…Udhëtoja në iluzione, zgjohesha në emocione dhe jetoja në një realitet brenda ëndrrës. Nën petkun e minutave të mesnatës të idealizoja, nën eshtrat e shpirtit të flisja. Dozat e frymëzimit nisën të rridhnin vetë, pa mundim, thjesht duke sjellë nëpër mend energjinë që të karakterizonte…

 

 

Aromë frymëzimi

Poezi

Autore: Sara Kamberi

 

Formati : 14x20cm

 

Të gjitha të drejtat i takojnë autores

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

 

Tiranë, janar 2023

 

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese ADA

 

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Kamberi, Sara

Aromë frymëzimi : poezi / Sara Kamberi.

– Tiranë : Ada, 2023

116 f. ; 20 cm.

ISBN 978-9928-362-97-1

1.Letërsia shqipe         2.Poezia

821.18 – 1

 

PARATHËNIE

 

Ishte vjeshtë e viteve të fundit kur shpirti do të përqafonte ndjesitë e pazbuluara kurrë më parë. Dy sy dhe shumë fjalë që nxitën fuqinë e mendjes për t’u endur në rreshtat që s’janë gjë tjetër, vecse rezultat i ndikimit që më pështjelloi nga ajo muzë tunduese. Në vend të gjumit,natën ishin shkëndijat e buzëqeshjes,frazave dhe veprimeve të brishta që më rrëmbenin. Arratisesha në botën ku prania e saj ishte e fuqishme për të shpërfillur zhgënjimet e stuhishme. Dhe papritur, në të rigjeja veten, mposhtja errësirën dhe përkushtohesha në vargjet e ngrohta. Udhëtoja në iluzione, zgjohesha në emocione dhe jetoja në një realitet brenda ëndrrës. Nën petkun e minutave të mesnatës të idealizoja, nën eshtrat e shpirtit të flisja. Dozat e frymëzimit nisën të rridhnin vetë, pa mundim, thjesht duke sjellë nëpër mend energjinë që të karakterizonte.

“Shpirtra të humbur që kishin gjetur të përbashkëtën rrugë” citove dikur. Ama unë humba në shijen e përqfimeve dhe të premtimeve që avulluan në mënyrën më të tmerrshme. Magjia e kuptimit të ndërsjelltë filloi të zbehej, të transformohej në nivele të tjera, aty ku përpjekjet për ta zgjuar sërish, munguan. E atëherë edhe tingujt në vetvete ndryshuan. I mbylla për të mos i dëgjuar më kurrë. I lashë të jetonin në kujtimet e mprehta që gdhendën një pjesë timen. Vargjet tashmë do të kishin copëza të qelqta, të ftohta, mbytëse. Të gjitha u shkruan me shpejtësinë e një rrahjeje zemre. Por si ishte e mundur vallë që të gjendej tërë ajo forcë, e më pas të kthehej në himn për abstrakten më shumë sesa për konkreten? A ishte rastësia ajo që vendosi? Apo ishte e ashtëquajtura “mrekulli” që më zgjoi neuronet e përgjumur?

Përgjigja qëndron në skutat më të errëta të vetëdijes e të nënvetëdijes, aty ku fshihet edhe e shtrenjta muzë, ajo muzë që ende vërtitet në muzgun e mendimeve të mia. Në çdo qelizë ka lënë gjurmë hija, në çdo frymëmarrje pulson pëshpërima me të cilën i flisje shpirtit tim…