Kur të shfletoni librin e saj do të provoni jo thjeshtë ndjenjën e kënaqësinë që të jep poezia, por do të përjetoni bukurinë shpirtërore të Ermirës, Botën e saj pranverore si një përjetësi hyjnore.

Në fund të librit do të gjeni epilogun memorial nga mikja jonë poete Mimoza Leskaj, e cila e sjell në këtë libër si qiri të ndezur me plot mall e dashuri për poeten e paharruar Ermira Zhuleku, memorium që të zgjon emocion mallëngjyes nga forca e talentit të saj.

 

 

Titulli: Përjetësi pranverore

 

Autore: Ermira Zhuleku (Zavalina)

 

Redaktor: Fatos LUTA

 

Botimi i parë: 2022

Formati : 14x20cm

 

Të gjitha të drejtat i takojnë familjes

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, prill 2022

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese ADA

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Zhuleku, Ermira

Përjetësi pranverore : poezi / Ermira

Zhuleku (Zavalina) ; red. Fatos Luta.

– Tiranë : Ada, 2022

128 f. ; 20 cm.

ISBN 978-9928-362-40-7

1.Letërsia shqipe         2.Poezia

821.18 -1

 

HYRJE

 

Poetja Ermira Zhuleku (Zavalina) lindi më 28 prill 1977 (Devoll, Korçë) dhe vdiq më 11 shtator 2021 (Nicë, Francë) nga një sëmundje e rëndë akute. Ajo iku nga kjo Botë pa u ndjerë, pa shqetësuar njeri, por me pengje për jetën e këputur në mes, duke lënë të pikëlluar vajzën që sapo hyri në jetën rinore, djalin e vogël që sapo kishte mbaruar shkollën fillore, bashkëshortin e saj të dashur që përjeton çdo ditë mungesën e asaj dashurie të madhe. Poetja iku nga kjo jetë shumë para kohe, iku pa shijuar kënaqësinë e librit të saj të parë, të cilin e kishte ëndërr shpirti e siç shprehet për vargjet:

 

Ata janë tinguj melodie, copëza shpirti,

edhe pse nuk përmbajnë filozofi!

 

Por ajo do mbetet e pavdekshme në kujtesën njerëzore dhe mes germave të zemrës që i pulsojnë përjetësi pranverore.

Koha moderne, ose siç thuhet koha dixhitale të jep privilegjin të gjendesh mes vargjeve të qindra e qindra poetëve e poeteve anembanë globit, të krijosh miqësi e shkëmbesh përvoja artistike, të marrësh e japësh eksperienca letrare dhe natyrisht të krijosh e kultivosh respektin reciprok njerëzor. Dhe në këtë mjedis virtual, në hapësirën e madhe fesbukjane u njohëm edhe me Ermirën përmes postimeve letrare, poezi e prozë. E lexonim dhe na lexonte. E komentonim e na komentonte. Një ditë më shkruan:

– Fatos, nga ty dua redaktimin e poezive për librin tim!

Natyrisht u ndjeva i privilegjuar, por ndjeva dhe peshën e përgjegjësisë të kaloja nëpër sy e mendje gjithë atë frymëzim të derdhur në vite. Poezitë e saj derdhen si ujët e kristaltë të burimit, vargje që mbartin thjeshtësi, jetë, pranverë, dashuri…dhe kur i rilexon sot në mungesë të saj rrënqethej nga emocioni.

Poetja korçare e brengosur larg Atdheut nuk i shpëton edhe vargut pesimist që të ndjellë mungesa e hapësirës piktoreske devollite, ku ajo u lind e u rrit:

 

T’më prehet shpirti në hapësirë,

lot e vaj s’dua, siç është adeti,

me muzikë më thoni lamtumirë,

e trëndafila, në shenjë respekti!

 

E me brengën e largësisë, siç i ndodhi rinisë shqiptare në udhëkryqin historik, ajo shkruan:

Merre frymën time dhe kthehu përsëri,

kjo largësia jote më copëton në shpirt.

Mos më lërë në ëndërrime, eja edhe ti,

o yll i bukur, kthema dëshirën në dritë!

 

Ermira jetonte me familjen e saj në qytetin piktoresk francez Nicë dhe hapësira e detit i ngjyente pendën në mallin e madh:

 

Si ky deti i madh dhe i thellë,

mallin dhe ndjenjën kam për ty,

sa herë rrezet e diellit largohen,

më shumë ma shtojnë mallin në sy.

 

Ajo shkruante e shkruante, siç ndodh me krijuesit për të shprehur botën që i zjente përbrenda:

 

Nëse më sheh duke shkruar,

dije, vargje po thur për ty!

Nëse më sheh duke ëndërruar,

dije, në ëndërr jemi të dy!

 

Ermira kishte pasion për të shkruar e ky pasioni ishte i lidhur me jetën e përditshme, i lidhur me gëzimin, me brengën, me njerëzit që donte, me estetikën, me kuzhinën që adhuronte, me detin, me lulet e natyrën pranverore dhe poetja librin e saj të jetës e kishte të lidhur me librin që ëndërronte të botonte:

 

Do ta shkruaj këtë libër,

se jeta ende s’ka mbaruar.

Do të rrëfej copëzat e shpirtit,

faqet e librit për t’i përfunduar.

 

Kur të shfletoni librin e saj do të provoni jo thjeshtë ndjenjën e kënaqësinë që të jep poezia, por do të përjetoni bukurinë shpirtërore të Ermirës, Botën e saj pranverore si një përjetësi hyjnore.

Në fund të librit do të gjeni epilogun memorial nga mikja jonë poete Mimoza Leskaj, e cila e sjell në këtë libër si qiri të ndezur me plot mall e dashuri për poeten e paharruar Ermira Zhuleku, memorium që të zgjon emocion mallëngjyes nga forca e talentit të saj.

 

Fatos Luta, 10/04/2022, Pavia, Itali.