Panairi i librit vazhdon e botimet “ADA” vazhdon publikimin e saj më të fundit.

“Dasma e Gjinkallës” është një vëllim emocionues i krijuar për të mësuar, për të njohur (sigurisht në botëkuptimin fëminor) gjithçka të rëndësishme.

Titulli: DASMA E GJINKALLËS
(Poezi-Fabul-këngë )

-Autore: Dava Nikolli
-Redaktore & korrektore: Vjollca Shurdha
-NB/.Redaktimi e korrektimi i këtij libri është bërë në bazë të liçencës poetike.

Botimi i parë, 2019
ISBN: 978-9928-296-73-03
Përgatiti për botim: Roland Lushi

©Të gjitha të drejtat i takojnë autores

Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall. 32. Ap. 7
Cel: 068 22 190 16
www.botimetada.com
Tiranë, nëntor 2019

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Nikolli, Dava
Dasma e gjinkallës : (poezi-fabul-këngë) / Dava Nikolli ; red. Vjollca Shurdha.
– Tiranë : Ada, 2019
180 f. ; 20 cm.
ISBN 978-9928-296-73-3
1.Letërsia shqipe 2.Letërsia për fëmijë
3.Poezia 4.Fabula
821.18 -93 -1

Parathënie

Të shkruhet për fëmijë, si të njohin e shprehin çka ndiejnë nuk është aq e thjeshtë dhe e dukshme sa mund të mendohet, mbasi është e domosdoshme të hysh në botën fëminore; të shkruash me gjuhë të thjeshtë të kuptueshme e në të njëjtën kohë të jetë art brenda parametrave të strukturës letrare për kategorinë që shkruhet. Autorja Dava Nikolli në këtë vëllim ofron një mjet për të mësuar në një mënyrë argëtuese, sepse kur fjala e bukur dhe e mençur shtrihet edhe në vargun për fëmijë, është edhe më e bukur edhe më e mençur! “Kur fëmijët në shpirt kanë gëzim,/lumturohet shumë shpirti im./Rreze të arta lëshon më tepër dielli, /nga buzëqeshjet e tyre ndrit qielli. /Kur fëmijët vjersha recitojnë,/e këngët e Atdheut i këndojnë./Shumëfishohen gëzimet prindërore,/ndaj fëmijët; meritojnë përmendore!”
Tek vëllimi “Dasma e Gjinkallës“ autorja ironizon një shoqëri që po shpërbëhet në vlerë duke rendur pas famës. Këtë koncept e gjejmë tek krijimi me të njëjtin titull të librit:
“Dielli i gushtit tokën e përvëlon, /mbi degë të lisit gjinkalla këndon. /I thërret miqtë në dasëm të vet,/s’pyet ajo për të ftohtë, as të nxehtë.”
Vëllimi është një përmbledhje e ndarë në tre cikle për të shpjeguar dhe paraqitur fëmijëve një botë emocionesh. Për të dashur çdo aspekt të jetës.
Përshkruan një përvojë të dhimbshme të përbashkët, të vegjël e të mëdhenj (emigrimin) zgjidhjen mes dy shpirtrave të afërm. Shkruar me naivitetin e tyre, për të ndihmuar fëmijët që të njohin dhe përballohen me situata të ndryshme:
“I kam gjyshërit në Shqipëri/sot i pres në ditëlindjen time./Më uron gjyshi, dita t’u bëftë njëmijë./Dhe t’u mbushtë plot me gëzime!/Nga larg gjyshi më përshëndet,/edhe këtë largësi, ai e mallkon. /Më thotë s’mund të vij, heee medet./I përmalluar gjyshi im loton!/Qofsh i mallkuar o kurbet i zi!/Na ndave për së gjalli të gjithëve./Më ndave mua nga gjyshërit mi… /më ndave prej shokëve e miqve!
Qesh e qan autorja me filizat e rinj, sepse edukimi është thelbësor për fëmijët tanë që të rriten të lumtur dhe të sigurtë, ndaj dhe shkruan: “Mos ua prekni ëndrrat fëmijëve!/Lërini të lirë që si të mëdhenj të ëndërrojnë./Ata janë engjëj, janë pronë e perëndive…/përse panjerëzisht ëndrrat ua lëndojnë?”
Gjithashtu proteston për keqtrajtimin e masakrën karshi fëmijëve që ndodh në shumë vende të botës:
“Për ju o engjëj një jetë do të protestoj! Me gojë, me shkrim për ju do të flas./Po të mundem, luftrat në botë/t’i ndaloj, /për lirinë tuaj, n’kupë të qiellit do të bërtas!”
Fëmijët janë pafajësia, janë pastërtia e shpirtit, ndaj nuk dëshirojnë kurrë të shohin e dëgjojnë dhunë mbi bashkëmoshatarët e tyre:
“Të gjithë fëmijët e këtij globi,/e duan botën në paqe e në harmoni./Lot moshatarësh s’duan të shohin,/e duan planetin të mbushur me mirësi!
“Dasma e Gjinkallës” është një vëllim emocionues i krijuar për të mësuar, për të njohur (sigurisht në botëkuptimin fëminor) gjithçka të rëndësishme. Kërkon autorja të identifikojë karakteristikat e tyre dhe të reflektojë mbi strategjitë më të mira për t’i menaxhuar së bashku:
”Në bibliotekën e qytetit ku jetoj,/hyj që të shoh gati ditë për ditë./Ka libra çdo lloj, por jo për femijë…/si mundet kjo? He u plaçin sytë!/S’kishte libra me përralla!/Nuk kishte me vjersha, as poezi. /Pak libra me tregime të përdala…/e disa të tjera që s’shiheshin me sy!/Thashë: Si është e mundur kjo?/Që një fëmijë pesë a gjashtë vjeçar, /të shoh figura, marrëzira nga këto./Dola nga bibloteka pa asnjë fjalë!/Edhe ju o pena poetike!/Kujdesuni për këta filiza të njomë rini./Që të rriten me metodën didaktike…/mos i bëni pleq kur janë ende fëmijë!
Gjatë leximit në formë satire ka dhe karaktere që bëjnë të reflektohet e buzëqeshet. Përjetohet një pafundësi përvojash që ndihmojnë fëmijët të zbulojnë, të njohin sprova të ndryshme e pikësynime deri në përmbushje. Libri paraqitet në mënyrë të përsosur për t’u shfletuar më shumë se një herë nga duart e vogla, të shoqëruara me imagjinatë të përcaktuar, me tekst të shkurtër. I thjeshtë i lehtë për t’u kuptuar, shpesh me shije aventureske, me ndodhitë e përditshme që janë të integruara mirë në kontest dhe që e mbajnë vëmendjen zgjuar me sugjerime të dobishme.
Çdo cikël i vëllimit shoqërohet me një kartë për prindërit, që të përmbledhin këshillat dhe mësimet e secilës dalje situate. Leximi me prindërit ka për qëllim që të ndajnë një eksperiencë të bukur me fëmijët, të cilët edhe mësojnë si në një lëndë komplekse, por me lehtësi të natyralesë. Përpos tufëzave aromëmirë të poezive fëminore, të një përvoje universale, gjejmë në brendësi edhe një koleksion të këndshëm urimesh, nën formën e të shkruarit -kartolinë!
Poetja Dava Nikolli në mënyrë të mahnitshme nuk del si objekt: Madje, plotësisht e lirë nga theksimi apo gjykimi shkruan “Gëzohuni ju e ardhmja e trojeve shqipe!/Do të keni nëpër duar libra të rinj./Do të studioni për krejt natyrën./për relievin, për tanët kufinj…/që dikur, menduan t’ua ndërrojnë ngjyrën!.”
Në qendër të krijimeve ve dialogun dhe një vështrim mes figurave të vogla protagoniste:
“O ju Yllka bukuroshe!/U buzëqesh fytyra gjithë ngrohtësi./Ashtu si dielli u ndriçon fytyra, /gëzimi juaj, për prindërit është lumturi!”
Në vëllim, nuk ka retorikë, nuk ka armiqësi, edhe pse shpesh në aktualitet ndeshim në një botë disi të papërpunuar. Këtë e gjejmë tek: “Janë zemëruar shkronjat”
“U zemëruan shkronjat, pe s’lëshojnë, /na përdorin sipas dëshirës bubullojnë./Me gabime shkruajnë emër e mbiemër…/shkronjat s’e pushtojnë asnjë zemër./U iku dëshira të rriturve, jo më fëmijëve./Gjuha s’është më pronë e perëndive./Kush mundet, sipas qefit vendet ua ndërron, /në vend të “Dh” në fletë, “Ll” lëshon./Gjuha shqipe me fjalë të huaja plot,/të gjithë shpipfolësit po e lajnë me lot./Të rritur, të vegjël, e bën gjuhën babiloni…/në vend që ta ruajmë si sytë, kët’ pasuri! /Mos ua ndërroni vendet shkronjave!/Me shkonjat flasim gjuhën e shqiponjave./Janë të veçanta shkronjat tona në botë…/vetëm shqipet i rreshtojnë në kët’ tokë!”
Jo vetëm çdo krijim, por çdo fjalë është përdorur e vendosur butësisht, duke krijuar kështu ekuilibrin këndshëm. Ndryshimi dhe madhështia e shkrimit është në aftësinë e lavdërueshme të poetes. Ka krijuar e shkruar pa pompozitet, por me një mirësjellje e ngrohtësi adhuruese; me një gjallëri që transporton lexuesin e vogël dhe e vendos në skenarin e librit.
Vëllim interesant, i parezistueshëm, ku jeta e përditshme është qendra, dhe fantazia është një ngjarje shumë e natyrshme; mbasi gjithçka e thjeshtë e reale në kontakt me fëmijët bëhet magjike, sepse: “Fëmijët janë portreti më i bukur, /janë gonxhe në lulëzim. /Imazh i ndjenjës që rri e strukur, /adrenalina e çdo zemre në shpërthim!/Janë shpresa, janë shenja e besimit,/janë magjia e shpirtit lindje-perëndim!”
Një libër i mrekullueshëm, i përsosur për lexuesin e vogël, për të mësuar, për të dëgjuar, dhe pse jo, edhe për të vallëzuar tek “Dasma e Gjinkallës”.

Vjollca Shurdha
Poete –Shkrimtare –Përkthyese
Itali