Java te Botimet ADA fillon serish me një libër të Dr Selman Mëziu
BELBËZIMET E PYLLIT
Autori: Dr. Selman Mëziu
Redaktor: Adrian Skuka
Korrektor gjuhësor: Emrie Skuka (Mera)
Arti grafik: Robert Guçi
Botohet me rastin e 100 vjetorit të Shërbimit Pyjor Shqiptar:
27.01. 1923 – 27.01.2023
Të gjitha të drejtat i takojnë autorit
Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, prill 2023
HYRJE
Të lexosh librin “Belbëzimet e pyllit” të Dr. Selman Mëziut është kënaqësi e veçantë, sepse aty shquhet pasioni, njohuritë dhe dashuria që ka ai për natyrën e bukur dhe veçanërisht për pyjet e Shqipërisë.
Nga ana tjetër, kur lexon këtë libër të shkaktohet një keqardhje dhe trishtim, kur vë re dëmtimet e mëdha që janë shkaktuar në natyrë, veçanërisht në pyje, nga njeriu e jo nga ndonjë katastrofë natyrore, të përshkruara me aq hollësi nga autori.
Në këtë përshkrim shpesh herë vemë re revoltën e sinqertë dhe të drejtpërdrejtë të dr. Mëziut. Rasti më tipik ku shprehet kjo revoltë është në parqet kombëtare, në artikullin mbi Lurën, i cili fillon me shprehjen “O sot, o kurrë !”.
Lura është rasti tipik i dëmtimeve që janë shkaktuar nga njeriu në parqet kombëtare. Lura përfaqësonte një nga parqet me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare, për vlerat e rralla shkencore dhe peisazhiste dhe si e tillë ka qënë kandidate për nominimin në “World Natural Heritage” të mbrojtur nga organizata botërore e UNESCO-s, por që nuk u propozua asnjëherë për shkak të dëmtimeve që janë bërë me prerjen e drurëve, veçanërisht në vitin 1997. Të shpresojmë që të propozohet në një të ardhme jo të largët, megjithëse shpresat janë të pakta për shkak të masakrës që i është bërë Lurës.
Për t’u admiruar janë përshkrimet e terrenit, gjeomorfologjinë, majat e maleve, pyjet dhe peisazhin në përgjithësi, me një stil prej shkrimtari me përvojë, pa lënë mënjanë dhe dëmtimet që janë bërë në këto zona, si më poshtë:
“Dëshpërimi na krijon një zbrazdësirë të brendëshme, dhe na ndjell zemërim kur në masivet e hormoqit mbi hotel shikojmë të shtrirë përdhe pa jetë e të masakruar drurë hormoqi, të prera pa kurrëfarë kriteri silvoteknik, ndërsa në çeltirat me të gjelbërtën e thellë dhe lule shumëngjyrshe,
na tregojnë banorët e Gjelajve, kanë fjetur me makina disa netë me radhë turistë hollandezë. Papritmas vështrimi ynë përpin disa dhjetra shtëpi të braktisura të cilat mund të ruhen nga shkatërrimi, të riparohen për t’u përdorur për të bujtur vizitorët e shumtë.”
Me mjeshtëri profesionale përshkruhet edhe parku kombëtar i Divjakës, park i larmishëm nga ana e vegjetacionit, duke filluar nga bimësia e ranishteve, lagunës së Karavastasë me pelikanin kaçurrel, pylli i pishave mesdhetare me bimësinë tipike të zonës, të tilla si shkurre e liana tipike mesdhetare.
Sipas Dr. Mëziut edhe në parkun e Karavastasë ‘’… evidentohen ndryshime shumë të mëdha, që lidhen sidomos me ndërhyrjet e jashtëzakonshme e të pastudiuara në zonën përreth parkut dhe sidomos në ligatinat e kënetat rrethuese. Ndërprerja e prurjeve të ngurta nga lumi Seman
në grykëderdhje, po çon në shkatërrimin e deltës së mëparshme nga deti. Kordoni litoral po coptohet e zhduket, po kështu edhe pjesët e brigjeve të parkut kombëtar të Divjakës po përfshihen nga gërryerjet.,,
Pasojat do të jenë shumë mëdha, po të vazhdohet me këtë mospërfillje si deri tani.
Po kështu ndërprerja e prurjeve të ngurta nga lumi Seman në grykëderdhje, po çon në shkatërrimin
e deltës së mëparshme nga deti. Kordoni litoral po coptohet e zhduket, po kështu edhe pjesët e brigjeve të parkut kombëtar të Divjakës po përfshihen nga gërryerjet, etj, etj.
Dr. Mëziu vazhdon me pasion përshkrimin e zonave të tjera, të bukurive dhe të masave për rigjenerimin e tyre, të tilla si: bredhi i Sotirës, parku kombëtar Korab- Koritnik, i Bulqizës, Martaneshit, etj.
Një problem tjetër me rëndësi që ngre dr. Mëziu janë ndërhyrjet me shkatërrime nëpërmjet ndërtimit të hidrocentraleve, duke masakruar e shkretuar qindra hektarë me mështeknë, hormoq, dushqe, livadhe malorë me bimë barishtore disa prej tyre, vetëm të florës shqiptare.
Një nga cilësitë më të vyera të dr. Mëziut është vlerësimi dhe mirënjohja e kolegëve të tij profesorë, e ish kolegëve të tij, të diplomuar tridhjetë e pesë vjet më parë.
Simbas tij e gjithë mirënjohja shkon tek edukimi i prindërve tanë, shkon tek pedagogët tanë, shkon tek vullneti këmbëngulja e gjithësejcilit prej nesh, por edhe kur u bëmë pedagogë, doktorë shkencash, profesorë apo enciklopedistë të pylltarisë shqiptare.
Së fundi Dr. Mëziu e shpreh fisnikërinë e tij nëpërmjet përshkrimit human që i bën kolegëve të tij të paharruar si, agronom Tomson Nishani, prof. Dalip Habilit, mrsc. Haki Kola si edhe edhe atyre që janë gjallë, të tillë si prof. Vezir Muharremi, dr. Parim Çarçani, inxh. Vehbi Dermani, inxh.
Daut Kroi, inxh. Kleanthi Mandi, mrsc Gjon Fierza, etj.
Duke e mbyllur këtë vlerësim të sinqertë të dr. Mëziut, shpresoj që do të ndikojë sadopak në ndërgjegjësimin e shtetarëve, e ligjvënësve, e firmave shfrytëzuese dhe e mbarë popullsisë në mbrojtjen e kësaj pasurie kombëtare në gjendjen e saj natyrore, që do të ndikojë në rritjen e cilësisë dhe mirëqënies së vendit, në rritjen e turizmit malor, etj.
Akad. prof. dr. Jani Vangjeli