Autori: Zyra Ahmetaj
Titulli i librit: Alfabeti ynë
Përkujdesja gjuhësore: Bardhok Zefi

Botimi i parë, 2020
ISBN: 978-9928-326-01-0

Përgatiti për botim: Roland Lushi

©Të gjitha të drejtat i takojnë autores

Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall 32. Ap. 7
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, mars 2020

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Ahmetaj, Zyra
Alfabeti ynë / Zyra Ahmetaj.
– Tiranë : Ada, 2020
96 f. : me il. ; 20 cm.
ISBN 978-9928-326-01-0
1.Letërsia shqipe 2.Letërsia për fëmijë 3.Poezia
821.18 -93 -1

PARATHËNIE

Jo më kot zgjodhi të krijojë këtë libër me poezi për secilën shkronjë të Alfabetit Tonë. Gjuha është thelbi i ekzistencës së një kombi. Zyraja e ndjen gurgullimën shumëshekullore të këtij kroi që ka rrjedhur i freskët nëpër shekuj dhe ka mbajtur në këmbë me rrënjë të thella mbi truallin e vet, këtë komb, në luftë me armiqtë e shumtë që u përpoqën gjithnjë të asimilojnë këtë element kaq me vlerë të kombit. Poezitë janë shkruar me një dashuri të pashoqe. I ka ledhatuar, zbukuruar dhe ngritur lartë me artin e saj. Secilës nga shkronjat i dhuron poezi, nga një apo më shumë për shkronjë. Është kujdesur që në secilën poezi që i kushtohet secilës shkronjë të gjejë dhe të lidhë fjalë që fillojnë dhe kanë në përbërjen e tyre, të përsëritur sa më shumë atë shkronjë. Kjo nuk është gjë e lehtë, pasi kërkon mobilizim më të madh sesa në krijimet e lira. Në poezitë e saj, nga ky rregull i përsëritjes së shkronjave, është krijuar një melodizëm i rrallë nga aliteracioni i plotë në të gjitha krijimet kushtuar bashkëtingëlloreve dhe nga rima e dyfishtë kushtuar zanoreve, e brendshme dhe fundore. Poezitë e këtij libri janë të thjeshta dhe të bukura si vetë dashuria e Zyrasë për gjuhën dhe kombin aq edhe për fëmijët që janë të eturit e parë që pinë në këtë gurrë të pashtershme dhe kaq të bukur. Këto poezi lënë shije të mirë edhe për të rritur, pasi i përshkojnë plot ide, sa patriotike edhe panoramike në përshkrime me ngjyra ngjarjesh dhe veprimesh të jetës së përditshme dhe të vlerave të së shkuarës; trashëgimisë tonë të pasur. Poezitë janë si vetë gjuha, gjithëpërfshirëse për kombin tonë dhe më gjerë. Në poezitë e saj sjell një kujtesë historike të pasur dhe të bukur, me dashuri dhe mirënjohje, të shtrirë siç është vetë Historia e Kombit tonë, në të gjitha trevat, me përfaqësime dinjitoze të figurave më të fuqishme të kombit, si dhe monumenteve historike që përbëjnë pasaportën e lashtësisë tonë. Autorja ka bërë një poezi hapëse, duke ju drejtuar shkronjave me tërë dashurinë e shpirtit dhe duke treguar objektivin e saj për të “stolisur”, siç thotë ajo, me poezi çdo shkronjë. Një poezi mbyllëse për të lartuar fjalët që shkruhen me këto shkronja, për ti trajtuar me dashuri prej nëne me adhurim dhe ngjyra, me horizont që siç thotë vetë ajo, se gjuha jonë është më e gjerë se yjësitë dhe galaktikat. Poezitë janë shkruar me shkronja si yjet dhe lulet. Prandaj kanë aq shumë dritë që nga fillimi dhe gjer në fund të poezive. Zyraja ka përdorur një arsenal të tërë të figuracioneve letrare. Përveç aliteracionit dhe rimës së dyfishtë ka përdorur një mori epitetesh, krahasimesh, hiperbolash, personifikimesh etj…duke i bërë kaq tërheqëse dhe simpatike poezitë e krijuara. Gjatësia e vargut është përgjithësisht pesërrokësh ose gjashtërrokësh me pak përjashtime; i lehtë për tu lexuar dhe mësuar nga fëmijët. Rima e vargjeve është përgjithësisht e alternuar A,B; A,B. Me raste është e njëtrajtshme; A,A;B,B. Strofat e poezive janë katërvargësh me ndonjë përjashtim. Kur lexon këtë libër të duket se merr pjesë gjallërisht në një festë Abetareje, ku fëmijët i recitojnë me dashuri, siç janë shkruar poezitë, vallëzojnë nën ritmin e muzikalitetit të tyre dhe emocionet të pushtojnë mrekullueshëm. Nuk e shoqërova këtë parathënie me shembuj nga vargjet apo fjalët e këtyre krijimeve, pasi libri lexohet me një frymë, duke i zbuluar dhe shijuar vetë këto vlera artistike dhe ndjesore. Poetja ka në dorë edhe disa libra të tjera me poezi dhe është në fillimet e një libri në prozë. Nuk është e rastësishme iniciativa e poetes Zyra Ahmetaj për t’ju sjellë lexuesve të vegjël këtë vëllim që kemi sot në dorë. Kjo iniciativë i ka rrënjët tek dashuria e saj, jo vetëm për fëmijët e vendit të saj por më shumë për gjuhën e bukur, të ruajtur me fanatizëm nëpër shekuj, të pasuruar nga dijetarët e rilindjes e të latuar kohë pas kohe ndër vite. Me këtë vëllim, ajo ju vjen në ndihmë jo vetëm të vegjëlve, por edhe mësuesve që merren me edukimin e tyre që në hapat e parë të dijes.

Agim Xheka