… Ka disa vite që nuk i ndajmë së bashku bisedat për librat, për poezinë, pasionet e mia, ka disa vite që rrekem më kot ta mbush atë boshllëk që më ka lënë ikja jote. Në harkun e kësaj kohe nuk e kam shkelur më rrugën që më sillte çdo ditë në shtëpinë tende baba, i kam evituar vendet ku shkelnim bashkë sepse dhembja është e fortë dhe e mbyt magjinë e kujtimit. Ekzistenca ime tani sillet rreth banesës ku jetoj, në një të përditshme që më dhuron gjithçka, por jo ty. Koha me vrapin e saj të çmendur mundohet ta mjegullojë portretin tënd, zëri yt është kthyer në jehonë, atë e dëgjoj vetëm në ëndrra dhe më zgjon menjëherë nga gjumi. E megjithatë teksa mblidhja shënimet e tua, ndërsa mundohesha t’i deshifroja dhe t’i përcillja tek lexuesi, në çdo faqe, në çdo rresht unë e dëgjoja zërin tënd. Shpresoj ta degjojnë edhe ata që do ta shfletojnë këtë libër…

Pas botimit në gjuhën italiane me titullin “I ricordi di un medico” Kimerik, 2020, sapo doli nga shtypi nën siglën e shtëpisë Botuese ADA me drejtor Roland Lushi, të cilin gjej rastin ta falënderoj për bashkëpunimin tonë të gjatë, libri i bazuar në shënimet e ditarit të babait tim “Kujtimet e një mjeku”…

 

Titulli i librit: KUJTIMET E NJË MJEKU

Autorë: Hasan Kurti – Irma Kurti

Redaktore: Lila Plasari

© 2021 Hasan Kurti –  Irma Kurti

 

Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Botimi i parë, 2021.

 

ISBN: 978-9928-326-76-8

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

Formati: 14x20cm

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, maj 2021

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Kurti, Hasan

Kujtimet e një mjeku / Hasan Kurti, Irma Kurti ;

red. Lila Plasari. – Tiranë : Ada, 2021

304 f. : me foto ; 20 cm.

ISBN 978-9928-326-76-8

I.Kurti, Irma

1.Letërsia shqipe   2.Ditarë   3.Kujtime

821.18 -94​

 

Parathënie

 

Si mund ta dija, atë natë dimri të 2013-s, kur babai më dha ditarin me shënime nga jeta e tij, se sa shumë do i kthehesha e rikthehesha për ta lexuar nëpër vite!

Në atë çast e lashë në studio, me shpresën se një ditë do të më frymëzonte për të shkruar një libër.

Për disa javë pas atij episodi, ne të dy biseduam për ditarin. E di që priste e dëshironte që unë të shkruaja diçka bazuar mbi ata rreshta, të ndërtoja një personazh, që do të përshkruante rrugëtimin e tij gjatë e të trazuar për të realizuar ëndrrat. Ishte një përvojë që do të donte ta ndante me të tjerët. Por unë ngurroja. Nuk dija nga t’ia filloja. Përpiqesha të përfytyroja tipin e lexuesit që, duke e mbajtur në duar, do ta kishte të pëlqyeshme këtë vepër dhe dyshimet ishin të shumta.

Në shkurt të 2014-s, kur babai pësoi një iktus, që e pamundësoi prej asaj që na lidhte më tepër së bashku, fjala, unë u ndjeva e vetme, e zemëruar dhe e tradhtuar nga jeta. Nuk mund të bisedoja më me të vetmin person që dinte të më dëgjonte dhe të më jepte këshilla të vlefshme. Nuk mund të ndaja më me të projektet e mia letrare për të tashmen dhe të ardhmen…

Atëherë, vëmendjen dhe mendimet i ktheva te ditari, i cili nuk përfaqësonte më fragmente të jetës së babait tim, por një thesar të paçmuar. Kështu fillova të shkruaj romanin “Në mungesë të fjalëve”, të cilin e përfundova brenda tetë muajve. Libri u botua më 2015 në shqip, me titullin “Njeriu që fliste me pemët” dhe dy vjet më vonë në gjuhën italiane, nga shtëpia botuese “Kimerik”.

Shkruaja dhe qaja, ndërsa babai ishte shtrirë në një shtrat spitali, duke luftuar për të mbijetuar, veçanërisht për mua. Ndoshta lutjet e mia, ose me siguri forca e vullnetit të tij, e mbajtën në jetë, pavarësisht parashikimeve të zymta të mjekëve. Në katër vjetët që pasuan, ai mbeti ende shoku im më i mirë. Gëzimi im më i madh ishte t’i lexoja çdo ditë pjesë nga faqet e romanit kushtuar atij.

Kur im atë u largua përgjithmonë, më 19 prill 2018, boshllëku ishte i paplotësueshëm. Kërkoja të kisha në çdo mënyrë një kontakt me të, me praninë e tij, me imazhin e tij. Duke rrëmuar nëpër gjërat e tij, gjeta disa blloqe me shënime për udhëtimet në Itali, për nënën time, për vizitat e saj në spital, për jetën e tyre të përditshme. E përfshirë në këtë atmosferë dashurie dhe malli, më lindi ideja për t’i mbledhur, duke ia shtuar ato ditarit që tashmë kisha në duar. Do t’i botoja ashtu siç ishin, në vetën e parë.

Ky libër më ka bërë shoqëri gjatë muajve të vështirë të izolimit prej pandemisë. Ai u bë ëndrra që më mbante zgjuar dhe të kthjellët. Për orë të tëra e gjeja veten të emocionuar dhe të shkëputur nga realiteti, ndërsa përpiqesha të deshifroja rreshtat e shkruar prej babait, t’i përpunoja dhe të gjeja mënyrën më të mirë për t’ia përçuar lexuesit. Në atë periudhë, me presionin dhe terrorin që ushtronin mbi ne kanalet televizive e mediat italiane, kur gjithçka dukej të kishte dalë jashtë kontrollit, e vetmja gjë që ndieja ishte një farë shqetësimi dhe frike se mund të mos e mbaroja dot këtë projekt.

Kujtimet e një mjeku është dëshmia e tim eti. Në këto faqe zbulohen vullneti e këmbëngulja, kuraja e tij për të jetuar jetën dhe për të buzëqeshur, me gjithë vështirësitë e panumërta.

Në çdo faqe, në çdo rresht e fjalë unë kam dëgjuar zërin e tij. Shpresoj ta dëgjoni edhe ju!

 

Irma Kurti