Poezi nga Nezi Plaku Velaj
Korrektor letrar: Namik Selmani

Botimi i parë, 2020
ISBN: 978-9928-296-96-2

Përgatiti për botim: Roland Lushi

©Të gjitha të drejtat i takojnë autores

Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall 32. Ap. 7
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, mars 2020

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Plaku (Velaj), Nezi
Dialogoj me vitet : poezi / Nezi Plaku
(Velaj). – Tiranë : Ada, 2020
144 f. ; 20 cm.
ISBN 978-9928-296-96-2
1.Letërsia shqipe 2.Poezia
821.18 -1

Ngrohtësia e një poezie
që zgjon zjarrin e vendlindjes
Nga Namik Selmani, shkrimtar

Në vitet e mësimdhënies së letërsisë në shkollat e mesme, përherë ia bëja nxënësve pyetjen intriguese kur ishte fjala për të madhin Lasgush Poradeci
“Kush e bëri poet Poradecin vetë magjia e liqenit, apo ai ia kalonte për nga frymëzimi atij liqeni për t’u bërë Liqeni i Lirikave?”
Oh, do të doja që këtë pyetja ta bëja një poeti si Bilal Xhaferi se sa kishte vepruar brenda krijimtarië së tij fryma çame.
Nuk ka rëndësi përgjigja. Nezi Plaku Velaj është shembulli më i ndritur i këtij misteri të bukur poetik.
Mos e pyesni atë se pse kaq vonë ka trokitur në dyert e poezisë! Në Amerikë askush nuk i pyet ato për moshën që ato kanë dhe për paratë që kanë në xhep ose në bankë.
Jo si ato mollëza të dridhura të një hallexhiu që nuk e di a do të hapet apo do të qëndrojë memece para syve të tij të ngulshëm e pak të trishtuar nga halli që ai ka.
Jo, Nezi Plaku përherë e ka patur dhe e ka poezinë brenda vetes. Ka shetitur në botë, por kur ka shkuar në Konispol në vendlindjen e prindërve të saj ajo pa dyshim ka mbetur brenda sinorëve të Furrës.
Motivi i Zjarrmimit të Furrës është i lashtë sa është vetë bota. Mbase edhe është përlotur pak kur ka prekur atë realitet dikur të ëndërrt.
E nënat çame (një prej tyre është dhe vetë ajo pavarësisht se ku ka jetuar, ku ka mësuar e ku jeton tani). Ato kishin ritin magjik të ndezjes prometeane të furrës. Në mbrëmje ato linin në qoshe të furrës pak zjarr dhe të nesërmen me disa shkarpa e ndiznin atë pa patur nevojë për shkrepse.
E pra, në tërë vitet e jetës së saj ajo nuk e ka hirëzuar asnjëherë pasionin për poezinë e sidomos atë të Çamërisë.
Kohë më parë në vitet 60 kur ajo ishte ende e vogël pikërisht afër Konsipolit që bashkë me Janinën ka qenë një nga Kryeqyetet e Çamërisë së këndej kufirit një vajzë moskovite ishte martuar me një çam. Dhe kur e shkeli këtë truall, kur provoi gjellët e furrave me vaj ulliri, kur ngrohu gjoksin me këtë zjarr tha: ”Oh, besomë miku im, Vërva jote afër Konispolit, qënka më e ngrohtë se Moska ime!!”.
Nezi Plaku nuk ka dashur kurora për atë poezi të ndier që ka.
Po unë them me plot gojë se letërsisë çame do i mungonte shumë frymë nëse nuk do të kishte këtë poezi.
Edhe letërsisë feministe të viteve të fundit pa dyshim do i mungonte një frymë e re po të mos ishe në këtë skenë edhe letërsia që krijon prej disa vitesh Nezi Plaku Velaj.
Në Shqipëri, në Kosovë në diasporë, sot botohen mjaft poezi për Çamërinë, po ato janë poezi tribunale pa kujtesë, pa frymë, pa ndjesi. Nezi e ka afër këtë poezi me jetën me historitë, me faqolet e pastra, si i thonin shamive. Ato shami dore që i mbanin grate came gati për të fshirë çdo gjë të vogël në fytyrë, në rrudha e në flokët e tyre me bishtaleca.
Poezia e Nezi Plaku Velaj ka frymën e DIALOGUT, ka aromën e DIALOGU aq të munguar dhe të vrarë në këtë botë me kaq tallaze. Me një ndryshim të madh.
E ka nisur së pari këtë dialog me veten. E në këtë rrjedhe fjalësh gjestesh, nojmesh si thuhet çamçe është një bolorimë (ulerime) e madhe mbrenda vetes. Është një gurgullimë. Është një piskamë bjeshke. Është një ortekim motivesh njëri më aktual se tjetri.
Është një ortek që ajo dhe vtëm ajo e di se ku nisen ku ecin dhe ku rrokulisen në shortin e saj pak sa të lodhur, të bukur, të kalueshëm bujar e, mbi të gjitha, të pamposhtur ballë jetës.
Më tej dialogu ecën me nënën (oh, sa poezi ka në to!) vazhdon me babain, me vajzat me burrin. Kudo ka dritë, ka dhimbje, ka shpirt demoniak, por edhe shumë të butë të kadifenjtë.
Mos u çuditni se në këtë univers dialogu ajo dialogon dhe me gurët e vendlindjes me bajamet e Konispolit që janë më të mirat.
E përtej këtij dialogu, është ajo dashuri sublime gati hyjnore për vendlindjen, për Konispolin.

I dua bukuritë e vendlindjes time t’i shikoj me mall.
Dua të shëtis çdo pëllëmbë toke dhe me të çmallem.
Dua të ndjej flladin e malit të lartë të Saraqinit.
Gurgullimën e ujit të florinjtë të kroit të Agait.
Të shoh rrezet e praruara të agimit të artë
Si feksin dielli në ato pllaja.

Në vargun e saj është e ëmbël, e bukur, drithëruese mëmësia . Ajo është një vazë lozonjare dhe e fortë e këtë ia rrefën nënës, ia rëfen babait që i ka munguar
Mëmësia si vajzë si nënë tek poezia e saj merr një origjinalitet të theksuar.
Si çame e butë e fjalëkadifenjtë ajo lidh kohërat te poezia e saj. Vargjet e saj herë herë ecin me gallop e herë ecin ngadalë pa e mbyllur derën optimizmit.
Sërish hap pas hapi në poezi vjen sërish bolorima.
Vjen JETA që merr pozën e profesores para saj e ajo është nxënësja më e mirë para saj, më e forta, më e vemendshmja.
Që shumë herë bëhet migjeniane para kësaj jete.
Ajo ka brenda mallkimin e Ajkunës. Jo të asaj Ajkune që i drejtohet hënës , po i drejtohet atyre që shumë herë ia kanë plagosur e ia kanë vrarë jetën.
E pak nga pak, poezia e saj mer simbolikën e Qëndresës që e kemi dhe duhet ta kemi të gjithë.

Ajo zgjodhi të ishte një grua një nënë.
Krenarinë e saj ka zgjedhur për shoqërues.
Ajo është e shenjtë, s’lejon të shkelet me këmbë.
Do të shkëlqejë si ka shkëlqyer gjithmonë.

Përtej mëmësisë është dhe dialogu me vajzat e saj urimi i saj poetik është që ato të mos bëhen si jeta e saj.

Nga dora të mbaja çdo ditë kur ti shkoje në shkollë.
Të krihja me kujdes, në kokë një fjongo të vija.
Jaka e bardhë e qëndisur, të ndrinte në gushë.
Të rriteshe e lumtur doja,
Fëmijë e pafat mos të ishe si unë

Një dialog të ëmbël si gjyshe, poetja Nezi Plaku Velaj bën edhe me mbesat e saj që i don shumë dhe ju thotë

Ju erdhët si dy zana të bukura në përralla.
Ngazëllyet zemrat tona, shkëlqyet si dy lule me vesë.
Morët gjyshërit për dore në rresht si në një valle.
I shoqëruat tek lokali për të ngrënë një drekë.

Mos u çuditni ku ajo si qytetare e vendit të vet po aq sa dhe universale shqetësohet për këtë ndotje shpritërore dhe biologjike që ka marrë bota.

Përse dielli s`shkëlqen si më parë?
Përse rrezet të dëshpëruara derdhen
Përse nuk depërtojnë në damarët e tokës së çarë?
Përse tokën rrezet sa duhet s`e ngrohin?
Përse është tharë, është bërë shkrumb nga të nxehtit?

Në këtë grup poezish do të veçoja poezinë e një djali që i drejtohet Presidentit të Amerikës dhe i tregon për vuajtjet e kombit të vet. Mjaft detaje në të. Një poezi antologjike.
Nezi Plaku ka shumë udhë. Ka shkelur në shumë prej tyre dhe ka ende shumë për të shkelur. Në këtë turravrap ajo ka dhe fjalën e poetes që e merr me vete dhe e ngroh në ato ditë të ftohta ta saj.

Rrugët i marrin të brengosur herët në agim.
Me dhimbje e lënë zemrën prapa.
Me kokë të këputur, me sy të lotuar, me një brengë në shpirt
Me shikimin vetëm përpara ikin të detyruar.
Ku vallë kanë për të shkuar?

Të emocionin fjala e saj për gjuhën shqipe . Ka dëgjuar çamërishten e ëmbël, për të cilën Naim Frashëri do ta quante “gluhë perëndie”. Ka ecur më magjinë e gjuhës dhe vargjet e saj për të janë monumentale.

Në gjuhën shqipe jam mësuar që e vogël të flas.
Në shqip u kënduan këngët e zanave të maleve.
Në gjuhën time qaja kur vritesha, bija për tokë.
Në gjuhën time flisja, pastaj kur ngrihesha.

Sa ndjesore që është poezia e saj! Shikoni një çast poezinë për bajamet! Sa bukur flitet në detaje për të. Ajo si një poete me mjaft përvojë e di sekretin e një poezie mjaft të bukur kur ajo vjen përmes detajit.
Sa botë ka mes tyre! Sa kujtime! Sa mbresa!

Do ta marr një degë, nga pema jote, do ta këpus.
Lulet që kanë çelur margaritar, me dorën time do t’i ballsamos.
Do t’i ruaj me kujdes që të jetojnë sa më gjatë.
Të shmallem me to, kur për Konispolin të kem mall.
Ta vendos mu në krye të shtëpisë, ta kem ballë për ballë.
Kujtimet e fëmijërisë si relike t’i ruaj brenda degës së saj.

Ka nisur një rrugë të bukur Nezi Plaku Velaj me poezinë e saj. Janë dy libra buqetë për zemrën e saj fisnike për lexuesit e mbarë trojeve shqiptare e premtimi i poezisë së saj është i madh.
Është një bekim që ia ka dhënë asaj kujtimi i vyer i prindërve të saj që ia jep shpirti i saj i madh dhe fisnik.