…Ndue Lazri është poet i këngëve të thjeshta, të përjetuara, nga ato që flasin drejtpërdrejtë me lexuesin, pa lëmshin e sforcuar të metaforave të ndërlikuara. Është përvoja e gjatë që e dikton këtë në art, është bindja se arti ka nevojë për dëlirësi, gëzim njeriu, mall, gjendje kënaqësie…

 

 

Titulli: ANKESA E MJELLMËS

-Poezi-

 

-Autor: NDUE LAZRI

 

Piktura e kopertinës: ZEF NAÇAJ

 

ISBN: 978-9928-296-64-1

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

© Të gjitha të drejtat janë të autorit

 

Shtëpia Botuese “ADA”

Rruga: Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

E-mail: rlushi@yahoo.it

Cel: +3554 68 221 9016

Tiranë, tetor 2019

 

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese “ADA”

Të gjithë librat e botuar te shtëpia botuese “ADA” gjenden në Bibliotekën Kombëtare Tiranë.

 

 

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Lazri, Ndue

Ankesa e mjellmës : poezi / Ndue Lazri.

– Tiranë : Ada, 2019

68 f. ; 20 cm.

ISBN 978-9928-296-64-1

1.Letërsia shqipe         2.Poezia

821.18 -1

 

 

KËNGË TË REJA DASHURIE…

 

– Mbi librin “Ankesa e mjellmës” të Ndue Lazrit. –

 

 

Ndue Lazri vjen me një libër të ri poetik. Një libër fund e krye me këngë të reja dashurie. Me sa duket, si të gjithë poetët e sinqertë, tashmë, pas kaq jete e përvoje në fushën e letrave është i bindur se poezia e vërtetë nuk ka kryetemë tjetër veç asaj të dashurisë, himnit për gruan, këtë magje jete, këtë rrënjë të pamposhtur të ekzistencës njerëzore. E aq më tepër për artin, poezinë, këngën, e cila pa gruan vdes e nuk do të lindtte dot. Është ajo, dashuria për gruan që e bën artin të mos reshtë kurrë shatërvani i ndjenjave, metaforave, muzikës së madhe të shpirtit njerëzor.

Dhe libri i ri i Ndue Lazrit është fund e krye i tillë. Pas çdo vargu gjëmon një zemër e dashuruar, e mbushur plot dritë nga një grua e  cila i fal këngën, ligjërimin poetik. Blatimi për një zemër tjetër deri në mitizim, gatishmëria për të ecur drejt dashurisë së tij po qe nevoja me çdo çmim, qoftë ai edhe si i legjendave shqiptare ku i vdekuri ngrihet nga varri për të mbajtur Fjalën e Dhënë;

 

“Në të thonë se paskam vdekur,

jo, ti mos beso,

do gërryej baltë e hekur,

do vij domosdo.”

 

Poezia “Pritje”

 

Mbetet e habitshme dhe një mister më vete, se si në tërë poezinë e këtij libri, Lazri shfaqet me kaq gëzim, gaz, shpresë dhe dritë. Duhet të jesh vërtetë një dashnor i pamposhtur jete t’ia dalësh mbanë, që edhe në një moshë të tillë si kjo e poetit, të kesh një poezi kaq djaloshare, kaq rinore, kaq të freskët;

 

“Kur të puth ty,

dy re largohen dhe zbulojnë diellin,

 

Kur të puth ty,

dy gjethe që bien fillojnë në ajër një vals.”

 

poezia “Kur të puth ty”

 

Duke shkruar një mbresë për librin e mëparshëm të tij; “Të duash…ty”, pata shkruar se poezia e Ndues është një poezi e qeshur, e buzagastë, me hir të plotë vjershërie, një fjalë e një nocion që po ndihet përgjithmonë e më pak, duke harruar se poezia është mirëfilli qysh në lindje një këngë, një këngë melodioze edhe atëherë kur shkruhet pa rimë e pa metër, duke e pasur atë fshehtazi në gjirin e saj.

Rri e vras mendjen se si ky burrë gjashtëdhjetëecavjeçar di ta bëjë këtë, të këndojë djalërisht. Dhe filloj të besoj se kjo është një gjë e lindur, e ke aty brenda gjenetikisht këtë gëzim, fat, dritë, dashuri të butë ndaj jetës.”

Dhe ja, në këtë librin tjetër pas tij gjej të njëjtën gjë, as më pak e as më shumë, po sërish një poezi drite, gëzimi, a thua se koha dhe vitet nuk ia mposhtin dot shpirtin e dashuruar, optimizmin dhe besimin se çdo ditë e çdo orë; një burrë duhet ta flakë nga kalendari në se ndalon së dashuruari.

 

“Dhe nuk je ti magjistarja Circè

që i magjepsi grekërit e lashtë,

veç kur buzët hap si orkidè

m’i sjell pranë të gjitha stinët bashkë…”

 

poezia “Kur më flet nga larg”

 

Të jesh në të gjitha stinët i dashuruar, t’ia presësh një gruaje buzët që para çdo puthjeje t’i hapen si orkide, të jetë ajo për ty gjithmonë një Circe dhe t’i këndosh asaj këngë të tilla. Ja, këtë na thotë ky libër duke dhënë një shembull të bukur se si poezia mund të krijoj tablo të tilla të dashura për syrin e për zemrën duke i lexuar faqe pas faqeje në një libër.

Ndue Lazri është poet i këngëve të thjeshta, të përjetuara, nga ato që flasin drejtpërdrejtë me lexuesin, pa lëmshin e sforcuar të metaforave të ndërlikuara. Është përvoja e gjatë që e dikton këtë në art, është bindja se arti ka nevojë për dëlirësi, gëzim njeriu, mall, gjendje kënaqësie.

 

“Nga shkrehja e blicit, mjellma ktheu kokën drejt bregut,

shikonte e pyeste: -Nga soji ynë të jetë vallë?

Ndërsa ti pozoje e lozje nën hijen e shelgut

e fotografin e lodhur e sillje vërdallë…

 

Mjellma u afrua lehtë me lëvizje princeshe

xheloze ndaj syrit tënd, që shponte gurin në zall,

T ‘u lut:-Ma fal pak krifën prej luaneshe,

e mbretërinë e liqenit të tërën ta fal…”

 

poezia “Ankesa e Mjellmës”

Në këtë poezi, nga më të bukurat, gjetja është befasuese përmes një lodre artistike me shpirtëzimin e një mjellme që shtanget nga bukuria e një gruaje aty pranë Rozafës. Një mjellme që poeti e vë të pyesë veten “-Nga soji ynë të jetë vallë?” Shija plot aromë që të lënë poezi të tilla është e mrekullueshme, e gjatë, të ndjek pas dhe të mbush me adhurim për mjeshtërinë e sprovuar të poetit Ndue Lazri që na i sjellë këngë të tilla para syve.

Poezitë e tjera jashtë temës së dashurisë janë të pakta, por edhe ato pak dhembje jete që poeti na bie në libër janë të përjetuara thellë, siç është ajo e ikjes së Nënës, një nga vuajtjet e mëdha të çdo njeriu e poeti në këtë botë.

 

“Ai mëngjes pranvere kur ike, nënë

Brumi i bukës në magje

nuk erdh, u thartua,

duke pritur duart e tua.

 

Në gjirin e deleve të trishtuara

u tremb qumështi,

perimet që të prisnin në kopësht

u thanë.

 

………….

Muret,

për të mos rënë,

u mbajtën tek portreti yt.”

 

poezia “Pranverë e hidhur”

 

Shpresoj që edhe me këta pak shembuj që solla lexuesi i këtij libri të bindet se poezia e Ndue Lazrit është  një poezi vetjake, e lindur prej shpirti dhe zemre, që të jep gëzimin që duhet të japë kënga, atë gëzim që vetëm arti di ta bjerë kaq shkurt, thjeshtë, bukur.

I gëzuar që jam ndër të parët që e lexoj dhe po e pagëzoj, ndjehem plot shpresë se ai do ta ketë të lehtë dhe të mbarë rrugën për tek lexuesi.

Dhe si “kumbari” i saj në këtë pagëzim; nuk më mbetet veçse të rithem në shqip formulën e moçme mijëravjeçare:

Pastë fat të mbarë!

 

Petrit Ruka

Tiranë, gusht 2019