Nga botimet më të fundit të shtëpisë botuese “ADA”
Autor: Xhuljeta Kondi
Titulli:
© Copyright: Xhuljeta Kondi
Redaktor letrar,
organizimi grafik,
kopertina Arben Bllaci
Shtëpia Botuese “ADA”
Rruga: Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7
E-mail: rlushi@yahoo.it
Cel: +3554 68 221 9016
Tiranë, shtator 2019
SHTYPUN NË SHTYPSHKRONJËN E SHTËPISË BOTUESE”ADA”
TË GJITHË LIBRAT E BOTUAR TE SHTËPIA BOTUESE “ADA”
GJENDEN NË BIBLIOTEKËN KOMBËTARE TIRANË
CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Kondi, Xhuljeta
Diçka po vdes mes buzëve: poezi / Xhuljeta Kondi;
red. Arben Bllaci. – Tiranë: Ada, 2019
ISBN 978-9928-296-54-2
1. Letërsia shqipe 2. Poezia
821.18 -1
DY FJALË
PËR LEXUESIN
Poezia për mua është më shumë se një prelud që përshfaq ngjyrat e shpirtit në tablonë e jetës. Është forca që të tërheq duke të magjepsur me muzikalitetin fjalë-shpirt, që të bën të harrosh gjithçka duke harmonizuar fjalën dhe shpirtin për të përftuar ndjesitë më të thella. Është dhimbja ajo që mban peshën më të madhe në vargjet e poezisë, që e ndrydhur në shpirt aktivizohet, shpërthen e stimulon në një moment të papërcaktuar nga kujtesa, malli, nostalgjia, dashuria e shumë ndjesi të tjera që ke dëshirë t’i bësh vargje.
Mjafton të kesh dëshirë të sfidosh një dhimbje dhe
do përpiqesh ta gjesh mënyrën për ta sfiduar. Unë gjeta
rrugën e poezisë, në kërkim të dritës, të shpresës, besimit
dhe dëshirës për të fituar mbi dhimbjen. Të shkruash poezi do të thotë për mua një arsye për t’u ringritur sërisht, është njëherësh sfidë ndaj shtjellave të hidhura të jetës.
Këtë dorë me poezi ia kam dedikuar krijesës më delikate
dhe më të brishtë, krijesës më të fortë dhe të guximshme,
gruas. Nëpërmjet vargjeve të mia kam dashur
të përcjell atë që gruaja përjeton si këngë e si vajtim, si
shpresë e si lëngim, si të mirë e si të keqe. Këto vargje
vijnë edhe si shkak, edhe si pasojë, edhe si arsye, edhe si
instikt i femrës, sidomos në jetën në emigrim ku gruaja
vuan më shumë ato plagë që edhe pse të përthara, ende
djegin. Ajo zhvesh shpirtin me të vërtetën e padiskutueshme
ndaj të keqes së sotme; ligësinë e pamëshirëshme të
kohës. Ajo kërkon të rrëfejë të vërtetën, atë që as shtrëngatat e saj nuk e mposhtin, vendin engjëllor të dashurisë së saj. Ato hyjnë në vargjet e mia si Eva pa emër, në të gjitha rolet. Hyjnë si personazhe me emër, por njëherësh krejt anonime, duke ndeshur shpirtin tim në çdo varg.
Sepse jam dhe unë një grua si ato.
Në këtë libër ju, të dashur miq e mikesha të miat do
të gjeni me lehtësi shpirtin e gruas që vuan vetminë, lotin
e vajzës së tradhëtuar, dhimbjen e nënës për fëmijën,
traumën e gruas së poshtëruar, xhelozinë, kurajën e femrës për të fituar shpresën, për të qenë e bashkuar në çift. Dihet, në esencë gruaja shfaqet si nyje nervore nga ku burojnë mijëra fije të ndjeshme; marrëdhëniet e saj me botën. Këto fije kanë mbaresat e tyre që reagojnë ndaj fenomeneve, ndaj sjelljeve të shoqërisë përballë saj. Gruaja është nervi i shoqërisë, por gjithnjë mbetet një “Evë” e fajshme në pafajsinë e saj. Kurse “Adami” nuk mbetet anonim, është një kavalier i kohës moderne që shoqëron “damat në çdo kërcim.”
Ato që përjeton një grua në jetë, ajo e brishta dhe e lënduara në sytë e njeriut të saj të dashur nxiti muzën time, vargjet për të. Një vërshim vargjesh gërshetuar me harmoninë dhe kujdesin e mendimit dhe shqetësimit për të.
Për gruan që mban emrin dashuri, për dashurinë që
mban emrin grua…
Autorja