Në këtë prag PANAIRI I LIBRIT 2021  vijnë Botimet më të fundit nga shtëpia botuese ADA.

 

Shkëlqimi dhe mjerimi i gjeniut

 

Autor: (Hamdi) Erjon Muça

 

Redaktor & Korrektor: Roland Lushi

 

Botimi i parë: 2021

 

ISBN: 978-9928-362-06-3

Formati : 14x20cm

 

Të gjitha të drejtat i takojnë autorit

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

 

Tiranë, nëntor 2021

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese ADA

 

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Muça, Erjon

Shkëlqimi dhe mjerimi i gjeniut :

hyrje në studim / Erjon Muça ;

red. Roland Lushi.

– Tiranë : Ada, 2021

108 f. ; 20 cm.

ISBN 978-9928-362-06-3

1.Letërsia shqipe   2.Kritika, interpretimi   3.Migjeni

821.18 .09

 

Në vend të fjalës hyrëse

 

Nisjen e këtij punimi nuk e pata të lehtë. Vendosa të shkruaj për Migjenin vetëm pas leximit për herë të katërt të përmbledhjes së hartuar nga Moikom Zeqo me parathënie nga Ismail Kadare.

Në fakt, pas rënies së diktaturës, Migjenin e anashkalova paksa, duke u hedhur në zbulimin e kufijve të rinj të Letërsisë. Fajtor për këtë neglizhencë nuk jam vetëm unë, është edhe tejngopia e teksteve të letërsiës së Shkollave Tetëvjeçare me punime të Migjenit, që më shtynë në gjykimin për keq të gjeniut të Letrave Shqipe.

Ka pasur një perceptim të gabuar përsa i përket figurës së Migjenit. Në periudhën e Diktaturës, kush më shumë e kush më pak, një pjesë e atyre që janë marrë me të janë munduar ta përcjellin si një njeri me bindje komuniste.

Ky punim ka për qëllim, jo vetëm një riinterpretim të ri sipas këndvështrimit të brezit tim, por edhe shkundjen e pluhurit të ideologjive të paqena nga tregimet, novelat  dhe poezitë e gjeniut tonë.

Marrja në dorë edhe një herë pas kaq e kaq vitesh të vëllimit me punë të përzgjedhura të Migjenit, u bë miku im (në mos eruditi i pashoq) jo vetëm i Botës Shqiptare, shkrimtari i margjinalizuar dhe i pakuptuar, Moikom Zeqo.

Në një bisedë miqsh unë i thashë se do merresha me aksh shkritmar të madh të Botës sonë e ai, duke buzëqeshur më tha:

-Mos u merr me të se nuk ke për të gjetur asgjë të veçantë. Merru me Migjenin dhe ke për të parë se do të përballesh me pafundësinë.

– Ja mendova unë duke gjykuar mikun tim,- nuk mund t’i anashkalojë bindjet e veta politike as në Art.

Moikom Zeqo është me bindje Të Majta, kurse unë me bindje Të Djathta, por kjo nuk na pengon të jemi miq. Mes nesh mbisundon toleranca: për mua është forca që ve në lëvizje pafundësinë.

Nuk e ndoqa këshillën e miku tim; u mora me shkrimtarin që kisha vendosur të merresha. Migjenin e lexova vetëm atëherë kur e ndjeva më të përshtatëshme për t’iu përkushtuar plotësisht, qetësisht, me paramendim, për të hedhur poshtë konstatimin e Moikom Zeqos.

Nuk po zgjatem më tepër: Ky punim tregon mirëfilli se, jo vetëm që nuk arrita të hedh poshtë hipotezën e mikut tim, po u shtyva edhe më tej. Pas një seri hulumtimesh, arrita në këtë përfundim.

Për Migjenin ka mjaft punime dhe studime. Për të ka shkruar i madhi Kadare, një shkrim me titull “Migjeni Uragani i Ndërprerë”, titull që nxiti më tepër këtë sprovë timen. Mokiom Zeqo është marrë më tepër se seriozisht me gjeniun Migjen. Arshi Pipa ka tri ese mjaft interesante dhe të punuar me mjaft përkushtim për të; madje edhe miku im profesor Anton Nikë Berisha ka një shkrim mjaft dinjitoz për Migjenin. Këta intelektualë të nderuar që sipër-përmënda janë vetëm një pjesë e vogël e atyre që gjatë këtyre viteve janë marrë me figurën enigmatike, gjeniale të Migjenit. E, megjithëatë, medoj se për Migjenin duhet të vazhdojmë të shkruajmë, ta studiojmë; pasi, sado të shkruajmë, nuk mjafton; për më shumë, ata që janë marrë me Migjenin nuk i përkasin brezit tim.

Ndofta gabohem dhe uroj të jetë kështu, por duket sikur brezi ynë e ka lënë pak në harresë figurën dhe punën e paçmueshme të Migjenit: Se mos vetëm…

Kjo sprovë nuk ka interes, apo synim, të hedhë poshtë sa është shkruar dhe studiuar për Migjenin, por  tenton t’i japë rrugë mundësive të reja të vështrimit të Migjenit sipas këndëvështrimit të brezit të Mijëvjeçarit të Tretë. Askush nuk duhet t’i marrë si mendjemadhësi, apo mungesë respekti  ndaj figurave të ndritura që janë marrë para meje me Migjenin, ndonjë “kritikë”, apo edhe kundërshti timen, ndaj disa interpretimeve të mëparshme.

I përkas Brezit të Ri, lindur në periudhën e Diktarurës dhe hedhur në liri pasi kalova disa vite fëmijërie mbyllur në kafaz. Ndaj dhe këndvështrimi im është paksa ndryshe.

Punimi i parë që kam lexuar për Migjenin ishte titulli i Kadaresë; çka më goditi ishte titulli dhe jo shkrimi, megjithëse edhe për të kam disa rezerva.

Metafora që ka përdorur i madhi Kadare është tejet e fuqishme. Ka në brendësi dhunën, shkatërrimin dhe forcën e Natyrës; ka atë përjetim dhune që duhet të mbartë një metaforë, por, sipas mendimit tim, është e papërshtatëshme për figurën e Migjenit.

Uraganet janë dukuri natyrore ciklike. Ndodhin regullisht në të njëjtën periudhë, formohen nga të njëjtat kushte atmosferike dhe forca e tyre kushtëzohet nga luhatjet e njërës apo tjetrës forcë në përplasje. Uraganët janë dukuri të fuqishme që mbjellin vetëm shkatërrim, ndërsa Arti  nuk mund të jetë kurrë forcë shkatërruese. Të gjitha artet janë burime drite që mundohen t’i ndriçojnë rrugën njeriut.

Thashë më lart se uraganët janë dukuri ciklike dhe sipas këtij arsyetimi, i bie të përsëriten. Fatkeqësisht për ne Migjeni është një dhe ende, të paktën kombi ynë nuk  ka  të dytë.  “Uraganë” ( nuk dua të kundërshtoj veten time dhe po e përdor këtë emërtim vetëm si personifikim të ciklizmit), pas Migjenit, kombi ynë ka nxjerrë mjaft. Madje edhe meteorë, por jo një yll me përmasat e Migjenit.

Pra, për mua Migjeni nuk është uragan, por yll. Nuk është dukuri natyrore, tokësore,  por event madhështor universal që lind nga përzierje kaotike, ende të mistershme për botëkuptimin tonë në statin e evoulimit në të cilin ndodhemi: rrallëherë i përsëritshëm.