… Dimrat e fatit është një koleksion poezish që tregon një jetë të tërë emocionesh, gëzimesh, ndezjesh, por mbi të gjitha vuajtjesh, të pranuara me forcë të jashtëzakonshme nga autorja…

Titulli:
-Poezi-

-Autore: Dava Nikolli
-Redaktore & korrektore: Vjollca Shurdha
-NB/.Redaktimi e korrektimi i këtij libri është bërë në bazë të liçencës poetike.

ISBN: 978-9928-296-57-3
Përgatiti për botim: Roland Lushi
© Të gjitha të drejtat janë të autores

Shtëpia Botuese “ADA”
Rruga: Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7
E-mail: rlushi@yahoo.it
Cel: +3554 68 221 9016
Tiranë, shtator 2019

SHTYPUN NË SHTYPSHKRONJËN E SHTËPISË BOTUESE”ADA”
TË GJITHË LIBRAT E BOTUAR TE SHTËPIA BOTUESE “ADA”
GJENDEN NË BIBLIOTEKËN KOMBËTARE TIRANË

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Nikolli, Dava
Dimrat e fatit : poezi / Dava Nikolli ;
red. Vjollca Shurdha.
– Tiranë : Ada, 2019
192 f. ; 20 cm.
ISBN 978-9928-296-57-3
1.Letërsia shqipe 2.Poezia
821.18 -1

PARATHËNIE

Ekziston një territor i panjohur që vetëm poetët mund të eksplorojnë, vetëm ata kanë çelsin e zbërthimit tek enigma.”Dimrat e fatit” është një koleksion poezish që tregon një jetë të tërë: emocionesh, gëzimesh, ndezjesh, por mbi të gjitha vuajtjesh, të pranuara me forcë të jashtëzakonshme nga autorja. Qëllimisht, në mënyrë të kujdesshme e me shumë përpikmëri, poetja Dava Nikolli në vëllimin e radhës ka përdoruar metaforikamente dimrin në titull “Dimrat e fatit”. Instiktivisht vetëkuptohet e nënkuptohet sesa dhimbje e ofshamë shpirti ka në krijimet e njëpasnjëshme. Dhimbja flet, dhimbja ther, dhimbja vret e lëndon por…kur shprehet e kthehet në art fisnikëron:
“Dimër: Curril pikojnë lotët e dhimbjes,/ditë për ditë derisa kthehen në valë./Dimër ka natyra, dimër ka shpirti,/pa durim pret pranverën e bardhë./Erërat e ngadalsojnë hapin, /dimrit t’ia shkulin rrënjët ngadalë!”
Nëse poezia është pasqyra e ndjenjave më intime, poetja Dava Nikolli është sigurisht poete. “Të krijosh poezi do të thotë të prekësh kordat e zemrës e me to të krijosh muzikë“ (Dennis Gabor)…ndaj autorja është këngëtare njëkohësisht edhe e një qytetërimi, ku fatkeqësishtvlerat e forta njerëzore po zhduken në heshtje. Besimi dhe dashuria për jetën, për të ardhmen janë binarë mbi të cilët ka udhëtuar gjithmonë: Besimi në Zot, i domosdoshëm për të pranuar tragjeditë që e kanë përfshirë pamëshirshëm gjatë jetës, në çdo formë, dhe paralelisht në binarin dashuri: Dashurinë për fëmijët, motrat, vëllezërit, mbesën, për kujtimin e të afërmve të zemrës, për vendin dhe për historinë e tij. Dashuri ndien edhe për natyrën që përshkon gjithçka e gjithçka duket të japë një ndjenjë e një kuptim.
Vëllimi i dedikohet veçanërisht nënës Mari që i la jetimë në moshë të re. Autorja u desh të mbante barrën e rëndë të përgjegjësisë së rritjes të njomzakëvevëllezër-motra mbi supet e saj ende të njomë. Iu desh t’u buzëqeshte vocrrakëve jetimë, edhe pse në sytë e bukur si zmerald, notonin lundërza trishtimi në liqen lotësh të pasqyruar në to, lot që ngujoheshin brenda shpirtit. Mendimet e poetes, fjalët e saj, veprimet e saj, reflektojnë çdo ditë në nënën e shtrenjtë; të vuajturës, të aftës, të dashurës. Guida me potente. Ka sfiduar vështirësitë e jetës (edhe pse shumë shpejt u kthye në engjëllushe e qiellit) duke u shndërruar në një pishtar-këshilltare për të ecur drejt shtigjeve të jetës; duke dhënë atë forcë, besim e dashuri që vetëm një nënë di të japë sidoqoftë prezenca e saj qiellore o tokësore.
“Unë njomzakja e saj,/mblidhja oborrit gjashtë engjëjt që la pas./Të trishtuar ia rrethuam arkivolin,/i thërrisnim emrit Mari, në vaj!/Përse na e la të shkretë shpirtin?/Përse na e preve buzëve tona, çdo gaz’?!
Ndërsa në. ”EMRI YT I SHENJTË” shkruan:
“Ti nënë e mrekullueshmja nënë! /Je e vetmja poezi me varg të gjatë. /Vetëm ti nënë i përket gjithësive,/m’i përkëdhel ëndrrat e mia ditë e natë. /Ka kohë, veç heshtja ty të lexon,/o emri më i bukur i krejt antologjive!
Për poeten aftësia për të reaguar arrin më vonë, gjatë viteve dhe përbëhet nga një dhunti e veçantë, e mbyllur në një penë që e lejon të hyjë në relacion ndërmjet e nëpërmjet fjalës me gjithçka. Arrin dhuntia e fluturimit mbi njerëzit dhe gjërat, për të rivitalizuar gëzimet dhe dhimbjet si në trançe, për t’i përkthyer ato në vargje, në rima, në fjalë, në artin e saj të bukur edhe kur rrjedhin si ujvarë lot dhimbjesh mbi fletën e bardhë. Nuk gjejmë në krijimet e autores fjalë të ngulura si gozhda mbi fletë, por fletë të mbushura me fjalë që arrijnë drejtnë zemër, atje ku heshtja çon drejt humnerës, atje ku zemra është e coptuar, e plagosur e ringjallet në to!
Atit të dashur i shkruan: ”Dhe zgjatet ajo dorë nga qielli tek unë,/më jep kurajo, udhën për të vazhduar./Pasi çmallem me at’ dorë, i them:/vetëm Zoti e di, se sa më ke munguar!/Sa herë marrë frymë të kujtoj!/Në heshtje të them: Babë i shtrenjtë më fal!/S’ka ditë që s’të përmend, ku shkoj./Je me mua deri kur fryma të më ndalë!”
Motrës së saj të shtrenjtë që u shua në moshë të re “Sot të vajton motra me ligjërime,/të pres e të përcjellë nëpër kujtime./Erdhe në kët’ jetë si engjëll, e ashtu ike…/o vajza më e bukur e kësaj Mirdite!”
Gjithashtu u kushton krijime në këtë vëllim të gjithëveqë janë të dashur për të, por që tani nuk janë më.
Poetja ka momente të krizës së veçantë të dëshpërimit dhe vuajtjes ku i drejtohet Zotitmëshirëplot me disa vargje në formë lutjesh: Ofshama e saj në poezinë “Ku je o i madhi Zot “shkon në kupë të qiellit.
“Ku je o i madhi Zot?!/Që vetëm fëmijë vriten pa mëshirë./U mbushën lumenj me gjak e lot,/ëndrra engjëjsh ikin përditë, pa lamtumirë!/Ku je o i madhi Zot! Ku je?!/Shihi sesi i mbush xhepat mizoria./Krejt sistemet i shtrojnë udhët sot, si dje, /me gjak e lot fëmijësh, jeton “mbretëria”!Nën gërmadha shoh sy fëmijësh, /gjymtyrë, shpërndarë kudo nëpër tokë./Oooo, ku je fshehur oj Perendi!/Që s’i djeg në zjarr, mizoritë nëpër botë!“
Nuk është lehtë të krijohet njëkohësisht në nivele të ndryshme emotive pa humbur fillin dirigjent nga fillimi në fund! Duhet kujdes me fjalët sepse janë si urat lidhin,por janë edhe si shpata, godasin e vrasin simbas përdorimit. Poetja i bën një analizë përdorimit të fjalës nëpërmjet udhës strukturale. Mënyra sesi e përdor atë tregon kulturë e shprehje të nivelit të përgjithshëm kulturor. Ka kulturë kur heshtet por ka kulturë edhe kur flitet në kushte të caktuara. Format e komunikimit i shtrohen gjithmonë një kulture të caktuar por mbi të gjitha në formimin e qënies NJERI. Nga këtu e ka zanafillën krijimi: S’DUHET HESHTUR!
“S’duhet heshtur asnjëherë,/para njerëzve që thurin intriga./Para thashethemegjinjve,/që pranverat t’i bëjnë dimra!/Para atyre që vetlavdërohen,/a injorancës që shitet si e ditur./Para hipokritëve që maskohen,/dhe të pushtetarëve të shitur!”
Duke qëndruar në temë me inteligjencën u dedikohet poetëve të mëdhenj, letrarë siMigjeni për të cilin ndër të tjerash shkruan:
“Migjeni i madh më mësoi, /t’i mbledh fort grushtat e rebelimit./Skizofrenisë politike t’i rezistoj, me mllefin e shpërthimit…
…Eh, madhështori Migjen!/S’di ç’të shkruaj për “bukurinë që vret”/Si kohës tënde e më keq, model s’i gjen,/pozojnë sharm blicash në parlament!
Për “bukën e përditëshme” s’mendohen,/pas një shekulli vdesin nga uria ende fëmijë./Për një kile misër a grurë masakrohen,/vriten me njëri-tjetrin djemtë e rinj!/”Legjenda e misrit” erdh’ deri më sot,/jetesa e ditës është “moll’ e ndaluar”/Fukarenjtë as me ujin s’ngopen dot,/veç politika, ulet tavolinash shtruar!
Ti i madhi Migjen dikur shkrove!/”Një natë pa dritë” dhe film e kanë bërë./Sa të drejt kishe kur në varg u revoltove!/Sot errësirën e kanë në shpirt të tërë”
Penës së ndritur Dritëro Agollit: “Diamantin, jo çdokush e përballon!/Ai burrë fisnik, mendjendrituri poet./Ndër breza radhazi/fjalë arti, dritëron…/mos vajtoni, ai veç ditëlindje do të ket’!,”
E më pas në“Ti je Ylli i Drites” shkruan: ”Ndaj fli i qetë o Nderi i Kombit!/Ti je vetë Ylli i Dritës që vdekje s’pranon./Je krenari e çdo shqiptari, o bir i Devollit!/Në çdo zemër atdhetari, ti jeton!“
Këngëtares së shquar Vaçe Zela”
“E gjallë në pentagramin e këngës!/Në notat melodike Vaçe Zela është e gjallë./Si çelsi magjik, akujt ia shkrinë zemrës,/erdh’ si zane, dhe iku si një baladë! “
Poetit Ndoc Gjetja “Nëpër shekuj me vargje në gji /udhëtove: O poet i fjalës së artë! /Nëpër labirinthet e kohës u strehove; o bilbil i poezisë së zjarrtë!”
Përjetësisht e adhuruar në -Albert Einstein-sepse
“Sepse, askush kësaj bote s’ka guxuar,dhe as nuk guxon,/teorinë e tij për ta kundërshtuar!”
Poezia nuk është detyrë matematike por emocione, ndaj shkruan e shkruan autorja gjatë vëllimit kushtime të shumta: Figurave të shquara që lanë emër e bënë histori kohrave, Atdheut, vendlindjes, por vajton edhe fatin e saj e të shumë shqiptarëve të emigruar. Gjendja e të qënit në emigracion është për poeten emigrante e bashkëvuajtësve një identitet i dhimbshëm. Në poezinë “Oh medet” na sjell udhëtimin thelbësor të brendshëm, për të kërkuar -identitetin dhe kuptimin e jetës në periudha veçanërisht delikate e të pafajshme të ekzistencës së shqiptarëve. Nëpërmjet krijimesh me këtë temë karakterizon gjithmonë udhëtimin e njeriut të vuajtur shpirtërisht në emigracion, pavarësisht të mirave materiale. Shpreh impulset e mbetura pezull në kërkim të gjetjes së themelit të thellë të stabilitetit. Bën kështu nëpërmjet vargjesh thirrje botës, për një vetëdije, që të shkohet e shikohet përtej materializmit. Në kufijtë kohorë të përqafohet një vizion për ekzistencën humane e shëruar këtë plagë globale -EMIGRIM-
“Sot i rreh era, breshëri, i gjuan moti, /oh, medet, oh medet. /Sa rëndë shqiptarët i ka dënuar Zoti,/me Atdhe, pa Atdhe, as varre me u tret…”
Ironike në poezinë JAM DURIMI!
“Ti, një gacë e mbuluar një jetë të tërë,/të mbuloi hiri aq thellë nën qerpik. /Humbe, pastaj si gjëmbi mbi ferrë,/dole, dhe shpove trurin tënd hipokrit! “
Patjetër që vepra ka shumë vlera sepse ka brenda një simbolistikë të pasur dhe mesazhe jetike, por poezitë në të’ janë gjithashtu një dëshmi civile, sepseautorja nuk është e mbyllur brenda një mburoje hermetike, përkundrazi jeton e përzier me realitetin, ndjek lajmet çdo ditë, lexon gazetat, shikon tv, informohet. Përlotet përpara të rënëve, përpara tragjedive, i bën homazhe dëshmorëve e ngre zërin kundër padrejtësive. Disa poezi kanë tonin e balladës, të tjerat janë si thirrje të shenjta, me të tjera akoma mund të kompozohen partitura të dhimbshme që e ka zanafillën shumë larg. Emocioni është i sinqertë! Një lumë perkarshi që nuk fle të duket ndërsa shpalosen një e nga një krijimet e këtij vëllimi. Titulli “Dimrat e fatit” askund nuk mund të ishte më i përshtatshëm se në këto faqe. Shpesh gjatë krijimeve ndeshim në mbylljen e parajsës, të Edenit tashmë të humbur: “Dje u mbyt anija e premtimit,/hëna është bërë pesimiste s’duket./Sot përplaset anija e besimit,/vajton vala besnikërinë që zhduket!” Megjithatë me ndjeshmëri dhe dashuri poetja Dava Nikolli arrin, ringrihet dhe e ringjall personalitetin e saj. ”Shpirtit në labirinthe t’i futem,/t’ia ndez vetë zjarrin, lumturisë!” Nganjëherë ironike nganjëherë naive, nazike, malinkolike, nganjëherëëndërruese, autorja di sesi ta ndryshojë regjistrin emotiv. Di të na shfaqë një skenar të ri me regji të re ku; jep jetë, jep shpirtin, jep një histori, një ndjenjë edhe për gjërat në dukje të parëndësishme. Kjo mrekulli i takon vetëm poetes, ne të tjerëve na mbetet; kënaqësia e leximit dhe fati pranveror të kemi ndër duar “Dimrat e Fatit”!

Vjollca Shurdha
Poete –Shkrimtare –Perkthyese .
Itali.