Titulli: Dheu që dhemb
Autori: KADRI KADI
Redaktor: Demir GJERGJI
Botimi i parë, 2017

Përgatiti për botim: Roland Lushi

Formati : 14x20cm
Të gjitha të drejtat i takojnë autorit

Botimet ADA
Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Nasi Pavllo Nr.20
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, prill 2017

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Kadi, Kadri
Dheu që dhemb : shkrime / Kadri Kadi ; red.
Demir Gjergji. – Tiranë : Ada, 2017
202 f. : me foto ; 20 cm.
ISBN 978-9928-223-87-6
1.Letërsia shqipe 2.Kujtime
821.18 -94

DHEU QË DHEMB…

Pa u shuar ende avulli i librit të parë, “Mall e dashuri”, Kadri Kadiu vjen me një tjetër libër-bukëvale plot aromë, dritë e ngrohtësi Devolli, “Kur shpirti dhemb”.
Mbase po të jetonte këtu, në Shqipërinë tonë, në Devollin e tij, ai nuk do ta kishte këtë zjarrmi për t’iu kushtuar kujtimeve, përshkrimeve, tregimeve, etydeve dhe jetëshkrimit që e kanë gjithnjë burimin te shtrati dhe brigjet e lumit të tij, te thellësitë e fushës së vendlindjes, të shpirtit llagar të devollinjve.
Të qenit në anën tjetër të globit, përtej oqeanit, për Kadriun, ashtu si edhe për shumë bashkatdhetarë të tjerë, është dhembje e thellë e përzier me dashuri të madhe. Dhe nga kjo gjendje burojnë kujtime, mall, brenga, deri dhe lot, të cilët Kadriu i ka në qerpik të syrit, sapo bie fjala për këto anë.
Ditët dhe netët e Amerikës, ndonëse kanë diellin, ajrin, hënën, borën, shiun, erën dhe zërat e atjeshëm, thellë shpirtit të tij ato kanë një tjetër ndriçim e mistikë. Mjafton t’i mbyllë për një sekondë sytë dhe ja, gjithçka rreth tij, bëhet aromë Devolli, gurë e mollë Mançurishti, bëhet ushtimë Devolli, e qeshur aneje apo psherëtimë Xhaxhai, iso Ali Kondi , apo valle djemsh e vajzash devollite, bëhet kthesë Plloçe, kaltërim Gjoli, Lartësi Qafëthane, luginë Shkumbini apo tunel Kërrabe, bëhet zhurmë e rrëmujë Tirane, bëhet Shqipëri. Dhe në këto fraksione sekonde, ai shtrin hapësirat dhe kohën e kujtimeve të tij, e mbresave dhe mallit për njerëzit e gjakut, për miqtë dhe shokët, madje edhe për ata që “ia kanë bërë borxh” këtu, sepse zemra e tij e butë i tret lehtësisht mëritë dhe inatet. Të gjitha këto vijnë e radhiten në fjalë e fjali, në ngjarje e episode emocionuese.
Në shumicën e e shkrimeve të këtij libri të dytë të autorit ka dhemkë, brengë, zhgënjim, me të cilat ai mbase mbushet kur vjen këtu dhe gjen një tjetër Devoll, të rraskapitur e të drobitur, një tjetër Shqipëri të lodhur nga mundimet dhe padrejtësitë, gjen atë tjerë njerëz të shfytyruar prej babëzisë nga njëra anë, dhe prej varfërisë nga ana tjetër, sheh me sy rrëgjimin e ëndrrës, me të cilën rron si me ajrin atje, përtej, në mërgim. I ndodhur para një zhgënjimi të tillë, ai mbase thotë me fill të frymës që të mos e dëgjojnë të tjerët: “Ç’bëra që erdha!”. Dhe një tjetër lot i ndrit tinëz në qerpik. I ngarkuar me këtë zhgënjim ai merr qiejt e degdiset përsëri atje në “Parajsën e vështirë“, ku fillon t’i ripërtypë si ka i vjetër, i lodhur nga brazda, ato që ka “kullotur” këtu. Në “ripërtypje” e sipër”, sërish vala e mallit i kthjellon qiejt e vendlindjes, sërish dhembjes dhe zhgënjimit ia le vendin malli dhe dashuria dhe si në magji, Devolli i tij, Shqipëria e shpirtit bëhen të bukur, të mirë të dhembshur. Dhe tani një tjetër pikë loti i ndrit te cepi i syrit, është loti i mallit të madh të një shpirti që do të flijohej si i të parë tanë, për këtë Atdhe, që në të shumtën e herës na u bë dhimbje, barrë, dhe pikëllim. Në këtë gjendje ai ulet netëve nën dritën e një Atdheu të dytë, siç shtrihej dukur përmbys mbi rrogozin e vjetër për të bërë detyrat e shtëpisë dhe nis e shkruan:
“Po tregoj një histori të moçme por që mbetet gjithmonë e re me mesazhin që jep dhe për ditët e sotme. Me të dëgjuar e kam, babai ma ka treguar, por që disa nga protagonistët e kësaj ngjarjeje, unë dhe moshatarët e mi në Fshatin tim i kemi njohur dhe i mbajmë mend.
Ngjarja është kjo:….”
Dhe ngjarjet, dhe njerëzit dhe peizazhet, dhe dramat e dasmat, dhe jetët shpalosen njëra pas tjetrës si fustanellat në “Devolliçe”.
Ja ku janë, i dashur lexues, te ky libër, në vazhdim të atyre që keni lexuar në librin e parë të Kadriut. Po aq interesante si ato, mbase me një nivel më të lartë mjeshtërie të rrëfyeri dhe një ngritje artistike në ndërtimin e tyre.
Pasi i lexova të gjitha një për një (shumë prej tyre i kisha lexuar më parë në internet), më erdhi nga zemra falënderimi për autorin dhe për ty, dashur lexues, shpirti më nxori urimin: “Lexim të mbarë!”
DEMIR GJERGJI