Një ngjarje interesante e të shkruar bukur sjell këtë here autori KOZMA NASTO

 

 

Titulli: BJORNA – Roman

 

Botimi i parë: 2023

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

ISBN: 978-9928-398-43-7

 

Formati : 14x20cm

 

Të gjitha të drejtat i takojnë autorit

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, gusht 2023

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Nasto, Kozma

Bjorna,  roman/Kozma Nasto.

– Tiranë : Ada, 2023

96 f. ; 20 cm.

ISBN 978-9928-398-43-7

1.Letërsia shqipe  2.Romane

821.18 -31

 

Me gotat nëpër duar, dashamirësit kishin vënë në mes Helenën dhe  tortën e pesë vjetorit të saj. Si bodyguard, nga mbrapa vajzës, i qëndronin të dy djemtë e miqve të ngushtë, të veshur shik me kostume e smoking  dhe ngjanin si burra të mëdhenj. Të gjithë  po këndonin këngën e ditëlindjes. Po më shumë se të tjerët  dëgjohej zëri i paintonuar i Kristit. Bjorna u shkri së qeshuri. Mes gazit ajo i pëshpëriti së bijës:

– Heli!  Mendo një dëshirë shpirt dhe fryi  qiririt!

Shpërthyen duartrokitjet dhe puthjet. Kristi, tek puthi të bijën, nuk harroi të përqafojë edhe të shoqen, duke i pëshpëritur:

– Jam shumë i lumtur, zemra ime!

– Edhe unë shpirt. Lumturia nuk qëndron në vetë lumturinë tonë, por në arritjen e drejtë të saj. – Për një çast ajo u kujtua  dhe trokiti gotën për të kërkuar vëmendje:

– Tani Heli do të na thotë dëshirën që ka menduar.

Bjorna mori vajzën në krah dhe e pyeti:

– E ke menduar dëshirën, Heli?

-Pooo, – foli vajza gjithë turp. Heshti për një çast pastaj  ia priti me bujë. – Dua një vëlla!

Plasën duartrokitjet e të qeshurat. Bjorna kryqëzoi shikimin me të shoqin, gjithnjë duke qeshur. Dhe ai ngriti duart si për t’i thënë: “ S’kam ç’bëj. Do vajza…”

 

*     *     *

 

Por çfarë kishte ndodhur para pesë vjetësh…

Kur Bjorna  ia tregoi të shoqit mes lotësh ndodhinë në dhomën katërqind e dy, ai u hutua dhe një “Moooos” e zgjatur i doli nga buzët, si një hardhuckë e trembur, që të rrëshqet mes këmbëve…

E mblodhi veten shpejt dhe e përqafoi me shumë ngrohtësi të shoqen:

– Ç’ishte kjo, moj shpirt?! Kyçin e suksesit e sajuam por derën nuk e gjetëm dot.

– Një mallkim, një mallkim nga perëndia! Ja çfarë ishte. – Ajo u shkreh në vaj në krahët e tij. –  Më mallkuan ato foshnje të pafajshme që i përbuza. Si mbërrita deri tek ato fjalë?!… Si ma mbajti goja ?!…

– Ishe zemërhelmuar shpirt! Prandaj nuk dije çfarë thoje. Ai e qetësoi disi me puthje e ledhatime dhe kërkoi ta kthejë në humor. – S’ka gjë zemër… Nuk shkrepi pushka me të parën. Punë e madhe. Ta provojmë edhe njëherë sa jemi këtu.

– Jo,- i tha ajo prerë. – Në sytë e saj Kristi pa një brengë të madhe. – Nuk dua më të vjedh një fëmijë… Dua të birësoj një fëmijë.

… Dhe ashtu u bë…

 

Ata birësuan një foshnje dy muajshe, që natyrisht nuk ishte as e saja… E quajtën:” Helena” dhe e thërritën shkurt ”Heli”…Heli, që tani donte një vëlla…