… Endja nëpër shtigjet e kujtesës dhe përditshmërisë, vjen si një udhëtim poetik i veçantë deri në befje, në poezitë e autorit, në këtë kohë trazimesh dhe baticash të egra, ku duket se vetëm fjala ende nuk e ka humbur sharmin dhe magjinë e vet…

 

 

Titulli: Me piskamë shpërndaj retë…

Autor: Muhamet Nela

 

Botimi i parë, 2022

Tirazhi: 100 kopje

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

Formati : 14x20cm

 

Të gjitha të drejtat i takojnë autorit

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, korrik 2022

 

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese ADA

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

ela, Muhamet

Me piskamë shpërndaj retë… : poezi /

Muhamet Nela. – Tiranë : Ada, 2022

124 f. ; 20 cm.

ISBN 978-9928-362-58-2

1.Letërsia shqipe         2.Poezia

821.18 -1

 

 

PARATHËNIE

 

 

Poeti Muhamet NELA, vjen nga një botë dhimbje e trazimi të skajshëm,  ku përjetimi dhe kujtesa e atij ferri kërcënues, që kishin ngritur në tokën e shqipes, bijtë e të keqes, përgjatë një gjysëmshekulli absurd, janë shtrati ku ngrihet bazamenti estetik dhe kredoja e poezive të tij.

Endja nëpër shtigjet e kujtesës dhe përditshmërisë, vjen si një udhëtim poetik i veçantë deri në befje, në poezitë e autorit Muhamet  NELA, në këtë kohë trazimesh dhe baticash të egra, ku duket se vetëm fjala ende nuk e ka humbur sharmin dhe magjinë e vet.

Fjala në poezinë e tij është një akt shungurimi dhe çlirimi nga presoini i të rëndomtës, nga amullia dhe depresioni gati kolektiv i një shoqërie që ka humbur shumëçka, në rrugëtimin drejt vetvehtes.

Muhameti vjen nga bota e dhimbjes dhe e vuajtjes, nga kampet – gulag të internimit të Myzeqesë, në rrethin e Lushnjes, ku hyri fëmijë dhe doli në moshën e burrit të pjekur, në at’ moshë, kur liria, aq sa është çlirim e bekim, po aq është dhe barrë dhe përgjegjësi, për çfarë të prêt, në botën jashtë telave….

Trashëgimtar i një kulle qëndrestare me gjurmë atdhetarie në shekuj, nga fshati Kollovoz i krahinës së Lumës, Muhameti mbart tiparet më esenciale të të parëve të tij, krenarinë, qëndresën, bujarinë, sedrën e malësorit, si dhe mëndje ktjelltësinë, maturinë, qetësinë e myzeqarit dhe të gjitha këto, mpleksen e plazmohen në poezinë e tij, që nuk është e ndikuar aspak, nga asnjë poet i gjallë apo i vdekur, pra – thënë ndryshe, autori është vetvehtja, ndonëse në stilin poetik është nga pak Fishtë, Esenin dhe Migjen…!

Pas librit të parë të titulluar  – “Larmi poetike”, me parathënie të shkruar nga emblema e qëndresës antikomuniste, Kurt KOLA, ky është libri i dytë i autorit – poet, Muhamet Nelës, libër në të cilin, poeti gdhend me fuqinë magjike të fjalës, portretin e kohës së tij, ku mpleksen e ndërthuren uni dhe jashtësia e tij, përditshmëria dhe historia, realiteti dhe trilli artistik e paradoksi i një shoqërie në krizë dhe depresion.

Libri me poezi me titull – “Me piskamë shpërndaj retë”, është një udhëtim metaforik, simbolik dhe alegorik në deformimet e imta që na rrethojnë, në një përditshmëri të sëmurë, ku, siç thotë aq bukur poeti:

 

– “Qentë rrugëve lehin,

çakenjtë hanë – përlajnë!

Fytyrat n’pamje zbehin,

n’ekrane puthen, shajnë”!

 

Parabola e dhimbjeve dhe trishtimeve të vjela në gjurmët e kujtesës, përzihen me notat e trishta të një uverture dhimbjeje e hidhërimi për atë çfarë përjeton poeti, në një realitet, ku “rrjedhin ujrat e ndotura, pocaqitë dhe…ku i “dituri mbytet” e “idiotit i jepet pushtet”…

Poeti depërton në skutat dhe anekset e përjagura të zhvillimeve shqiptare, veçmas atyre politike, ku përcjell herë mbas here, qasje, imazhe e gjendje që të befasojnë me freskinë dhr fuqinë e mesazheve që transmetojnë tek lexuesi.

Muhamet Nela e ngre fatin egzistencial të të dobtëve në këtë vend, të të përndjekurve, të dëbuarëve e të “mallkuarëve”, në një vektor poetik kualitativ, ku këto shtresa apo kategori shoqërore, me dhimbjet, privimet, luftën e përçdoçastshme për t’i mbijetuar purgatorit, pasi kanë dalë nga ferri i të gjallëve, në vargjet e Nelës, gjejnë vetvehten dhe modelin e vazhdimit të rezistencës, në emër të një jete më të mirë.

Në poezitë me titull – “I marri i sokakëve”, “Injorantët”, “Injoranti dje dhe sot”, “Ish sekretari i partisë – pronar”, “Janë shtuar burgjet”, “Jesmenët hedhin valle”, “Jeta në diktaturë dhe në demokraci”, “Jetojmë kohën e idiotëve”, “Kur shtohen gomarët” etj, poeti përcjell me një estetikë të fuqishme, rënien e individit në grackën e mëkateve të një përditëshmërie të sëmurë, groteskun e një shoqërie që ndryshe predikon e ndryshe vepron, duke bërë që injoranca, babëzia e fodullëku të bëhen vatra infeksioni thuajse kolektiv.

Këtij realiteti banal dhe grotesk njëkohësisht, autori i kundërve unin e tij, fuqinë e një shpirti të lirë, qëndresën e individëve dhe trevave emblematike, të përcjellë aq mjeshërisht në poezitë me titull: “Jam dyqind vjeçar”, “Jam Laokont”, “Jam poet”, “Kush guxon”, “Luma – shkolla e trimnisë”, “Luma fisnike” etj, ku poeti skalit shpirtin e lirisë dhe pathyeshmërisë përballë të keqes.

Poeti me anë të mendimit dhe ndjeshmërisë së hollë poetike, mesazhon se, në tynelin e errët të një të kaluare traumatike e cila ende mban peng kujtesën e të gjallëve dhe të vdekurve, fshihen të gjitha llojet e deformimeve dhe “Frakturave” të politikës dhe gjithë shoqërisë shqiptare në tërësinë e saj, në një tranzicion primitiv, ku plagët e kësaj shoqërie, në vend që të mbylleshin një herë e mirë, kanë ardhur duke u përkeqësuar….

Në këtë vëllim poetik, poeti eksploron në magjitë e padukshme të shpirtit njerzor, me ritme, rima dhe kadenca poetike tronditëse, me një stil të ngjeshur e dinamik, me një gjuhë të freskët, ku idiomat, kompozitat, fjalëformimet e befta, janë pjesë e kamerës poetike të Muhametit.

Poeti e kthen gjuhën në një vibrim konkret imazhinizmi dhe mesazhimi, ku figurat e gjalla dhe plot sharm, gjetjet poetike, ngarkesat stilistike të fjalëformimeve dhe kompozitave, kthjelltësia e rimave dhe magjia e ritmeve, qëndrojnë në një unison të përbashkët të shpirtit të bukurisë universale e cila është kryetema e kërkimeve të etëshme të poetit.

Ky libër, që do të pasohet me disa të tjerë, që autori i ka në process botimi, është një arritje e poetit në rrugën e vështirë por të bukur të artit poetik, ku ai ka dalë tash sa kohë, por vetëm këto vitet e fundit, ia ka dalë të gjejë rrugën e botimit dhe mund të konsiderohet dhe një ngjarje letrare, pasi autori vjen me risi estetike, qoftë në formë, qoftë në anën përmbajtësore, në motivet dhe temat e poezive të tij.

Vetë titulli i librit përmbledh një sintagmë sa reale, aq edhe transhedente, ku unifikohen e shkrihen në një, forma me përmbajtjen e ku shpirti i poetit, në kërkimin dhe plazmimin e materies e lëndës poetike, ballafaqohet sa me unin e tij, aq dhe me jashtësinë, me minibotën që klith e ngazëllen në vargje të ndjera dhe plot lirizëm të thellë e spontan.

Poezia e Nelës është një poezi e lirisë së përfytyrimit, lirisë së zgjedhjes, lirisë së ëndërrimit. Ajo shkon n’skaj të iluzionit, dhimbjes, vetmisë, shpresës, ëndërrës, zhgjëndrrës, ankthit, mungesës dhe teprisë së dashurisë, poezi e strukturave tradicionale, që ju përkojnë gjendjeve dehëse e trallisëse të një shpirti gjithmonë në kërkim të përsosmërisë dhe harmonisë universale.

Në poezitë e kësaj përmbledhjeje, vihet re ritheksimi i prirjes së poetit edhe në librin e parë të tij, për thellimin e orvatjes së tij për të ndërtuar paralele në kohë e hapsirë, me anë të imazheve të gjalla, të cilat konturohen si një cilësi e artit të tij estetik.

Në këto imazhe zhytet fiksacioni I tij poetik dhe ruhen si në një herbarium lulet e thara të stinëve të shkuara, ku ka shumë diell e dritë, aq sa mjafton sa për të kuptuar tisin e trshë e të rëndë të mungesës, vetmisë, paplotërisë, të cilat duket se e rrethojnë poetin dhe janë pjesë e udhëtimit të tij metafizik.

Poeti përcjell shqetësimin e tij si krijues i angazhuar dhe qëndrestar aktiv për fatet e demokracisë së brishtë shqiptare e cila, sipas tij, po vërtitet e sillet si në jerm egzistencial, midis kaosit dhe rudimenteve totalitare, në një shoqëri që, siç duket, paska tejet të vështirë për t’u ndarë me psikozat e një të kaluare të sëmurë dhe traumatike….

Nela ve në shinjestër mbrapshtinë e klasës politike e cila i ka humbur pothuajse, të gjitha fije lidhëse me realitetin e jetës së gjallë njerzore dhe në vend të ideve e kauzave reale, ve në veprim retorikën e shpëlarë të podiumeve dhe mashtrimet e radhës. Në vend të alternativave në shërbim të  interesit e progresit kombëtar, ve në veprim flirtet e keqpërdorura me gjithkënd, qoftë dhe me armiqtë tanë historikë, për interesa të ngushta klanore pushteti.

Ky libër me poezi i poetit Muhamet  NELA është një ftesë e hapur për reflektim ndaj një përditshmërie të keqkuptuar dhe kaotike, dirigjuar nga një klasë politike diabolike, që në vend të realitetit, na servir fasadat, në vend të së vërtetës, propagandën dhe manipulimin.

Libri lexohet me një frymë dhe shoqërohet me një paslexim intuitiv, ku mesazhet rikthehen në mendjen e lexuesit, duke na rikthyer në qasjet e poetit, i cili tenton të bëjë një autopsi poetike të kohës së tij, të ngarkuar deri në dhimbje dhe traumë, si një mundësi për t’a vështruar ndryshe historinë dhe përditshmërinë….

 

DUKAGJIN HATA – 2021