Sot jetojmë në një kohë ku gjithçka priret drejt kompleksitetit. I vetmi shpëtim është të mendojmë dhe përmes mendimeve t’iu japim kuptim gjurmëve që lëmë pas…

 

Bisedë me veten

– poezi –

Autori:  Fatjon Kadillari

Redaktor letrar: Eris Rusi

Redaktor gjuhësor: Flutura Kamberi

Përkujdesja grafike: Brolin Dakoli

Pikturoi imazhin: Erblin Dedja

 

Botimi i parë,  2019

ISBN: 978-9928-296-53-5

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

©Të gjitha të drejtat i takojnë autorit

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall. 32. Ap. 7

Cel: 068 22 190 16

www.botimetada.com

Tiranë,  shtator 2019

SHTYPUN NË SHTYPSHKRONJËN E SHTËPISË BOTUESE”ADA”

 

TË GJITHË LIBRAT E BOTUAR TE SHTËPIA BOTUESE “ADA”

GJENDEN NË BIBLIOTEKËN KOMBËTARE TIRANË

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Kadillari, Fatjon

Bisedë me veten : poezi / Fatjon Kadillari ;

red. Eris Rusi. – Tiranë : Ada, 2019

68 f. ; 20 cm.

ISBN 978-9928-296-53-5

1.Letërsia shqipe         2.Poezia

821.18 -1​

 

 

Dy fjalë për lexuesin

 

Në esenë “Letërsia është zjarr”, Mario Vargas Lloza synon të japë një domethënie kuptimplotë të zanafillës së librit si art. Ai shprehet:

Veprat letrare kanë lindur si hije pa formë, në intimitetin e ndërgjegjes së shkrimtarit, të projektuara në të nga fuqia e kombinuar e të pandërgjegjshmes, e ndjeshmërisë së shkrimtarit ndaj botës rreth tij dhe e emocioneve të shkrimtarit. Dhe në këtë mjedis, poeti apo tregimtari, duke luftuar me fjalët, dalë nga dalë krijon formën, trupin, lëvizjen, ritmin, harmoninë dhe jetën”.

 

Të kërkosh diçka më tepër nga ajo që të ofron realiteti, ngjan të jetë mekanizmi që vë në lëvizje përfytyrimin njerëzve që krijimin e kanë si ushqim shpirtëror. Jemi brenda një bote që nuk sheh së jashtmi por është e brendshme, që merr formë nga mendimi i cili nuk kumbon, por përhapët si valë në vetvete. Këto nuanca, mund të gjenden tek botëkuptimi i Fatjon Kadillarit, me librin e tij të parë me poezi “Flas me veten”. Nuk bëhet fjalë për një përmbledhje poetike që prezantohet ngjashëm me libra të tjerë autorësh që botojnë për herë të parë sot, sepse poezia e këtij vëllimi nuk ka moshën e autorit, është një poezi mendimi i cili përkundet mbi ato që janë çështje ekzistenciale, që bartin ankth, dëshirë për të shkuar përtej, për të njohur më tepër dhe për t’i dhënë drejtimin e duhur hapave tanë mbi jetë.

Pse kjo lloj poezie në këtë libër?

Si fillim, ka një dallim me atë që mund të pritet nga një i ri që ende nuk i ka mbushur të tridhjetat, por i është përkushtuar mendimit që shndërrohet deri në obsesion, mbi atë që ka qenë në gjenezë beteja fillestare: kundërvënia e të mirës ndaj së keqes, e moralit me imoralitetin, e besimit fetar me ateizmin.

Libri ka si kartëvizitë prezantuese, poezinë “Sinqeritet”:

 

Sinqeritet

 

E ndjej në shpirt dhe unë kur flas

Gjithçka që them është e pandarë

Atje ku nis edhe mbaroj

E sotmja thotë: s’jam si më parë!

 

S’po di vërtet a vlerësoj,

Atë që i them vetes sime?!

A është e imja çka shqiptoj,

Apo unë, fjalë me plot ngjyrime?!

 

 

S’po di vërtet, për këto mendime.

I kam dhuratë pa asnjë çmim.

Mos ndoshta gjatë rrugës sime,

Ja fala vetes për këmbim?!

 

S’po di vërtet, zemra po plas,

Nga brenda meje diçka më thotë:

Po shkon përpara dhe hija pas,

Apo pas hijes po shkon kjo botë?!

 

 

Të krijohet ndjesia e dikujt që rrugëton në botën e madhe, mes hijesh të atyre që ishin dhe nuk janë më, nëpër rrugë që janë fasada të zbrazëta, ku zërat e dikurshëm tanimë janë jehonë dhe e vetmja që tingëllon përbrenda është mundimi që ushqen zemrën.

Krijuesi është i humbur në këtë botë të brishtë, të mbrapshtë, të huaj. Kjo lloj ndjesie nuk është vetëm e tij, por përkon me një shumësi shpirtrash të rinj që ndjehen njëlloj: të braktisur, të humbur, mbi një shkretëtirë të zbrazët që ndodh të jetë krejt ekzistenca e tyre.

A ka një fatalizëm në këtë mes? Fatjoni këmbëngul që jo. Përmes mendimit, mund të shërohet çdo lloj vizioni i shtrembëruar i jetës dhe marrëdhënies që krijojmë me të tjerët. Materialja nuk është asgjë përpara asaj çka zotërohet shpirtërisht, e dukshmja është më e dobët sesa e padukshmja, i pasuri më i palumtur se i varfri.

Ka një lloj filozofie interesante në këtë proces krijimi, që të afron me botëkuptimin e lashtë, ku njerëzit vepronin nëpërmjet mosveprimit, e mosveprimi është mendim, bisedë, bashkëbisedim, të flasësh me veten.

Nën këtë korridor drite, krijimtaria e këtij libri të nxit të depërtosh në një botë të ndërmjetme midis ëndrrës, vizionit dhe hyjnores që mishëron shqetësimin e përhershëm të autorit. Nuk kemi të bëjmë me skena të cilat ngrihen mbi fluturime të imagjinatës, tjetërbota e ofruar ka të bëjë me thjeshtësinë, me tharmin e jetës ku mendimet janë ato që ndezin dëshirat dhe afrojnë njeriun me përjetësinë:

 

Thërras si lajmës i shpresës të fundit

Për të kthyer kokat e njerëzve drejt shikimit,

Dhimbja mbart forcën e rrjedhës së lumit

brendësi të tij mbijnë rrënjët e zgjimit!

 

Thërras si i eturi që çon triumfin e fitores

Ku lodhja shpërfillet ndaj shpresës në gëzim,

Thirrje për ju që mbani emrin e njerëzores

Kuptimi i mesazhit të dhimbjes

       Sjell dhimbjen në shterim!

 

Botë e ëndërrt, e mjegullt e dashur, ku heshtja është diçka më tepër se terr i natës a palëvizshmëri. Këtë komunikon ky libër. Një thjeshtësi aq të koklavitur që ka të bëjë me dialogun me veten. Ndodh shpesh që në përditshmëri të takojmë njerëz që kanë një botëkuptim të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë, që nuk ushqehen me ajër të rënduar qielli, por e lënë veten të preken nga flladi i ngrohtë i jetës në tokë. E megjithatë sot jetojmë në një kohë ku gjithçka priret drejt kompleksitetit. I vetmi shpëtim është të mendojmë dhe përmes mendimeve t’iu japim kuptim gjurmëve që lëmë pas:

 

Prandaj foli jetës me zërin e mendimit

Paçka se nuk dëgjohet, pëshpërit nën zë,

Mos lind me kujtesën dhe të vdesësh me harrimin

Jeta buzëqesh dhe pa mua,

       Por unë s’buzëqesh dot pa të!

 

Ka diçka që prek në këto vargje, e që lidhet me të qëndruarit përpara një pasqyre ku mund të mos shohësh veten tënde, por hijet e asaj që është jeta plot zhgënjim. Sepse jeta është e shkurtër kur nuk ke më kohë për të harxhuar, është e varfër kur në xhepa nuk tingëllojnë veçse monedha pa vlerë, nuk ka dashuri, kur në zemër noton egoizmi dhe vetëkënaqësia. Me hije të tilla ne ndeshemi shpesh në këtë botën tonë, e nuk është dëshpërim, më tepër sesa ankth, sesa frikë, boshllëk, e një pamundësi që gjërat të rregullohen.

Fatjon Kadillari e ndjen diçka të tillë, e për kundërpeshë nuk sjell një poezi e cila e ka thjeshtësinë e rrëfimit, por të kundërtën e saj, me kompleksitetin e mendimit në thelb; jo një poezi të drejtpërdrejtë, por krijime që kanë nevojë për përfytyrim që të kuptohen; jo ëndrra që nuk shuhen kurrë, por një jetë e cila duhet të zgjohet prej gjumit.

Këto kontradikta, e bëjnë krijimtarinë e këtij të riu që të ngjasojë ndryshe, sepse edhe motivet janë më mistike, kërkojnë të hedhin dritë tek marrëdhënia e njeriut me Zotin, tek rendi moral i gjërave, para se të flitet për rendin natyror të tyre.

 

Frymojmë nën flladin e përgjumjes

Ngutshëm synojmë fundin e fildishtë,

Zhurmojmë mbi jetën e përhumbjes

Nën gjurmët e ndërthurura qartësisht!

 

Freskët vjen aroma e zgjimit

Kjo për t’u liruar ndaj vetmisë,

Njerëzit nuk jetojnë veç kur vjen shikimi

Dëshmi që gjallon është shpirti i brendësisë!

 

 

Ky krijim është një mënyrë tjetër për të parë raportet tona me qiellin dhe përjetësinë. Ndoshta bëhet fjalë për mënyrën si ecim dhe vrapojmë në përditshmëri, kërkojmë të përsosurën, jo të thjeshtën por të komplikuarën, rendim pas gjërave që shkëlqejnë në dukje dhe i duam t’i kemi, të jemi të parët që i mbajmë si trofe në duar dhe bota të na gëzohet, bota të na ketë zili.

 

Por netëve të gjata, kur jeta fillon të marrë shtegtimin në perëndim, gjithçka që dikur shkëlqente në dukje, nis të hedhë veç hije që na lënë të mjerë, të ftohë e të huaj. Ky është momenti kur mendimet nuk janë më të largëta, por si valse drite na bëhen më pranë. Nisim të flasim. Të flasim me veten. Kështu jeta jonë, nga e humbur dhe e largët, nga e vrazhdë dhe e tjetërsuar, ndriçohet dhe më në fund nis të ketë kuptim.

 

 

Eris RUSI

Kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Bota e Re”

Korçë