Titulli: XHEPAT E NDËRGJEGJES

(Poezi-Satirë-Fabul)

-Autore: Dava Nikolli

-Redaktore & korrektore: Vjollca Shurdha

-Kopertina Helena Mehuka

-NB/.Redaktimi e korrektimi i këtij libri është bërë në bazë të liçencës poetike.

Botimi i parë: 2022

ISBN: 978-9928-362-00-0

Formati : 14x20cm

Të gjitha të drejtat i takojnë autores

Përgatiti për botim: Roland Lushi

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, prill 2022

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese ADA

 

Parathënia:

Xhepat e ndërgjegjes

Mbas një kohë shkëputjeje jo për mungesë muze (autorja Dava NikollI është një gurrë e pashterrshme) por për të reflektuar thellë. Pikërisht mbi çka po ndodh në shoqërinë tonë vjen para lexuesit me vëllimin Xhepat e Ndërgjegjes, në të cilin: ”Sot, xhepat e ndërgjegjes fajsoj,/është fshehur brenda tyre një botë./E mira dhe e keqja, si dy nocione,/n’kurriz’ t’pafajsisë bëjnë spekullime./Argumentave u ndërrojnë pozicione…/me vetdije, varrosin gjithçka sublime! /Xhepat e ndërgjegjes, kohës ia lashë, /ajo të jetë gjykatësja e tyre përjetë.

Një vëllim bashkëkohor që na paraqet qartësisht sesi në dy binarët e situatës 1-Politiko -përgjegjësor: 2 -Humanitet-ndërgjegjësor “treni“ (shoqëri) fillon të ngecë prej ndryshkut që në pikënisje. Vëzhgon poetja gjatë “udhëtimit“ dhe…“Në vagon të fundit, në tren të kohës,/hapa një dritare të vogël sa për dritë./Në çdo stacion i lë mesazh botës…/të zhdukë atë errësirë që ka në shpirt” dhe e mbyll me“/Kjo botë moderne që po falimenton”

Pasqyron në mënyrë të jashtëzakonshme gjendjen aktuale e duke lënguar në shpirt shprehet ”Vetja ime, është shtrati ku dergjem,/është hija ime shurdhëmemece. Pasqyrë e thyer, ku nga pak tretem…/refren i pa kënduar i kohës fatkeqe! I kësaj kohe mjerane ku në kërkim të një lirie të paidentifikuar vrapon drejt së panjohurës ku në poezi gjejmë… “me fjalën liri” shalova trurin e krisur! /Në kërkim të lirisë vrapova shumë, /në vend të engjëjve, veç djaj takova. /M’u desh të mësohesha me ta edhe unë: /Rrëzohu, ngrihu, kështu vazhdova!… Për lirinë u sakrifikua

gjithçka”…dhe dëshpërimisht e përfundon poezinë me vargun, “ende s’e kam kuptuar; për cilën dëshirë?.” Nga struktura letrare e vëllimit e deri tek fjalët që autorja përdor, përbëjnë një vepër cilësore. Pavarësisht nga fakti që poezia në vetëvete në ditët e sotme është shpesh e margjinalizuar, veprat poetike të autores Dava Nikolli janë shumë të gjalla e nuk bien kurrë në banalitet. Teknologjikisht jemi gjithmonë në avanguardia përsa i përket komunikimit të shpejtë por po humbim fjalën e shkruar. Po e shndërrojmë e zëvendësojmë atë në GIF, figura e në emoji, duke retrograduar njeriun në troglodita përsa i përket kulturës gjuhësore. Fjala po humb kuptimin e forcën, ndaj poetja shtrëngon fort penën si armë për ta mbajtur lart e mbrojtur atë. Po ashtu edhe për poezinë, për të mos ju dorëzuar varfërimit, vulgaritetit të gjuhës e hipokrizisë së përdorur tashmë pothuajse kudo; në TESTAMENT I HIPOKRIZISË shkruan…

“Eh, kjo hipokrizia le testament përditë, /mërmëritjen nën gjuhë e lë si të parë./ Çoroditjen e saj e vë në vend të dytë… /pastaj lehje çakejsh, për njerëz të marrë! /Hipokrizia lë hijen e zezë kudo që shkel, /Godet pa mëshirë njerëzit me nivel /o ç’specje e pështirë, me vjen ta mëshiroj! /Kam vendosur, fytyrën tënde botës t’ia lexoj.”

Sidoqoftë, poetja vuan për disa paradokse dhe klishe që janë të vështira për t’u minuar, sidomos kur kemi të bëjmë me paradigmën e një shoqërie në të cilën pothuajse të gjithë shprehen me bindjen dhe “dijen” internetike në çdo lëmi, madje edhe shkencëtare të improvizuar në gjëra që nuk i dinë. Gjithsesi pothuajse askush nuk ka më kohë reale, as dëshirë për të dëgjuar të tjerët e hedhë dritë në drejtim të arsyes. Në këtë mjegullnajë, ndryshim global, kombit i nevojiten njerëz të mençur të cilët të munden të hapin perdet e pakalueshme e të bëjnë çmos që shteti të garantojë vullnetin për të krijuar forma të reja të pushtetit politik. Arsyetimi im evolutiv e për evolvere më çon këtu, por kemi të bëjmë edhe me faqen tjetër të medaljes ku

poetja shprehet logjikisht në mënyrë poetike: DRITËHUMBURIT!

“Dritëhumburit e politikës, /as fjalën e vet s’e përkthejnë dot! /S’ka krahë të majtë, as të djathtë s’ka…/janë të dy krahët njësoj, i vraftë i madhi Zot! /Dritëhumburit e politikës, /janë binjakët e së keqes, pasqyrë e thyer. /Janë plaga kanceroze e vendit të shqiponjave,/ “baballarët e kombit” për komb rrëmbyer!”

Meqënëse si në realitet ashtu dhe në tekstin e këtij vëllimi “Ndërgjegja e njeriut ka plot xhepa. ”poetja vazhdon të hyjë nëpër xhepa të ndryshëm ndërgjegjeje herë pas here dhe në mënyrë satirike si tek :

AI “REDAKTORI” /“Ai; krejt shkronjat e mia m’i përpushi! /M’i sakatoi e la fjalët pa gjymtyrë. /Përdreq m’u rreklamua si dikushi… /po, po ai “redaktori” i pafytyrë!”

Dhe vazhdon duke e mbyllur poezinë:

“/Me sqep, me thonj e mbrojta fjalën. /Sot, ajo fluturon lart si sokoleshë. /Fjala ime këtij “famozi” ia heq dhëmballën, /veten e mbron kjo trimëreshë! /Nuk e ditkërka ky lloj “redaktori”? /Kur i lindën atij djajtë, të mitë kishin marrë fushën.”

Shfletojmë faqet e vëllimit e gjejmë xhepa të mbyllur me ndërgjegjen që përpëlitet e ngujuar brënda, xhepa të arnuar nga ndërgjegjia e dehur e njerëzve të shtirur esëll, kamuflime deri në mohim edhe të vetvetes ndaj çuditërisht autorja shkruan e pyet:

“Ç’specje është kjo? /Që ka humbur veten e krejt vlerat. /Mundohet që të kamuflojë po vetë ajo… /por në fytyrë i lexohen krejt antivlerat!

Lexojmë herë në mënyrë satirike e herë serioze për pabesira, për femra spiune, për tradhëtira…e çfarë nuk lexojmë në këtë vëllim të vlefshëm, reflektues e meditues! Ndeshim edhe poezi ku vete poetja “grindet” mendimesh, i tjerr ato, dhe duke u autokritikuar na paraqet një skenar të kristaltë:…”Shpesh’herë grindem mendimesh… /Mundohem ta tjerr kohën hollë, të mos ia le fillit të horizontit asnjë nyje. /As fundin s’e dua të shtrirë si bollë… /por një qiell të mbushur plot me yje!

Tjerr e shosh poetja të sajat mendime duke i kaluar në sitën e kohës ku “/Si krundet mbesin në fund, të gjitha fobit, /që sot, një e nga një vet i ndëshkoj”

Nuk lë pas dore poetja në këtë vëllim as temat djegëse si emigrimi, kjo plagë e pashërueshme, keqtrajtimi e dhuna në familje, urrejtja në shoqëri që ka marrë dhenë, ndaj me keqardhje shkruan: “Të gjithë e dimë se ç’është urrejtja! /Por asnjëherë s’u bëmë në shpirt miqësorë. /Jo vetëm me njerëzit rreth, por as me veten! /Prandaj urrejtjes i kemi vënë kurorë!

Gjatë jetës më ka ndodhur shpesh të shoh e konstatoj të triumfojë budallallëku e arroganca e injorantëve. Kam arritur në konkluzionin (simbas mendimit tim) që nuk është vetëm inteligjenca e burrave që shpëton e ndryshon botën, as bukuria dhe fatkeqësisht as poezia nëqoftëse nuk i bashkohet forcës së gruas. Botën e shpëtojnë dhe e ndryshojnë gratë inteligjente, kurajoze, të guximshme e të përkushtuara si poetja Dava Nikolli. Mjerisht inteligjenca shpesh vihet në tallje dhe e vërteta varroset, ndërsa e kundërta qëndron mbi fron. Të paktën të kenë ndërgjegjësimin që ai fron është i përbërë prej druri, pamvarësisht…ndaj ndonjëherë duhet zbritur nga piedestali ku dikush vetëngrihet për të shpluhurosur fronin! Në pandërgjegjshmërinë e pjesës më të madhe të shoqërisë ku jetojmë përkufizimi është ky: Heronjtë e vërtetë heshtin, ndërsa asgjëja çirret e bërtet në katër erëra duke iu vetkënaqur katërcipërisht kotësisë! Për këtë arsye një poezi autorja e titullon -Pa Titull- sepse;

“Këtu në tokë, engjëlli dhe djalli, /kanë veshur të njëjtën këmishë. /I tërheqin njerëzit zvarrë për së gjalli, /pastaj predikojnë gjuhë perëndish! /Botë që përtyp vetveten përditë.”

Dhe ndërsa bota përtyp vetveten edhe vetë jeta për dikë është e pamëshirshme dhe në “shpërblim” e padrejtë;

”Ah jetë o jetë, moj shpirtkatile! /Më dërgove përditë buzë humnerës. /Më joshe më provokove gjithë hile…/një nga një m’i

thave lulet e verës. /Ç’janë këto mbrëmje pa ngjyrë? /Që ma fikën flakën e ndezur në gji. /Dritën e diellit kërkuan për të ma nxirë, /mua, që tërë jetën u fala veç dashuri!”

Nuk lë mënjanë poetja në këtë vëllim si dhe çdo herë thirrjen që i bën kolegëve të saj poetë mos t’i thyen e përulen asnjë ngjyre politike. Të mbajnë gjithmonë neutralitetin partiak e të qëndrojnë në gjithësinë njerëzore:

“U grindën mendimet e mia aq fort! /Sa të dilnin jashtë forcërisht kërkonin. /U mundova t’i ndaloj e s’i ndalova dot… /të acaruara nisen të më qortonin! /Sa herë klasën politike sulmova, /në postën time gjeja një letër!…

Dhe e përfundon poezinë me : /Sot mendimet s’i them me zë të lartë, /i rrotulloj dalngadalë nëpër kokë. /Politikës ia jap nga një shuplakë, /më duhet ta mbaj në ekuilibër kët’ botë!

Dalëngadalë e shfletova këtë vëllim, jo për përtaci mendore por për përkujdesje, përkushtim e meditim në çdo varg poezie! Duke shpresuar në një zgjim të ri njerëzor, në një ndërgjegjësim të një shoqërie të denjë sepse nuk dëshiroj kurrsesi të humbë vlerën më të çmuar NJERI…e mbyll me strofën e fundit të poezisë “Ndërgjegjen Time” “/Ndërgjegjen time e zgjova nga gjumi letargjik.

/Me Yllin e Dritës vazhdon tashmë udhën e nisur. /Me gishtat e saj shpuzit zjarrin poetik, them: S’ka kthim pas moj kokëkrisur!”

Vjollca Shurdha

Poete-Shkrimtare –Përkthyese !

Itali