Kete fundjavë shtëpia botuese ADA sjell per lexuesit, librin
KANUNI I LEK DUKAGJINIT
SHTJEFËN GJEÇOVI
Me parathënie nga Prof. Dr. ANTON NIKË BERISHA
Pasthënie nga (HAMDI) ERJON MUÇA
ISBN: 978-9928-362-01-8
Formati : 14x20cm
Financoi librin Z.Edmond Dauti dhe Kejsi Dauti
© i këtij botimi Edmond Dauti
Cel: 068 40 999 60
Përgatiti për botim: Roland Lushi
Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, tetor 2021
Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese ADA
CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Gjeçovi, Shtjefën
Kanuni i Lek Dukagjinit / Shtjefën Gjeçovi ; parath. Anton Nikë Berisha.
– Tiranë : Ada, 2021
272 f. ; 20 cm.
ISBN 978-9928-362-01-8
1.Etnologjia 2.E drejta zakonore
3.Kanuni i Lekë Dukagjinit 4.Shqipëri
39(=18) :340.141
Po publikojmë një pjesë nga Parathënia e këtij libri
KANUNI – DËSHMI E QENËSISHME E LIGJËSIVE TË LASHTA TË JETESËS SË NJERIUT TONË
“A ka ligjë ma të vjetra n’Europë se kanunin e maleve t’ona? Si lexove ato ligjet e para të njerzimit të Bibljes, si ato të dymdhetë drrasave të romakëve të herëshme ase ai kanunin e të parëve të Germanve, kerkund së ké me gjetë moterzime aq të gjalla e shprehë ma klasikisht, sa nder ato sprehjet e shkurtuna mijvjeçare të kanunit të maleve t’ona. Sikurse në gjuhë e ndër prrallat e katallajve njashtu edhe në doke e në kanune shqyptari i maleve ruejti tharmin e vet indoeuropjan. Thanjet e kthiellta të kanunit, të gjith sa lakolike aq kuptimplote, lmue neper rrymen e shekujvet ma fort se ato vallet e ktij popullit mijvjeçar, i mblonnjimsheftësi arkaike, shpesh krejt të pakuptueshme prej atij qi nuk leu e s’u rrit në ketbotkuptim të maleve t’ona .”
ATË BERNARDIN PALAJ
Trashëgimia gojore: kohët e gjallimit dhe koha e shënimit
Kurdo dhe në çfarëdo mënyre të flitet për trashëgiminë kulturore shpirtërore të një populli ose të popujve të ndryshëm, bartur gojarisht nëpër kohë, duhet të kihen parasysh, pos të tjerash, tri dukuri të rëndësishme: koha ose kohët e gjallimit (ekzistimit) të dukurive, koha e njohjes – e shënimit të tyre në formën e shkruar dhe fakti se ato nuk studiohen që të bëhen sot pjesë të jetës së përditshme, pa marrë parasysh rëndësinë e tyre, por që të njihen si pjesë e trashëgimisë që përligjin qenësinë dhe pasurinë kulturore dhe shpirtërore të popullit që i ka përdorur, aftësinë e individëve që i kanë përftuar ose i kanë bartur prej një brezi tek tjetri, duke i përshtatur sipas rrethanave dhe kushteve të jetesës. Së këndejmi, edhe veprat letrare poetike të së kaluarës së largët, fjala, “Epin e Gilgameshit”, “Iliadën”, “Vedat” etj., nuk i lexojmë për arsye se ato dëshmojnë botëkuptimin tonë e të kohës sonë, po për artin e tyre që kushtëzuan pasurimin shpirtëror dhe artistik. Në këtë rrjedhë duhet parë edhe Kanunin e Lekë Dukagjinit, për të cilin bëhet fjalë në këtë parathënie, po dhe motërzimet (variantet), që janë bërë të njohura ose mund të zbulohen e të botohen.
Njeriu merret me studimin – njohjen e trashëgimisë kulturore, letrare dhe shpirtërore për arsye se, si thoshte Gadamer, “Tradita nuk është vetëm një shumë mendimesh e gjykimesh të njëpasnjëshme, po një e treta organike e potenciale, e cila aktualizohet e riaktualizohet në mënyrë të domosdoshme në çdo gjykim të ri ” ose, siç theksonte Tommaseo, “Një popull që nuk e njeh kohën e kaluar është fëmijë ose i pamend. Një popull që e përbuz është i bjerrë ”.
Është fakt i pamohueshëm se dukuritë e tilla, të pranishme në Kanunin e maleve, Kanunin e Lekë Dukagjinitsi dhe në kanunet e tjera të traditës shqiptare, janë të ndërlikuara dhe kanë në vete shtesa të ndryshme të kohëve dhe të rrethanave nëpër të cilat kaluan dhe ndryshuan. Meqenëse, disa shtresa të këtyre dukurive zbresin në thellësi të kohëve të largëta, për to nuk do të mund të thuhet asnjëherë mendim i prerë, siç ngjet edhe me mitet, që dikur bënë jetë gjallërike, po me kohë u zbehën dhe u zhdukën, siç ndodhi edhe me këngët tona kreshnike, të cilat në shtresat e lashta të tyre shqiptojnë dukuri të një bote të lashtë, që kryesisht lidhet me matriarkatin .
Me një fjalë, e vërteta e mirëfilltë për përcaktimin e kohës së lindjes së varianteve të para të kanuneve, duhet parë si përcaktim të arketipit (formës së parë) të krijimeve të letërsisë gojore, që na vinë nga lashtësia, që mbetet e pa mbërrishme .
Shkasi i parë ose ndërliqësia e njohjes së varianteve
Nga çasti kur njeriu u bë i vetëdijshëm për veten dhe për veprimin e vet dhe meqenëse jetoi në bashkësi vëllazërore ose fisnore, krahas këngës dhe rrëfimit, ai synoi t’i përcaktojë edhe rregullat e sjelljes, në të cilat do të mbështetej jeta e të lehtësohej mënyra e veprimit të përditshëm.
S’do mend se këto rregulla në fillim ishin të thjeshta e të kufizuara, po me kohë, ato u zhvilluan dhe u pasuruan dhe në forma të zvogëluara ose të gjurmëve, disa mbërritën dhe në kohën tonë.
Variantet e para të Kanunit të maleve tek arbërorët – shqiptarët duhet të jenë padyshim të lashtë sa edhe vetë populli që i përftoi dhe i përdori, edhe pse ato u shënuan shumë vonë në krahasim me lindjen e tyre.
Të dhënat e para të shkruara rreth traditës zakonore u botuan në revistën “Albania” të Faik Konicës, nga Lazër Mjeda e Nikollë Ashta . Kur vështrohet Kanuni i Lekë Dukagjinit duhet kujtuar se asgjë s’ka lindur rastësisht dhe se dukuritë janë të lidhura mes tyre më shumë sesa mendojmë ne. Njëri ndër filozofët e parë të Greqisë së lashtë, Talesi i Miletit (rreh vitit 626 deri 546 para Krishtit) thoshte: “[…] në qoftë se një gjë ka dalë gjithmonë nga një tjetër, pa tjetër se ka një shkak të parë në zanafillën e lindjes së çdo gjëje ”.
Pikërisht duke e pasur parasysh këtë të dhënë, rrjedha e dukurive dhe njohja e tyre, pra edhe rrjedha dhe njohja e varianteve të Kanunit të maleve dhe e varianteve të mëvonshme si Kanuni i Lekë Dukagjinit, Kanuni i Skanderbegut, Kanuni i Bendës etj., ose disa dhe më të veçantë – Kanuni (sulli) i tëbaneve (i kullotave në bjeshkë) , është e ndërliqshme, për të mos thënë se është e gjykuar të mos zgjidhet asnjëherë përfundimisht. Ndodh kështu nga fakti se Kanuni i Lekë Dulagjinit, siç thekson Fishta në parathënien e botimit të parë (Shkodër më 1933):“Metaforikisht shënjon shtillin e ligjvetgojdhanse e të pakodifikueme, mbas të cillavethecte dikur hullija e jetës e veprimit të popullit shqiptar ”.
Në Librin e të vdekurve dëshmohen rregulla të ngjashme: Toti, prijësi i qiellit, i tokës dhe i nëntokës, krijuesi i jetës dhe i të gjitha kombeve, thotë: “I dhashë frymë (ajër) atij që qe në vendin e fshehtë me anë të fuqisë së fjalëve magjike të ligjërimit tim, dhe Ozirisi ngadhënjeu mbi armiqtë ”. Po kështu, te Epi i Gilgameshit dëshmohet riti i vajtimit: Gilgameshi e vajton gjashtë ditë e gjashtë net Enkidunë, traditë që zbatohej në jetën e përditshme, siç ngjet dhe me besimin që mund ta parashenjojë ëndrra (që dhe ngjet më vonë) . Në këtë rrjedhë, gjëmat (gjâmtë) në traditën e malësorëve shqiptarë, që bëhen pranë arkivolit të të vdekurit, kanë mbërritur në disa forma edhe në ditët tona …