Nga Botimet më të fundit të shtëpisë botuese ADA>

 

… Të tria këto shkrime përbëjnë në mënyrë figurative edhe lidhjen trekëndore të këtij libri, i cili mbart në vetvete shenjtërimin e asaj“mjegullës së kaltër”, që më ndjek e më ndjek nga pas “si flaka që ndjek fijen e kashtës,” derisa hiri i mbetur prej djegies së saj, të rrëmbehet nga erërat e të shpërndahet mbi trojet e shenjta të vendlindjes sime.

 

Titulli: Bukuroshja e Strumit

Autor: Nuri Plaku

Redaktor: Prof. dr. Bardhosh Gaçe

Recenzentë: Lulieta Dano

Arben Velo

Korrektor gjuhësor: Zoi Pasku

 

Kopertina – Bukuroshja e Strumit,

punim i piktorit Pandi Lena,

Galeria “Vilson Kilica” Fier.

 

Botimi i parë, 2021

Tirazhi: 200 kopje

ISBN: 978-9928-326-75-1

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

Formati :13.5x20cm

 

Të gjitha të drejtat i takojnë autorit

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, maj 2021

 

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese ADA

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Plaku, Nuri

Bukuroshja e Strumit : esse / Nuri Plaku ;

red. Bardhosh Gaçe.

– Tiranë : Ada, 2021

128 f. ; 20 cm.

ISBN 978-9928-326-75-1

1.Folklori shqiptar  2.Këngë popullore shqiptare

3.Këngëtarë popullorë  4.Biografia   5.Fier   6.Shqipëri

398.8(496.5-3) (092)

 

PARATHËNIE

 

Libri “Bukuroshja e Strumit” i kushtohet ndjesisë shpirtërore të vendlindjes sime, shfaqur nëpërmjet tingujve të këngës. Vendlindja për njeriun është Shën Grali, kupa me të cilën pihet nektari dehës i kujtimeve të fëmijërisë së tij. Ky koncept është një imazh i krijuar sipas kodit emotiv të vet individit. Më tepër se kund ai shfaqet në largësi duke u konvertuar në mall, ëndërr e dhimbje. Sot koncepti i dikurshëm i vendlindjes duket sikur po zbehet nga lëvizjet e shpeshta të njerëzve, por, gjithsesi ajo mbetet një burim vlerash të patjetërsueshme identitare.“Unë jam qytetar i botës,”-  thoshte dikur  Sokrati, filozofi grek i antikitetit. Ndërsa kohë më vonë Jorgos Seferis, poeti grek i shek. XX shkruante: “Kudo që vete, Greqinë e mbart me vete, si një dhimbje.”

Kohët moderne sollën lëvizjen e lirë të njerëzve dhe nivelet e zhvillimit shkencor i zvogëluan distancat gjeografike midis vendeve. Shpesh vendet pritëse janë bërë për emigrantët, atdheu i tyre i dytë. Por më shumë sesa qytetari e fituar nga kjo lëvizje, sipas konceptit filozofik të Sokratit, duket se individët “mbartin me vete” atdheun e parë të tyre, si dhimbje e shprehur nga Seferis.  Shpirti i vendlindjes më ka ndjekur edhe mua, kudo ku kam shkuar, si një mjegull e kaltër, që udhëton gjurmëve të mia, derisa më ka pushtuar të tërin e më ka zotëruar të tërin. Prej këtej ka buruar edhe nevoja e pasqyrimit të tij. Forma më e përkryer e këtij pasqyrimi është arti. Pikërisht nëpërmjet kësaj forme është konceptuar edhe ky libër, shkruar si letërsi kujtese, nga e cila ravijëzohen realitetet historike të kohës.

Shkrimi i parë“Bukuroshja e Strumit”paraqet një prerje tërthore të jetës rurale të trevës, ku ka lindur kjo këngë. Një shfaqje  në formën më të lartë e më të përkryer të krijimit në vargje poetike. Poezia është arti, që përcjell vlera të jashtëzakonshme shpirtërore dhe popujt e kanë përdorur atë në kulturat e tyre që në lashtësi. Dikur para 4500 vjetësh në Egjiptin e lashtë, në papirus, shkruheshin këto vargje:

 

Do të ndjek, do të ndjek nga pas,

Si flaka që ndjek fijen e kashtës!

 

Ndërsa sot, te “Bukuroshja e Strumit” gjejmë vargjet:

 

Me dy qetë e zesë, lëroje në arë,

Me kindat e fustanit, lesoje ugarë!

 

Kur je përballë perlave të tilla, nuk mund të mos bësh krahasimin  midis tyre e të ngazëllehesh nga përngjasimi i ndërsjellë. Por esseja shfaq ndërkohë edhe pasojat e lindura nga bukuria femërore. Një bukuri e kryqëzuar në fatin e saj tragjik. Aq e rëndë është kjo tragjedi, sa pesha e saj ka vënë në lëvizje ndërgjegjen e popullit, e cila ka prodhuar një kujtesë të mirëfilltë artistike. Kryqi është edhe forma e ngushëllimit biblik të shpirtit të ndrydhur të trevës nën presionet e ndryshme sociale, prej të cilit vjen edhe shenjtërimi i “Bukuroshes…”, kthyer në “Shën Mëri”.

Kryqi shfaqet edhe në shkrimin e dytë të këtij libri, i cili përshkruan botën lirike të Jorgji Kondakçiut, kopshtarit të Omer pashë Vrionit, një personazhi karizmatik, që ka jetuar e punuar në Fier, në gjysmën e parë të shekullit XX. Është ajo kohë, kur në botën shpirtërore të popullsisë myzeqare, lirizmi ishte ende i shenjtë. Jorgji këndonte, dashuronte dhe bekonte me kryq çdo pemë që mbillte. Nëse te “Bukuroshja…” kryqi është shpirtëror, te Jorgji bëhet tokësor. Ashtu si çdo varr i njeriut mbart një shenjë nga emri dhe besimi i tij, edhe pemët e Jorgjit kishin në krye një kryq si bekim nga zoti.

Shkrimi i tretë i këtij libri i kushtohet jetës dhe veprës së këngëtarit fierak, Kiu Poro. Fieri si Jeruzalemi i Myzeqesë shfaqet përgjatë viteve ’30 të shekullit të kaluar një qytet, që po ngrinte “kishën” e vet shpirtërore. Kjo “kishë” si çdo tempull tjetër, do të kishte edhe shenjtorin e vet.  Kiu Poro është kurbani i shpirtit myzeqar, që u bë kryq në kambanoren e saj.

Të tria këto shkrime përbëjnë në mënyrë figurative edhe lidhjen trekëndore të këtij libri, i cili mbart në vetvete shenjtërimin e asaj“mjegullës së kaltër”, që më ndjek e më ndjek nga pas “si flaka që ndjek fijen e kashtës,” derisa hiri i mbetur prej djegies së saj, të rrëmbehet nga erërat e të shpërndahet mbi trojet e shenjta të vendlindjes sime.

 

Autori