Autor: Elida Prifti Redaktore: Klara Kodra/Edona Paloka Korrektore: Edona Paloka/Klara Kodra Arti grafik: Albana Male Kopertina: Xhina Palko ©Të gjitha të drejtat e botimit në gjuhën shqipe dhe të huaj, brenda dhe jashtë kufijve të vendit i përkasin autores. TE GJITHA LIBRAT E BOTUAR NE SHTEPINE BOTUESE ADA GJENDEN NE BIBLIOTEKEN KOMBETARE ISBN: ISBN 978-9928-244-18-5 Botimi i parë, 2017 Përgatiti për botim: Roland Lushi Formati : 14x20cm Të gjitha të drejtat i takojnë autores Botimet ADA Shtëpia botuese “ADA” Adresa: Rr. Nasi Pavllo Nr.20 Cel: 068 22 190 16 Tiranë, korrik 2017 Shtypur në shtypshkronjën e Shtëpisë Botuese ADA Falënderime 1.Një mirënjohje e thellë prindërve të mi, Anastasia e Andon Prifti, me dashurinë time më të madhe për gjithçka bënë, që ne fëmijët e tyre të bëheshim të denjë në udhët e jetës. Po kështu, falenderimet dhe mirënjohja ime e pamatë për gjyshin tim Ligor Prifti, për kontributin e madh në shërbim të interesave të atdheut, dijetar e kulturëdashës për kohën dhe brezat. 2.Mirënjohje e pakufishme motrave dhe vëllezërve të mi të dashur, Sofije dhe Sokrat Samarxhiu, Llazar, Pali e Antigoni Prifti, Gjergji Prifti, të cilët më qëndruan pranë me mbështetjen dhe dashamirësinë e pamatë që treguan ndaj meje. 3.Në veçanti, falenderime të pafundme dy fëmijëve të mi, Rafail e Anastas Prifti si dhe motrës që kam pranë, Antigonit, për ndihmën e tyre, buzëqeshjet dhe kohën që më kushtuan, para se libri të botohej. Krenare për këta fëmijë të mrekullueshëm që ishin me mua në çastet më delikate të jetës. Qofshi të bekuar, o drita e syve të mi. 4.Mikun dhe romancierin e talentuar, Amedeo Baçi, i cili me një përkushtim të rrallë pati një rol vendimtar në krijimtarinë time poetike. E falënderoj përzemërsisht për angazhimin e pazëvendësueshëm dhe ndikimin që pati ndaj poetikës sime. 5.Redaktoret dhe korrektoret e librit, prof.dokt. Klara Kodra dhe Edona Paloka, të cilat me një dashamirësi të rrallë njerëzore e profesionale, bënë gjithçka të mundur që libri im i parë poetik të shihte dritën e botimit. 6.Një falënderim i veçantë shkon për mësuesit e mi të parë: Zyba Grembi, Fana Prifti, Ristan Duda e Vangjeli Goga, të cilët ndriçuan mendjen dhe zemrën time kur isha vetëm një nxënëse shkolle e etur për dije e kulturë. Nuk do të rresht kurrë së qënuri mirënjohëse ndaj tyre. Parathënie Ky është një vëllim që mbledh një sërë poezish meditative, ku herë zë vend lirizmi e herë tematikat sociale. Elda duket sikur po zhvillon traditën popullore, me vargje të rimuara e me kulturë shqiptare, si “Vashëzë, moj vashëzë,/gjumi pa ty nuk më zë./Myzeqare vogëlë, /m’i nxjerr fjalët një nga një”, vargje që ecin në gjurmët e këngëve myzeqare. Kështu ajo i shkruan të bukurës “Moj vetull kaleshe”. E bukura këtu është në raport me syrin që e dashuron vajzën, nuk është uni i saj, por këndvështrimi i djalit që dashuron vajzën, të bukurën, atë që të godet zemrën pastërtisht. Po ky nuk është shembull i dashurive të kohëve të sotme, ajo merr motive nga e kaluara, me të gjithë ndershmërinë e ҫiltërsinë që ekzistonte tek “femra e qëmotit”. Po kështu, ajo e sheh dashurinë të mishëruar edhe tek nata: “Ah, moj natë, që s’po gjej rehat/ dashurinë pse ma fsheh, moj xhan?”. Tek nata ajo sheh të fshehtën por edhe reflektimin, pastërtinë, qartësinë e mendimit. Ajo i thur himn dashurisë mes një djali dhe një vajze. Në këtë vëllim është uni në raport me shoqërinë dhe me veten. Disa nga poezitë e autores përmbajnë një shqetësim të saj për të ardhmen e shoqërisë, sepse ajo ndihet e zhgënjyer nga udhëheqjet politike që sipas saj, politikanët thonë vetëm gënjeshtra e nuk mbajnë asnjë premtim. Kështu ajo e sheh të ardhmen e vendit me pesimizëm. Thirrja e saj e brëndshme është ta ndërgjegjësojë shoqërinë e kjo i shkakton një brengë të madhe. Uni i saj në raport me individin shfaqet si kërkim drejt të virtytshmes “Respekti”, “Çfarë kërkoj në këtë botë”. Ajo e ka ndjerë se vlerat e shoqërisë janë drejt humbjes dhe është në kërkim të tyre “Do trokas derë më derë,/një pikë ujë do ta gjej”. Nëse do ta gjejë ajo “një pikë ujë” për këtë nuk është e sigurtë. Në poezinë “Dridhet trupi e shtrydhet shpirti”, ajo reflekton mbi karakterin e njerëzve duke i krahasuar me gjarpërinjtë. Ajo e ka kuptuar se shoqëria nuk është më e sinqertë e si rrjedhojë është zhgënjyer së tepërmi. Sipas saj, më mirë të bësh dyle me gjarpërinjtë që janë në sheshe sesa ata që rrinë të fshehur. Këta të fundit sipas saj janë më të rrezikshëm, se të godasin pabesisht. Disa nga vjershat e Eldës janë edhe fabula në vargje. Nëpërmjet tyre ajo nxjerr në pah ҫështje të moralit, por edhe proverba të njohura, si: “Punën e sotme mos e lër për nesër”, “Besa”, “Miku i mirë” duke dhënë këtu interpretimin e saj. Poezinë ajo e sheh si mënyrën më të mirë për të komunikuar me botën, për të dhënë mesazhe, për të reflektuar rreth ҫëshjeve që e shqetësojnë. Por në këtë vëllim zënë vend edhe figurat e fëmijëve dhe prindërve të saj. Për prindërit ajo dëshiron të lërë një homazh të veҫantë, si mirënjohje ndaj atyre që e kanë rritur e edukuar. Këtu hasim edhe një emër që ajo e konkretizon e i jep një rëndësi të veҫantë për kontributin që ai ka dhënë për atdheun e për gjuhën shqipe, Ligor Prifti, babai i saj, nga i cili ka trashëguar dëshirën për të vjershëruar. Po ajo shkruan edhe për kulturën e për traditën e popullit shqiptar “Të bien daullet/ e vallja të hidhet lehtë/ Nusja në krye të valles/ o sa ka lezet”. Kjo i jep poezive të saj mundësinë të jenë edhe këngë, edhe vargje. Kështu, mund të themi se poezia e saj i ka rrënjët tek tradita dhe vazhdon vijën e mbështetjes në folklor. Në këtë vëllim, vendlindja shfaqet si dashuri për vendin ku ka lindur e është rritur. Në qendër është Myzeqeja, vend në të cilin ajo sheh të gjitha bukuritë, sepse me të lidhen të gjitha kënaqësitë dhe kujtimet e saj të jetës, sheh tek ai kryeqendrën e kulturës shqiptare. Po kështu, ajo gërsheton edhe kulturat jug-veri “Se ҫ’u shkëput një yll nga qielli/ është një vashë nga Shkëlzeni/ Po zbret ylli në mes të ditës/ më e bukura gocë e Mirditës” Kjo i lejon asaj të luajë me variacionin e krahinave duke i shkrirë në një ato, edhe veriun, edhe jugun. Sepse sipas saj, Shqipëria është mëma e të gjithëve dhe individi duhet ta konceptojë atë pa asnjë ndjesi inferioriteti. Në vjershën “Poezia na bën të mira” shfaqen të gjitha brengat që e shqetësojnë autoren, shqetësohet për të ardhmen e vendit dhe vetë shoqërisë. E keqja kryesore vjen nga vetë individi, duke filluar që nga shthurja e të rinjve e deri tek problemet familjare. Sipas saj, e keqja më e madhe është tek shteti që nuk jep garanci për mbarëvajtjen e duhur shoqërore, duke vënë theksin tek qeveria dhe partitë. Por Elda qaset drejt një dëshire për të qenë pjesë e botës nga e cila rrethohet, duke marrë prej saj atë që ia ngroh zemrën. Prehjen e saj kryesore ajo e gjen tek vendlindja e saj, ndaj së cilës ndjen mall. Po edhe dëshira për të bashkëvepruar me të virtytshmen, për të qenë e dobishme “Shpirtin ia fala besës”. Të gjitha qetësinë e saj shpirtërore dhe melhemin e duhur ajo kërkon ta gjejë tek atdheu, tek i cili sheh tempullin kryesor të shërimit. Ky vëllim interesant i ka rrënjët në poezinë popullore. Vjershat e saj qëndrojnë në bazë të rëndësisë që marrin motivet, e një kënvështrim më i duhur mund t’i jepte vëllimit një peshë më të madhe. Autorja ndoshta duhet ta thellojë më shumë mesazhin dhe në plan formal të mos i kushtojë më shumë rëndësi ndërtimit të rimës, por thurjes së vargut që nuk duhet të kushtëzohet domosdoshmërisht nga rima. Në poezinë e Eldës rima është një element më tepër i kërkuar se sponatan që nuk buron drejtpërdrejt nga frymëzimi, po nga kërkimet stilistike. Sidoqoftë, fillimi duket të jetë i mbarë për poeten. Edona Paloka