…Në tregime dasma është fundi i lumtur. Në jetë është fillimi i gëzueshëm i saj.

Tradita, rite zakonore, këngë nga Zagoria na sjell në kë libër Violeta Duri…

 

 

 

Titull: Dasma kurora e gezimit familjar

Autore: Violeta Duri

Redaktore: Matilda Duri

Përgatiti për botim: Odhise Çerkezi

Botimi i parë: 2023

 

 

ISBN: 978-9928-398-28-4

 

Formati : 14x20cm

 

Të gjitha të drejtat i takojnë autores

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, korrik 2023

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Duri, Violeta

Dasma kurora e gëzimit familjar /

Violeta Duri ; red. Matilda Duri.

– Tiranë : Ada, 2023.

392 f. ; 20 cm.

ISBN: 978-9928-398-28-4

1.Zakone dhe rite martesore

2.Këngë dasme

3.Zagori

(Gjirokastër)

392.5(496.5-3)

Hyrje

Në tregime dasma është fundi i lumtur. Në jetë është fillimi i gëzueshëm i saj. Rrëfimi për çiftin që lidhet në martesë fillon pikërisht ditën e dasmës. Gjithë çiftet dëshirojnë të lënë pasardhës, një ligjësi e riprodhimit të shoqërisë, që mundëson vijimësinë e jetës në tokë. Është edhe kjo arsyeja që dasma përbën momentin më kulmor të gëzimit familjar; një ceremoni e gëzuar kjo, që zhvillohet gjatë gjithë ditëve të javës, me një pjesëmarrje të gjerë të familjarëve, të të afërmve, të miqësisë, të gjitonisë, të shoqërisë etj. Dasma, pra, shënon një ndër kulmet e gëzimit familjar e fisnor që, përgjithësisht, e organizon çdo familje që marton fëmijë. Ajo është një festë masive për nga pjesëmarrja, por edhe nga dendësia e riteve e dokeve zakonore që kryhen gjatë ditëve të javës së dasmës. Është edhe kjo arsyeja që preokupimi i vetë çiftit, sikurse i gjithë familjarëve për organizimin sa më mirë të kësaj ceremonie është i madh dhe i gjithanshëm, deri në hollësi dhe imtësi.

Gjatë ceremonialit të dasmës pjesëmarrësit interpretojnë këngë të ndryshme, me tematikën që i përshtatet këtij momenti, këtij gëzimi familjar dhe që realisht janë të shumta. Përparësi kanë këngët lirike, por mund, dhe këndohen edhe këngë të tjera me tematikë jashtë evenimentit të fejesës apo të dasmës. Janë këngë, ardhur nga thellësia e viteve, përcjellë gojë më gojë nëpër ceremoni dasme; sikurse ka edhe shumë këngë të reja, bashkëkohore, por edhe këngë me tematikë të ndryshme, si p.sh. kurbeti, pasi zona jonë e ka pasur të theksuar largimin e meshkujve në kurbet për arsye ekonomike. Ose dominon kënga me tekst të bukur për vetë krahinën, për Zagorinë, për fushën e Çajupit – identiteti ynë, etj., kënduar nga brezi në brez, shoshitur e seleksionuar nëpër vite, ardhur edhe me ndryshime vargjesh, me tekste të limuara e skalitura mirë e mirë, rezistuar kohës e që këndohen edhe në ditët e sotme.

Disa prej këtyre këngëve do t’i sjell në këto shënime, jo vetëm se janë të bukura, por edhe për faktin e thjeshtë e që më nxiti t’i shkruaj: këngët të mos harrohen, ato të vazhdojnë të këndohen, të mos bien në honin e harresës, si ka ndodhur me shumë prej tyre. E, meqë dasma ishte dhe mbetet vendi më domethësnës, një nga ceremonitë më masive ku interpretohen masivisht këngë: lirike, idilike, humoristike, hidh e prit, apo të krijuara në moment, këngë të kurbetit, të vendlindjes, me temë historike, për trima të shquar nga krahina e vendi, etj., etj., po bëj një përmbledhje e sistemim të disa prej tyre, me synimin: E shkuara nuk harrohet, ajo që shkruhet mbetet dokument.

Ka pambarimisht tekste këngësh të reja, që merren vazhdimisht, nga kushdo e në çdo sebep, por unë do ndalem në këngët e vjetra, ardhur deri në ditët e sotme; në këngët që janë interpretuar në vitet e jetesës së brezit tim, pasi ato i njoh më mirë; i kam dëgjuar nëpër dasma qysh në fëmijëri; shumë prej tyre i kam kënduar vetë dhe me shoqet bashkëmoshatare; mbi të gjitha, për lexuesit do të jenë një informacion i dorës së parë. Këto këngë do t’i përcjell ashtu si kanë ardhur gojë më gojë ndër vite, ashtu si janë kënduar, origjinale, tradicionale, me po të njëjtin tekst që ka ardhur deri në ditët tona. Shumë tekste përmbajnë fjalë të huaja, reflektim i kohës kur janë shkruar e kënduar, disa janë tej mase të politizuara, (nuk po ndalem në to) por, gjithsesi, unë nuk do t’i redaktoj, aq më tepër t’i ndryshoj. Aspak. Jo që nuk e kam këtë të drejtë, por gjithë lezeti i këngëve është pikërisht ky tekst, sikurse edhe vija e tyre melodike, tradicionale, origjinale, zagoriçe puro.

Folklori ynë është shumë i larmishëm, pafundësisht i pasur. Ai gjallon ende e, për të kemi aq shumë nevojë ta njohim; të informohemi për trashëgiminë zakonore të të parëve tanë, të njohim e t’i interpretojmë këngët, t’ua transmetojmë ato brezave të rinj. Folklori është një pasuri e paçmueshme kulturore; ai mbetet trashëgimia jonë e pazëvendësueshme, mbetet  identiteti ynë krahinor e kombëtar, ai është dhe mbetet një nga elementët kryesorë të civilizimit shoqëror. Ndërkohë ka edhe shumë këngë të reja, krijime të këtyre viteve, interpretuar mjeshtërisht nga grupet e mirënjohura të këngëve e valleve të krahinës në kohën që unë jam larguar nga fshati, krijuar e kënduar nga mjeshtër të këngës e të valles, nga interpretues që edhe janë vlerësuar për këtë interpretim nga institucionet kulturore përkatëse, si dhe nga pushteti vendor e qendror; ato interpretohen prej tyre. Edhe pse mund t’i njoh, nuk do ndalem tek ato në këto shënime, pasi mendoj se ato janë aq të shumta sa  mund të bëhen libra më vete, por edhe pse, hë për hë, nuk e rrezikojnë humbjen nga efekti kohë.

Synimi im është të sjell disa nga  këngët  e traditës, disa rite zakonore të dasmës zagorite, aq sa kam mundur të gjej në investigimet e kërkimet e mia modeste. Ishin disa zagoritë fillimisht, ata që më kërkuan t’u shkruaj disa këngë të vjetra që im shoq i merrte në takime me shokë zagoritë. Sa herë mblidhen te kafe “Pango”, “Kostari” e “Kruja”, por që tani e vetëquajnë “Kafe – Zagoria”, të gjithë së bashku ia marrin këngës. Ndër ta po përmend: Andon Pango, Andon Bita, Arqile Nika, Spiro Nika, Thoma Dilo, Miço Saqellari, Miço Duri, Ladi Duri, Arqile Hila, Koço Vllau, Trifon Çarka, Pirro Vito, Petro Gjoni, Evanthia Loli, Qirjako Kasapi, Nini Ristani, Spiro Gjika, Llukan Garo, Petrit Ristani, etj… Janë këngë të njohura e të kënduara edhe nga brezi im, qysh nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar e në vijim dhe dua që ato të mos harrohen e humbasin. Mirëpo, duke shkruar: edhe një, edhe një…(..nuk thonë kot, “oreksi vjen duke ngrenë “…), falë edhe profesionit si gazetare, më pëlqeu gërmimi, gjurmimi e grumbullimi i tyre dhe e mora më seriozisht këtë punë. Nuk di sa do t’ia dal, por mendoj se ia vlen mundimi e përkushtimi. Këngët janë pa fund, sa më shumë të gërmosh në folklorin zagorit, aq më shumë këngë të bukura zbulon. Folklori ynë krahinor është si një minierë ari, plot minerale të dobishme që, sa më shumë futesh në thellësi, aq më shumë gurë xhevahiri e diamante plot ngjyra ylberi zbulon e nxjerr në sipërfaqe.

Është vendi këtu të kujtoj faktin shumë domethënës, ku specialistët e kësaj fushe kanë arritur të zbulojnë se, edhe kënga e vjetër për Kostandinin që ngrihet nga varri e sjell në shtëpi të motrën, Dhoqinën, e ka burimin në krahinën tonë, në Zagori. Shumë argumente që sjellin specialistët e fushës e konfirmojnë këtë zbulim të madh të folklorit tonë, një gjetje tepër interesante për krahinën tonë, më së pari, por edhe për gjithë trashëgiminë kulturore folklorike në rang vendi.

Synimi im është të rendis në këto shënime disa prej riteve zakonore, si dhe këngë që interpretohen në dasmën zagorite. Duke menduar se në  “minierë” ka ende shumë mineral të pazbuluar e lë të hapur shtegun për plotësim me tekste të tjera këngësh, për saktësime, pse jo edhe për korrigjime, aty ku do të jetë e nevojshme. E them këtë sepse kam gjetur nëpër fshatra mendime të ndryshme për ditët e sakta kur zhvillohen disa rite e doke zakonore. Unë thjesht po rendis këngë e rite tradicionale, me një kronologji aq sa mund të bëj si një qëmtuese, pa u futur dhe pa marrë përsipër gjykimin profesional të tyre, detyrë që u takon specialistëve të fushës. Po ndalem te dasma, pasi kjo është dhe ceremonia ku evidentohen më së shumti dhe më të plota ritet zakonore zagorite, si dhe interpretohen mjaft nga këngët tradicionale të krahinës sonë….