Autori: Leonard Bixhili
Titulli: Val’ e bregut valë
Redaktore: Dorjana Sterkaj


KOPERTINA: Edmond Gjikopulli

Botimi i parë, 2017
ISBN: 978-9928-223-99-9
Përgatiti për botim: Roland Lushi
Formati : 14x20cm
Të gjitha të drejtat i takojnë autorit

Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Nasi Pavllo Nr.20
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, qershor 2017
CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Bixhili, Leonard
Val’ e bregut valë : poezi / Leonard Bixhili.
Tiranë : Ada, 2017
140 f. ; 20 cm.
ISBN 978-9928-223-99-9
1.Letërsia shqipe 2.Poezia
821.18 -1
NË VEND TË PARATHËNIES
Leter mikut tim…
(Mendime rreth librit poetik “ Val’ e bregut valë”
të krijuesit Leonard Bixhili.)
Vjen një ditë…Kështu po i nis shënimet e mia, pasi e lexova librin tënd poetik, i nderuar miku im. Që në fillim mu krijua një ndjesi, që lidhet me një shpërthim të botës tuaj emocionale drejt krijimit nga një, apo disa faktorë, që ndërvepruan njëherësh, pra, ranë në rezonancë dhe “shembën” atë “ fragmë” solide që ishte “ndërtuar brenda teje ndër vite. Do doja në një çast ta krahasoja librin tënd, me të tetëdhjetë poezitë që përmban, si një dallgë, që pasi përplaset fuqishëm në një shkëmb buzë detit, karakteristikë e detit të vendlidjes tuaj, dhe pasi “copëtohet” e shpërbëhet në miliarda pikëza, ngrihen në ajër, e që pas pak bien nxitimthi në “shtratin e shqetësuar” shkumë-bardhë të asaj mase ujore të egërsuar…Por më kot kërkojnë qetësi pasi përfshihen përsëri nga vrullimi i dallgës së më pasme… Nuk e di sa i saktë jam në këtë perifrazim për një analogi, por, ja që sapo e përfundova së lexuari, kjo ndjesi më vrundulloi në mendje… Duke njohur, sigurisht së largu, jetën tuaj në sferën e kulturës, pra, të profesionit të një masoviku, si dhe duke patur në rrethin tuaj shoqëror, siç edhe i keni evidentuar në poezitë tuaja, kompozitorë, muzikantë, dirigjentë, etj… kanë ndikuar për të formuar “detin“ tuaj poetik, i cili gjeti çastin për të ngritur “dallgën” emocionale… Pra, vjen një ditë që shqetësimi emocional do shpërthejë … Dhe kështu ndodhi me ju. Tematika e poezive tuaja vjen nga qëmtimi ndër vite i fenomeneve të prekshme dhe nga ditët e sotme, por që me sa vërej mbështillen nga manteli i nostalgjisë… Bukur! Tek nostalgjia fshihet ndjenja, dhe, kur derdhet ndjenja në vargje, atëhere poezia ka musht, ka lëng, e kështu mbahet e freskët dhe “shijohet”. Pjesa më e madhe e poezive, që, ashtu siç e pohon dhe vetë, ndër vargje janë vitet e shkollës, shoqëria dhe takimi pas dyzet vitesh. Aty bëhet apeli, përjetohen përmes kujtimeve gjithë ato çaste të rinisë së hershme, kujtohen shokët dhe bëmat, dhe, si një grigjë e urtë, që pret ledhatimin, afrohet portreti i pedagogëve, atyre që ju hapën shtigjet e frymëzimit krijues, ngrihet për të zënë majën e “pemës” respekti ndaj tyre… Ja, kështu udhëtuan ato ëndrra brenda teje, miku im, të dlirta… Ashtu, me të njëjtën fizionomi, nostalgjia jote rendi drejt vendlindjes, te bukuria e fshatit tënd Dhërmiut, kësaj perle të bregdetit tonë Jonian, për t’i kënduar atij me të gjithë ngjyrat… Të kujtosh këngët mahnitëse dhe ato figura që i çuan drejt pushtimit të hapsirave qiellore krejt të kaltra, të flurosh fëmijërinë sa të varfër, po aq të ëmbël, siç shijon një frut të këputur në kohën e pjekjes, ndërsa ktheheshit nga banja gjatë verës…; pa harruar idilin e dashurisë që shëtiste ndrojtur sokaqeve të gurta….; por nënat e lodhura nga punët e rënda të ditës, nuk ndjeheshin të qeta për të “ zbuluar” sekretin e fëmijëve të tyre… (Eh, rinia!) Të gjitha këto i gjen në vargjet e tua, në poezitë, që me kaq pasion u ke dhënë jetë. Nuk mund të të shpëtonin nga fokusi i vëzhgimit as situatat e ditëve të sotme, politika e “ përdalë”, që shëmbi gjithçka të bukur, që sot shikon një plak të zvarritet i pangrënë, që askund nuk ke siguri në jetë, që njerëzia, si një “ mbretëri bletësh” u rroit e roitet dhe merr udhët e emigracionit…. Shqetësimi yt poetik nuk u anashkalon fenomeneve dhe veseve që për kaq vite tranzicioni, lulëzojnë përditë si monstra shëmtimi, përkundrazi i rrok dhe mban qëndrim, i vë në ingranazhin lëvizës të arsyes për ta dhënë mesazhin e qartë, siç janë ato të vjedhjes prej politikanëve të pasurive të shtetit kur populli vuan e heq, të rinisë që në emër të modernizmit shpërfytyron portretin duke ekspozuar barkun, gjokset, me vëth në veshë, plot tatuazhe, që nuk e duan punën e mbeten kafeneve, që droga e çon drejt humnerave jetën e tyre…por që brezi i prindërve nuk mund të pajtohet dhe qeverisë kjo as që i intereson …
I nderuar, miku im nuk do doja të rendisja poezitë më të spikatura, por me lejo të diferencoj disa prej tyre, si :“ E mban mend atë ditë”, Dialog me detin”, “ Prapë desha t’ju dëgjoj”, “ Mëngjes herët”, “Shoqes së bankës”, “Xhimi ynë nga Lukova” etj… Ndërsa jam duke përfunduar, doja të të sugjeroja, se shpesh ndihet nxitimi për të hedhur emocionin në letër, por ama, siç ndodhte kur nënat tona donin të zinin brumin për bukë pasi u kishte ikur koha dhe shtëpia mbetej pa të, nxitonin dhe e nxirrnin furrën ende pa u terur mirë buka… Dhe më kot prisnim ta shijonim bukën e papjekur dhe që ta hanim e afronim tek prushi i vatrës… Duhej të punoje pak më tepër për nivelin artistik, pasi figuracioni, ajo dantellë që i jep bukurinë vargut, thuajse mungon në një masë të gjerë. Gjithashtu jo kudo mund të dallohet mesazhi poetik… Megjithatë, si libri i parë, i uroj udhë të mbarë në destinacionin e nisur! Suksese…!

Me respekt miku yt,
Andrea Petromilo
Shkrimtar

Leonard Bixhili vjen për herë të parë para lëxuesit me një libër me poezi. Lexuesi do të përpiqet të zbulojë çdo poezi si një ngrehinë më vete. Me një arkitekturë të veçantë, e cila të jep një tablo më të plotë dhe më të përgjithshme. Leonard Bixhili vjen për të treguar të vërtetat e saj nëpërmjet pulsimeve poetike, që bashkojnë dy skaje të jetës. Një skaj i kësaj jete është Shqipëria dhe një skaj tjetër është Greqia ku autori prej kohësh është emigrant.
Lexuesi ka mundësi të përfytyrojë nëpërmjet këtyre kufijve, ekzilet e mëdha të njerëzimit, të cilat, në Shqipëri, vazhduan edhe pas viteve ’90 të shekullit që sapo kemi përcjellë. Në këtë vizion lëvizës, çdo lexues mund të ndjekë me ëndje këtë copëzim poetik, që i ngjan vetë kontinentit ku është ngjizur dhe që po përpiqet të bashkohet në një të tërë… Kësaj here, dhe ndoshta që në fillim të botës, duke grupuar njësoj si shtetet edhe poezitë e një vëllimi të vetëm. Kështu, libri i poetit Bixhili bëhet libër i identitetit të trazuar, por të vendosur dhe të projektuar brenda një zemre njerëzore që përpiqet dhe pulson deri në vlim. Mund të themi se në këtë libër vlon dita, çasti, nata, mëngjesi, koha e një njeriu të vetëm, madje e një njeriu të vetëm që di të përballojë çdo vështirësi si kryefamiljar dhe si emigrant që e merr malli për atdheun. Mund ta quash këtë libër vizion për jetën e për hallin personal, rrebesh shpirtëror i grumbulluar, që më në fund ka ku të derdhet. Terreni poetik dhe gjuhësor është i pafundëm. Në shqip, këto të gjitha, i përmbledhim në një fjalë të vetme “shqetësim”.
Shqetësim për fatet e atdheut të plaçkitur nga politikanët që i detyrojnë të rrijnë në emigrim. Leonard Bixhili zgjedh kështu bisedën e hapur dhe të drejtpërdrejtë, deri në skutat më të thella njerëzore. Poezia i është larguar metaforës së mbyllur. Poezitë e kësaj përmbledhje poetike vërtetojnë faktin se vetëm poezia e angazhuar, poezia e frymëzuar nga realiteti, vetëm poezitë e krijuara me përkushtim të thellë shpirtëror i bëjnë ballë kohës dhe mbesin kurdoherë të freskëta ashtu sikur lulet e pranverës. Dëshiroj që ky libër me poezi i autorit Bixhili të pasohet me krijime të tjera të po këtij vokacioni të ngrohtë e të çiltër poetik.

Dorjana Sterkaj
Redaktore