urojmë mirëseardhjen dallëndyshes së parë që na vjen nën çati me një fije kashte në sqep për folenë e na duket se tek sqepi i saj troket vetë pranvera. Por ja, që njeriu ndjeka një kënaqësi të veçantë, kënaqësi që vjen nga bota e bukur e krijimit, kur i uron mirëseardhjen një autori të ri, që troket pakëz i ndrojtur dhe i pasigurtë në botën e letrave me tufën e parë të krijimeve të veta.
E ndjeva me shpirt këtë kënaqësi edhe unë, tek po ulesha të shkruaja këto radhë, si urim për autorin e ri Astrit Lulaj, ndërsa shfletoj fletën e fundit të këtij libri që lexuesi e ka tani në duar. E kuptoj dhe e ndjej thellë emocionin e tij, sepse edhe veten time e konsideroj autore e re, ndonëse ka kohë që shkruaj dhe kam publikuar disa libra apo jam marrë me promovimin e poezisë së të tjerëve në emisione radiofonike.
Astrit Lulaj vjen në botën e letrave në një kohë që në jetën e tij të përditshme i përket botës së ligjit, si jurist. Në momentin e parë, kur më ra në sy ky detaj e pyeta veten: Çfarë mund ta lidhë një njeri të botës së akullt të ligjit, ku flitet me nene, paragrafe e kode të së drejtës, me botën e ngrohtë, idilike, aq të pasur e të larmishme të poezisë? Por duke lexuar librin, poezi pas poezie, vëreja që ky njeri i ligjit e ka sensin e poezisë e ndërsa në sallat e ftohta të drejtësisë flet me gjuhën e ligjit, jashtë sallës tek ai zgjohet poeti, që i shikon natyrën, botën, njerëzit, fenomenet e natyrës, lulet, zogjtë, me tjetër sy, me syrin e poetit. Syri i tij ndalet në detaje që nuk i vë re njeriu i zakonshëm dhe ai i merr nga jeta, i vesh me artin e bukur të fjalës dhe i hedh në vargjet e tij, të cilat mbushen me jetë, me frymëmarrje e ngrohtësi.
Një pjesë të madhe të poezive të tij ai ia kushton dashurisë. Dhe, si çdo poet i dashuruar, ai i bën thirrje romantizmit, thërret në ndihmë bukuritë e natyrës, yjet e hënën, diellin e shiun, vjeshtën kur bien gjethet e pranverën kur zgjohet natyra e çelin lulet. Prej tyre merr detajet më të bukura e me zërin e tij, me mënyrën e tij, pa imitime e maniera të tepruara, i këndon heroit apo heroinës lirike që zë vend në vargjet e tij. Tek lexon poezi të tilla si “Rebus”, “Ti ikën”, “Puthje-takim”, “Prelud vjeshte”, “Shi” etj. shikon se sa ekzigjent është ai në kërkimin dhe gjetjen e fjalës e detajit të duhur për të shprehur në mënyrën e tij poezinë e shpirtrave të dashuruar. E dy poezi të një dashurie të veçantë, ajo lloj dashurie që pak a shumë e kemi provuar të gjithë, janë ato për figurën e mësueses. Të gjithë kemi ndjerë adhurim, apo mbase edhe një dashuri të pafajshme e krejt të pastër për ndonjë nga mësuesit që na kanë marrë për dore në rrugën e bukur drejt dijes. Por autori këtë lloj ndjenje të bukur e transmeton në mënyre krejt vetiake e origjinale në poezitë “Mësuesja e bukur” dhe “Mësuesja e matematikës”.
Por ai nuk është vetëm romantiku i dashurisë në vargjet e tij. Ai është edhe njeriu që di të ndalet përpara fenomeneve shoqërore, që shpalos realiteti i përditshëm e ndaj të cilave , një qënie shoqërore, siç është poeti, nuk mund të rrijë indiferent e nuk mund të jetë i pandjeshëm. Në poezinë “Refleksion” ai shpreh qëndrimin e tij ndaj figurës diktatoriale që aq andrralla ka sjellë për realitetin e vendit e në jetën e shumë njerëzve, tek “Mesazh i një kronike” ai ngrihet kundër cinizmit të politikanëve që pasurohen përballë varfërisë së masave, tek “Lypësi” ai hedh dritë mbi një plagë jo të vogël shoqërore që po zgjerohet çdo ditë e më shumë në realitetin e sotëm, varfërinë. Ai u bën thirrje njerëzve t’i falin diçka lypësit të mjerë, se, siç shprehet ai, “sot edhe zogjtë më shumë po marrin”. E të duket e trishtë që edhe gati një shekull pas Migjenit, refreni i poetit të mjerimit, troket edhe sot me lypësit e shekullit të ri. Motivet shoqërore autori i trajton edhe në poezi të tilla si tek “Maçoku demokrat”, “Kërkoj sinjal shprese” etj. Dhe arrin momenti që tek poezia “Mëria” ai shpreh edhe njëfarë revolte e qëndrimi ndaj këtij realiteti, kur shkruan:
Sa keq!
U mposhta unë 27-vjeçari,
kur koha po më testonte burrërinë.
Por ndjeva…
kisha mbetur po ai i pari
mes egos së njerëzve meskinë.
Thashë më sipër që autori për ta bërë sa më të bukur, të besueshme e jetësore poezinë, ndalet tek detaji, tek ato detaje të hollësishme që vetëm syri i tij di t’i kapë. Më ra sidomos në sy kjo gjë, tek dy poezitë që ai i kushton figurës së babait. Tek poezia “ Përballë një varri” më goditi kjo strofë, ku është përdorur aq bukur detaji i cigares.
Sa herë qëndroj pranë varrit të tij
loti lag buzën që dridhet,
cigarja, pa ndezur në foton e tij,
mes gishtash cigarja mua më fiket…
Ndërsa në poezinë tjetër “Mall për ty” ai kujton rrugicën para shtëpisë që e shtroi bashkë me babanë e, tani që babai nuk është më, ai i thoqë që me atë rrugicë i ati i shtroi përpara autostradën e jetës, ku për të mos ikur kuturu, ai lexon shenjat që ka lënë i ati. E një nga ato shenja të pashlyeshme është mençuria e prindit, të cilën ai e evidenton kur thotë që kuvendi me shokët nuk i del aq i bukur sa ç’i dilte të atit. Po kështu, kur shkruan për gjyshin, ai e shpalos karakterin e asaj figure me vargun “për gjyshin, dua pak duhan të fortë”…
U ndala vetëm në pak nga poezitë e librit,që ti lexues i dashur ke në dorë. U ndala për t’i uruar mirëseardhjen. Atëherë le t’ia bëjmë sëbashku këtë urim, duke i thënë që e presim në libra të tjerë në të ardhmen.

Eltona Lakuriqi