…Poetja  DAVA NIKOLLI ka lindur poete! Shpirti i saj është gurrë e pashterrshme, fjala  i rrjedh si ujëvarë, nuk ngec, nuk të shtang ,por të shkund e të përtërin duke depërtuar në çdo skute shpirti. Vëllimi Krushqit e Dardanisë  lexohet e rilexohet me të njëjtin ngacmim e ndjenjë madhështore sepse është shkruar me plot frymëzim shpirtëror!…

 

Titulli: KRUSHQIT E DARDANISË

(Poezi-këngë-poemë për Dëshmorët e U Ç K-së)

-Autore: Dava Nikolli

-Redaktore & korrektore: Vjollca Shurdha

-Kopertina Helena Mehuka

-NB/.Redaktimi e korrektimi i këtij libri është bërë në bazë të liçencës poetike.   

 

Botimi i parë: 2023

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

Formati : 14x20cm

 

Të gjitha të drejtat i takojnë autores

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, nëntor 2023

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Nikolli, Dava

Krushqit e Dardanisë :

(poezi-këngë-poemë për dëshmorët e UÇK-së) / Dava Nikolli ; red. Vjollca Shurdha.

– Tiranë : Ada, 2023.

164 f. ; 20 cm

ISBN: 978-9928-398-65-9

1.Letërsia shqipe

2.Poezia

821.18 -1 

 

 

Parathënie

Krushqit e Dardanisë

 

Në vëllimin e titulluar Krushqit e Dardanisë poetja Dava Nikolli prezantohet me një përqëndrim serioz e të përkujdesshëm në trajtimin e temave të krijimeve. Përpos poezive përgjatë leximit hasim dhe në elegji, këngë e balada, të shkruara me dhimbje e lot! Autorja përdor metafora e krahasorë në mënyrë emocionale. Përshkruan dhimbjen, krenarinë e nderimin ndaj bijve që bënë fli jetën e tyre për mbrojtjen e truallit amësor, e si shpërblim patën Kosovën e lirë. Shpaloset fleta e parë me krushqit hyjnorë të lirisë Dardane ku;

“Nga krismat,bota dridhet frikshëm./Zërat e jetës nga larg…thërrasin kudo hyjnishëm./Disa lanë amanete,kur nisën udhëtimin drejt qiellit/Ndër ta shumë dëshmorë të rinj,sapo kishin prekur rrezet e diellit!”

Poetja i quan emblemë e shenjtë e kohës ndaj dhe e përfundon me vargjet ; ”Monument Lirie mbetën,në çdo pëllëmbë të Dardanisë.Nëpër flakët e stinëve luftuan…krushqit Hyjnorë të Lirisë!”.

Autorja krijon e bashkon sistemin e fjalëve me ritmin, i jep kuptimin, informohet saktësisht  e vërtetësisht për ndodhitë, imazhet,sugjerimet për të paraqitur një kryevepër sinestetike, artistike,historike,komunikuese! Hedh dritë mbi atë që do të thotë të lexosh, shkruash dhe botosh poezi.Vetëkuptohet që poetja patriote nuk mund kurrsesi të injorojë atë që  ka ndodhur e ndodh rreth saj. Vazhdon të studiojë madje edhe me vetëdije ndikohet nga çka  informohet. Kur mendohet të shkruhet diçka me vlerë nuk duhet të eksistojë mosinformimi me justifikimin rrënqethës s’e nuk duan të ndikohen,sidomos kur kemi të bëjmë me vëllime me tema historike si në këtë rast.Kush i shmanget informimit demonstron pamjaftueshmëri intelektuale dhe si rrjedhim shkruajnë vargje të parëndësishme. Përpikmëria historike e poetes rrjedh mënyrë artistike në:

Dardania, fisi më i madh Ilir./Sot e mbushur me dhimbje,luftoi për një jetë të lirë. Dardanët,rrethuar me mure në çdo anë/.Të coptuar, e të tradhëtuar/ Europa i mbylli sytë për luftëtarët e lirisë…që i dhanë shpirt Dardanisë”

Vazhdon poetja : “ardhacakët s’lanë gjë pa bërë. Por at’ shkëmb s’e thërmuan dot!/Është shkëmb me vlerë. Që u vesh me rreze dielli…me këmishën më të bukur në botë!” Lirinë!

Duke përdorur metafora të përshtatshme poetja na sjell në tokën e lulëkuqeve të përgjakura tek feston Pavarësinë.

“Dardania sot buzëqesh,shëmbull qëndrese,Zonjë e parë/.Jehon kënga e Lirisë në çdo shesh,njëqind vjet të pritëm e bardhë!

Vëllimi i kushtohet kompletësisht Kosovës martire, heronjve e dëshmorëve të saj! Poetja është munduar të përmbledhë sa më shumë emrat të rënësh në fushën e nderit për truallin e shenjtë! Për shqiponjën e Kosovës Adem Jashari shkruan:

S’është e lehtë të të shkruaj për ty o trim!Me gjakun tënd e të familjes krijove Atdheun./Shpirti yt i kërkonte trojet në bashkim…sikur të ishe lindur e rritur me Skënderbeun.Heroizmin tënd s’ka penë që e përshkruan!Vetëm ti e tmerrove kuçedrën Serbi. Ishe amaneti i Isa Boletinit e i shokëve të tij.

I rëndon pena poetes teksa shkruan për dëshmorin Ymer Alushani.Për heroin  Zahir Pajaziti që gjaku i zemrës i rridhte atdhedashuri, dëshmores Antigona Fazliu që pushkën e vuri supit të saj të njomë.Dëshmorit Ilaz Kodra që hodhi zjarr mbi armikun e për brigadën e 114 -brigadën e yjeve që nga qielli dhurojnë dritë duke u shndërruar në 167 meteorë. Vijon me komandantin legjendar Teli, vrarë tradhëtisht në Shkup të Maqedonisë. Per tmerrin e armikut dëshmorit Mujë Krasniqi, i cili ra heroikisht bashkë me tridhjetë e gjashtë luftëtarët e tij, poetja shprehet kështu: Trimat e Dardanisë së lashtë,e deshën truallin e tyre sa jetën -Bekim Berishës -Agim Ramadanit-Katanës- që i dhimbte shpirti për degët e prera të Kombit shqiptar! Dëshmoren Luljeta Shala e quan “Mbretëresha e horizonteve!  -Xhevë e Fehmi Lladrovci-“nëpër gjurmët e Lirisë udhëtuan përkrahë yjeve të Dardanisë”. -Dëshmorëve të LIRISË– “Pranverat që lulëzuan tokën e Dardanisë”,

Lexojmë gjatë shfletimit poezi të kushtuara të humburve në luftë, poezi satirë fshikulluese, poezi kushtuar Masakrës së Reçakut. Krijime kushtuar fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë e tre dëshmorëve të rezistencës mësuesi Xhevat Osmani me dy kushërinjtë e tij, Sejdi Osmani dhe Hysen Zeqiri. Vazhdon me: -Hasan Prishtinës- “Krah i djathtë i Ismail Qemalit” -Adem Jasharit- Heronjtë kanë veç ditëlindje! –Dëshmores Yllka Domi– Të kërkova përmes penës, /dhe të njoha si luftëtare  –Ylfete dhe Mentor Humolli-“Motër e vëlla dëshmorë të lirisë,i vaditën n’gjak rrënjët e Dardanisë. “ –Dëshmores Shukrije Obërtinca, nxënëse 16 vjeçare nga fshati Lismir -Arben Skënder Jusufi-i cili ra dëshmor në Betejën e Koshares! -Ukshin Hotit- ku jeta i njohu veç burgime, e hotjanit trim Avni Bali Sinanaj. -Sali Beqir Çeku-Veterani- që i la faqe të ndritur historisë! Shpërthen adhurimi i poetes  në poemën: “Nuset e bukura të lirisë” ku u thur vargje lavdie të rënave heroikisht në luftë për çlirimin e Kosovës: Mukadeze Lika, Myrvete Maksutaj, Gjylsere Sahiti, Lumie Raka, Jehonë Raka, (mjeket e Ushtrisë çlirimtare) Melihate M.Rama, Serbeze Gashi, Hadije Spahiu, Magbule Spahiu, Afërditë  Ukshini, Njomëza Lipaj, Fatime Demaku, Zylfije  Gashi, Hyrë Emini, Fatime Bazaj!

“-tingull i lirise dhe i shpreses,bijat  e atdheut,zanat e malit !Fluturuan si shqipe përkrahë trimave n’luftë për Atdhe sepse e deshën lirinë më tepër se veten”

ndaj dhe u nderuan me “,nuset e bukura të përjetësisë”!

Poetja i shkruan poetit (Ali Podrima )duke iu drejtuar me psherëtimë mbarë poetëve:

“Vdesin poetët, vdesin…këtij planeti mjekërthinjur, prej pabesisë./I djeg llava e vullkanit të fjetur,kur botën e sundon vello e lakmisë.”

Ndër të tjerash poetja Dava Nikolli prek edhe temën e dhimbshme të gjakmarrjes. Poezia “Ndal gjakmarrjes” përpikshmërisht i kushtohet fushatës së pajtimit të gjaqeve mes shqiptarëve në Kosovë në vitet 1989-1990 organizuar nga Baca Anton Çeta! Përshkruar me delikatesën e duhur që tema kërkon, për këtë sëmundje të keqe shekullore:

“Asaj pranvere, u mblodhën trimat shpirt fisnikë. /Për të pajtuar mes shqiptarëve hasmëritë, për t’i thënë përgjithmonë: Ndal; gjakmarrjes!Foli i pari fjalëurti baca Anton, e të gjithë i përshëndeti sypërlotur! Supet lehtë ia ledhatonte Sharri, kur prej syrit të tij pikonte loti nën plis të bardhë. Karvani i pajtimit eci duke mbyllur plagë..I zgjatën duart vëllazërisht lartësive, deri atje ku e puthin ylberin,vetëtimat. Ndizen flakë malet e Karadakut, prej kushtrimit, në trojet tona stërgjyshore të lulëzojë përherë jeta,prej duarve të bashkuara të pajtimit”

Po ndërpres këtu fragmentin e marrë nga kjo poezi drithëruese deri në asht për t’ia lënë lexuesit të dashur vazhdimin e prekshëm. Mallin e dhimbjen për motrat e vëllezërit Kosovarë e shpreh kështu:

Prej mallit po m’dridhet dhe dora, krejt Kosovën dua ta njoh! Dua t’u njoh vëllezër e motra, kemi shekuj që s’jemi parë. Për ju ka shumë mall motra e votra, se sot s’jemi bashkë,e as të ndarë!

I drithet dora poetes Dava Nikolli teksa shkruan, loti i kujtesës djeg si prush i ndezur,për  Mitrovicën,për Kosovën që u bë edhe sprovë e ndërgjegjes mjekësore, për shkronjat mistere e për përdhosjen e veprave të artit nga:

të ashtuquajturit” profesorë akademikë “ predikojnë teori të thata duke tërhequr vlerat zvarrë/ gjykojnë e paragjykojnë,poetët,piktorët,skulptorët,Madje edhe artistë e shkencëtarë”.

Përshkruan qartësisht çështjen e bashkimit kombëtar në poemthën ”Kosova  është Shqipëri” Ndërsa në një krijim tjetër shkruan!

“Edhe sot e kësaj dite, shqiptarët autokton në trojet e tyre i quajnë ardhacakë, ata që vetë erdhën nga Karpatet, në Kosovë për sevap!”

Poetja ndër krijime shpesh na vë edhe përballë tre fenomeneve  –UTOPIA– ku rafiguron një botë të paqtë! –DISTOPIA– ekzaktësisht në kundërpozicion me utopinë, dhe –URONIA-  që nuk është s’e prezanton një model negativ o pozitiv, por përshkruan një alternativë ku historia shpesh ndjek një rrjedhë tjetër nga ajo reale! Pikërisht për t’iu shmangur pasojave negative, poetja vë në dukje këto fenomene, që janë sa kontradiktore aq edhe të dëmshme  për shoqërinë e sotme e në ardhshmëri! Faktikisht realiteti ka treguar se mjerisht shumë vepra të lavdishme të përmbushura ndër kohra i ka mbuluar pluhuri i harresës, mykur arkiveve o më keq akoma; në historinë e Kombit nuk përmënden më askund! Për një ndër këto arsye të sipërtheksuara është edhe krijimi kushtuar Kreshnikut Prek Cali -Bajraktarit të Kelmendit në Malësi të Madhe, krenaria e gjithë malësorëve shqiptarë.! Krijimit (ashtu si në shumë krijime të tjera me karakter historik) vetë autorja i ka bërë një shënim te detajuar në shenjë nderi e rifreskim memorie të gjurmëve historike!

Nuk mungon gjithashtu edhe tema  për plagën e mërgimit!

”Keq i përplasën valët e jetës,shqipet moren udhët e mergimit./Renden pas copave të shpresës…për t’i hedh n’shportë t’gjykimit!Ishte kohë, për të ik sa më larg,ikje nga Kosova ikje nga Shqipëria./Loti currilonte nga pragu n’prag…n’detin e lotit u mbyt shqiptaria!”

Në poezinë ”Kosova ka dritën e lirisë” sërish poetja u bën thirrje vetes e poetëve të mbarë botës; të mos heshtin para padrejtësive të çfarëdolloj forme qofshin ato!    

“E ndiej për detyrë që të shkruaj,më duket se ia kam borxh Atdheut.Thonë: Pena është krijuar të vuaj t’i jape jetë edhe thërrimes së dheut. /Vuan poeti, madje shumë ,kur të zezës s’i thotë dot, e bardhë /Edhe pse gjaku i tij shkon lumë,ai jep kushtrim, për çdo fjalë!/E ndiej për detyrë që të shkruaj,n’kup t’qiellit t’bërtas për Kombin tim./Kam lindur, për Kombin të vuaj,ndaj mos u rebeloni që jap kushtrim!

Poetja  DAVA NIKOLLI ka lindur poete! Shpirti i saj është gurrë e pashterrshme, fjala  i rrjedh si ujëvarë, nuk ngec, nuk të shtang ,por të shkund e të përtërin duke depërtuar në çdo skute shpirti. Vëllimi Krushqit e Dardanisë  lexohet e rilexohet me të njëjtin ngacmim e ndjenjë madhështore sepse është shkruar me plot frymëzim shpirtëror! Këtu dallohet stili i vërtetë i poetes, i personalizuar, ku çdo krijim përpunohet me përkushtim e për këtë admirohet! Origjinaliteti shpirtëror kërkon piksëpari indipendencë mendimi. Siç e kam theksuar shpesh e vazhdoj ta theksoj që: Fjala artistike për mua është një koncept absolut.Nëse vlerësohet e klasifikohet për hir patriark,partiak, gjeografik o grupim individësh nuk e konsideroj të tillë, por thjesht shkarravitje, një mbështetje e lehtë simpatie e kurioziteti por kurrë ART! Njoh penën e poetes prej kohësh, imtësisht në çdo gërmë. Kjo penë e ky emër DAVA NIKOLLI- duhet të jenë në vendin e merituar (e kam shprehur edhe kohë më parë, me bindje e përgjegjësi)! Meriton poetja të radhitet ndër figurat e shquara të letërsisë shqiptare, përsa vlera artistike-kulturore-edukative po i jep Kombit! Në këtë vepër autorja poezinë e shkruan  të stilizuar si fllad pranvere e here si suferinë, si ushtimë lumenjsh të rrëmbyer e herë si gurgullimë e paqtë! E stilizon në cicërima të gëzueshme zogjsh o në vajtime, në flatrat e fuqishme të shqiponjës krenare drejt lartësive. U jep të duhurin stil edhe fushave të bleruara e të mbushura me luleshqerre, atyre fushave të përgjakura, të vaditura me gjakun e kulluar të bijve më të mirë të Kombit! Koncepti është ai që e bën unike poeten! Idea e një krijimi nëse hidhet në letër vetëm si e tillë ngelet diçka pa ndjenjë. Nëse brënda ka histori e trasmeton emocione atëhere kemi të bëjmë me krijim artistik. Të formuloja tekstualisht krijim për krijim parathënien e madhështisë që ka në brendësi vëllimi nuk do të më mjaftonin faqe e faqe të tëra! Doja gjithashtu të shtoja që: Për përmbajtjen tërësisht historike, për vlerat e mëdha edukative me poshtëshënime të datuara saktësisht të ngjarjeve nga autorja, për të nderuar dëshmorët e heronjtë e Kosovës së bukur e martire;  libri meriton të bëjë pjesë në tekstet shkollore! Duke i lënë lexuesit eksplorimin më tej të tij  po e mbyll me një poezi dëshmi të poetes Fisnike, Patriote, Atdhetare të pashoqe Dava Nikolli!

“I dëshmoj botës se jemi shqiponja! Lindur e rritur mes shkëmbit, si zambak./Atje, ku lindin kreshnikë e dragoj,ku edhe fëmija, në vetull të merr gjak!/Sot dua t’ua kujtoj e t’ua dëshmoj. Diamantet xixëllojnë në thellësi të tokës./Ku kanë jetuar të parët tanë do të jetojmë. Shqiponjat i kanë dëshmuar gjithë botës”.

 

 

                                 Vjollca Shurdha

                     Poete –Shkrimtare –Perkthyese

                                       Itali

                                   15/08/2023