Titulli: Gjysma ime

Autore: Erinda Medolli

Redaktor letrar: Dr. Eris Rusi

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

Formati: 12.5x20cm

 

Të gjitha të drejtat i takojnë autores

 

Shtëpia botuese “ADA”

 

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, mars 2022

 

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese ADA

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Medolli, Erinda

Gjysma ime : poezi / Erinda Medolli ;

red. Eris Rusi. – Tiranë : Ada, 2022

92 f. ; 20 cm.

ISBN 978-9928-362-26-1

1.Letërsia shqipe         2.Poezia

821.18 -1

 

PARATHËNIE

 

Mendoni pak një libër të tërë që frymon dashuri, ku në çdo faqe mund të gjesh pëshpërimat e ëmbla, përqafimet, fjalët që duan të thotë shumë, por mbeten në buzë, pa çelur, dhe vështrimet përvjedhur që rrëmbejnë gjithë botën në një shikim!

Një tekst i plotë ku çdo poezi është një përkushtim, ku ritmi, figurat, ndalesat, të nxjerrin përpara trajtat e njeriut të dashur, që i jep kuptim qiellit dhe tokës, si shenjtërim.

Një përmbledhje me poezi, ku çdo përjetim i drejtohet gjysmës tjetër, që plotëson dhe i jep ekuilibër ekzistencës në botë!

E tillë është përmbledhja e re me poezi “Gjysma ime”, e krijueses Erinda Medolli. Në librin e saj të tretë, autorja vjen këtë herë me një energji ku gjithçka rrotullohet përqark dashurisë, e forma më e mirë për t’u ndjerë e lumtur është t’i mbushësh me dritë vargjet, si mundësi e çmuar komunikimi edhe me njeriun që do. Me këtë frymë, poezitë vijnë si një përkushtim i ngrohtë për lexuesin, sepse letërsia është ndërmjetësja më e mirë për  afrimin shpirtëror të njerëzve.

Duke u ndalur tek poezitë e këtij vëllimi, ndjesia që përftohet si lexues është se kemi përpara një krijuese të përkushtuar e të dhënë pas krijimit. Akti letrar tek Erinda është një nevojë për t’i dhënë një përkufizim të veçantë botës që ushqehet nga dashuria. Duket sikur në këto krijime i gjithë fiziku i krijueses mendon, lëviz, ëndërron, gëzohet mediton, ndriçohet; sikur mendimi është një domosdoshmëri për ta quajtur ekzistencën të veshur me një dritë të re, të mbështjellë nga shpirtërorja që e bën më të lumtur çastin e takimit me atë që dashuron. Hapësirat poetike, reflektimet ndjesitë, janë një lloj shtyse për ta bërë më të lehtë dhe më të bukur përfytyrimin që lexuesi duhet të ketë rreth botës së vogël të madhe ku të gjithë e kërkojmë dhe i besojmë dashurisë, mes rrahjeve të zemrës dhe ndjenjave fine e plot shpresë.

Por, nëse në shumë autorë që kanë shkruar në këtë periudhë aspak të lehtë për të gjithë, mund të ndeshet një zymti e pezimizëm, i kohës, në këtë rast ne jemi përballë një befasie të bukur.

Çfarë e shtyn poeten të ketë këtë lloj shtyse, kur pjesa tjetër e njerëzve ngjan të jetë e mbyllur dhe e izoluar në frikën e përditshmërisë?

Përgjigjja e vetme që më vinte në mendje, ishte se: Sa kohë që jemi në heshtje, jemi një; kur nisim të flasim, bëhemi dy!

Dhe në librin “Gjysma ime” lexuesi mund të gjejë një pjesë të vetes, mund të thotë që dallon përjetime të ngjashme me ato që ka provuar dhe vetë së brendshmi, e kupton mirë që këto rrugë të paqarta e misterioze të letërsisë, janë rrugët ku ne hedhim hapa që ushqehen nga emocioni dhe meditimi, ku koha, pritja, tjetri, lëvizin dhe i japin kuptim ekzistencës sonë:

 

VENDOSA TË SHKRUAJ PËR DASHURINË

 

Vendosa të shkruaj për dashurinë,

Por s’dija të shkruaja asgjë,

Nuk e kisha njohur asnjëherë,

Sa doja të takohesha me të!

 

Gjithkund e pata kërkuar,

Nëpër netët pafjetur,

Në mëngjeset zbardhur pa ëndrra,

Dhe përpara pasqyrës së heshtur!

 

 

E prisja ta shihja në ditë me diell,

E kërkova dhe mes yjesh në qiell,

Në dritare në ditë me shi,

Po kudo gjeja vetmi!

 

Tani që bashkë jemi bashkuar,

Të lumtur në jetë u bëmë një,

Për mua në gjithë këtë botë,

Zoti dashurisë i dha zë!

 

Këtu, e gjithë kjo sugjerohet edhe nga imazhe të mbetura pezull, që na kërkojnë ne si lexues që të vihemi në provë, të mos lexojmë tekstin vetëm nga pjesa e atij që e ka shkruar, por të bëhemi njësh me faqen e letrës. Lexuesi mund të përjetojë që poezitë kanë një trajtë të tyren që i bën të papërsëritshme. Përfytyrimet që krijohen pas çdo leximi janë nga më të shumëllojshmet, e ajo që bie në sy është kujdesi ndaj fjalës, përkushtimi për t’i dhënë një veshje metaforike mendimit, për ta përkulur ndjenjën brenda vargut që kthehet në muzikë, në çlirim, në poezi.

 

Unë, Parajsa që gjete kësaj bote,

Eja tek unë, kërko qetësinë,

Bëhu qielli im …e unë toka jote.

Nën hijen tënde të gjej lumturinë!

Bëhu flatra për mua, që të fluturoj.

Nëse më jep dashuri, ndriçohem,

I ëmbli im, me ty të jem në botë,

Vetëm kur të kam pranë, plotësohem!

 

Në këto vargje dashuria është gjithçka,  simbolika e largimit sfidohet nga këmbëngulja për të zbuluar dhe për t’i shkuar deri në fund fatit të jetës, i cili shpesh ndodh të jetë vetmi, harresë, trishtim.

Tematika e përmbledhjes poetike në përgjithësi ngjan të jetë  edhe një sfidë ndaj vetmisë, ndaj gjithkujt e gjithçkaje që kërkon të futë acarin në shpirt dhe të krijojë largësi mes nesh dhe botës. Poezitë janë të lidhura dhe krijuesja del në shumësinë e zërave të saj dhe i gjithë libri duket si një zemër nga dalin tinguj, të cilët ndezin jetën dhe e bëjnë atë të ngjajë e papërsëritshme, e bukur dhe plot kuptim.

 

Eris RUSI

 

Kryetar i Klubit të shkrimtarëve “Bota e Re”

Korçë