…Ftesa për të lexuar këtë libër, bëhet sidomos ndaj lexuesve që ndjeshmërinë e zemrës, e shoqërojnë me vështrimin që shpaloset larg, ku puthet qielli me tokën dhe ëndrrat krijohen vetiu si imazh që ngulitet në mendje e nuk lëviz më prej andej…

 

Titulli: Ëndrra që s’i shohim ne

Autor: Gurali Spahillari

Redaktor letrar: Dr. Eris Rusi

 

Recezentë letrarë: Petrika RIZA

Klaudeta RIZA

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë 

Spahillari, Gurali

Ëndrra që s’i shohim ne : poezi / Gurali Spahillari ;

red. Eris Rusi. – Tiranë : Ada, 2023

144 f. ; 20 cm.

ISBN 978-9928-398-00-0

1.Letërsia shqipe  2.Poezia

821.18 -1

 

Parathënie

 

Uilliam Shekspiri e mbyll tragjedinë “Stuhia” me këto vargje: “Ne jemi të përbërë nga e njëjta lëndë si ëndrrat dhe në hapësirën e një ëndrre përmblidhet jeta jonë e shkurtër”. Çfarë imazhi dhe përfytyrimi ta gjesh njeriun të njëjtë me ëndrrat e tij, që flet, frymon dhe gëzohet brenda asaj ëndrre të shkurtër që është vetë jeta.

Pikërisht, këtë lajtmotiv që ushqen ndërgjegjen e njerëzimit, poeti Gurali Spahillari e vendos në qendër të përmbledhjes së tetë poetike “Ëndrra që s’i shohim ne”. Poezitë e përfshira në këtë libër, i mundësojnë lexuesit që të njihet me përfytyrimet e reja të poetit, që janë më afër intimes, më pranë shpirtit dhe ndjesive, që e bëjnë njeriun të ngrejë kokën lart, atje ku janë yjet dhe ëndrrat. Ndërkohë, bota tokësore është e ngatërruar në ato që janë vogëlsitë e ditës dhe të natyrës njerëzore: njerëz që shpërdorojnë  besimin, kujdesin, mirëqenien e të tjerëve, që ushqehen me egoizmin e pashoq për t’i bërë keq natyrës dhe shoqërisë, që synojnë të verbojnë sytë e shpirtit dhe ëndrra të mos ketë ose të paktën të mos i shohim ne.

Dhe për paradoks, a mund të mendohet që jeta jonë mund të bëjë pa ëndrrat?

Në këtë realitet, krijuesit dhe intelektualët e mirëfilltë mund të japin sinjalet e shpëtimit duke ofruar ëndrra që mund t’i japin dritë shoqërisë ku jetojnë. Një gjest mirësie, një akt zemërgjerë, një fjalë të ngrohtë, një rrahje shpatullash, të gjitha mund të përkthehen në ëndrrën e bukur që gjithkush të ndihet i dashur dhe i mbrojtur në këtë jetë. Ëndrrat identifikohen me qiellin e mbushur plot yje, me dritën hyjnore që zbret nga lart drejt shpirtit tonë, e kjo dritë  krijohet nga njerëz të kulturuar dhe shoqëria dhe lexuesit i ndiejnë flatrimet e ëndrrave, sepse kjo rrugë që çon drejt qiellit  është rruga më e mirë për t’i dhënë dritë shpirtit.

Ja si na e ofron këtë ndjesi, të magjisë që krijohet vetiu përbrenda, të dhuntisë që gëzon çdo krijesë mbi këto botë, për të ëndërruar e për t’iu avitur jetës me dashuri:

 

ËNDRRA QË S’I SHOHIM NE

 

Brenda tokës, thellë në gjoks

Flenë, ca ëndrra që s’i shohim,

Që buisin pa bërë zhurmë,

Por që shpirtin na e ngrohin!

 

Krejt pa pritur, pa kuptuar,

Manushaqja kryet ngre,

Me dy-tre gjethe nën tokë,

Plasarit dhe del mbi dhe!

 

Del nga toka si me turp

Dhe tërfili mbi livadh,

Me ca ëndrra fshehur tokës

Trëndafilë e jargavanë!

 

 

Para nesh pulson blerimi,

Tufa çaji, lule shqerra,

Dhe nga shkëmbi ëndrrat çelin,

Kur ik dimri, vjen pranvera!

 

 

Poezia shtrohet si një lëndinë e freskët, ku mund të zëmë vend, të mbyllim sytë e të përjetojmë. Gjithçka është ëndërr dhe jetë njëherësh. Frymëmarrja e së mirës, mbush kraharorin e tokës, të pemëve, të lumenjve, gjoksin e njeriut dhe shpirtin e hareshëm të krejt botës. Por ëndrrat kanë qenë ushqim edhe për jetën e figurave që kanë lënë gjurmë në historinë e vendit tonë, në konfliktet që kanë parë Kosovën të jetë mes zjarresh e vatrash të shkatërruara gjatë përndjekjes dhe luftës tragjike me Serbinë. Të tilla ëndrra kanë pasur Flora Brovina të cilën poeti e vlerëson si ikonë të humanizmit shqiptar, Shyhrete Gosalçi ( Kolonelja e parë e UÇK-së ) dhe motra e saj Shefqete Gosalçi e cila vlerësohet si bijë e Shqipes në poezinë kushtuar me ketë frymë.

Nga ëndrrat për liri, tek rrahjet e zemrës. Bashkë me ëndrrën, edhe malli. Poezia e poetit Gurali Spahillari, këtë brishtësi të ëmbël e përçon në përfytyrimet që lexuesi i merr dhe i jeton si të tijat. Gjithçka ngjan bukolike, falë këtyre poezive ne kemi mundësi që edhe për pak çaste të jetojmë një kohë pa kohë, të mbyllemi në vendin e bekuar ku jemi ne dhe ndjesitë tona, e zhurma e vetme që dëgjojmë është rrahja e zemrës, plot mall:

 

 

 

PO MË MERR MALLI ME VETE

 

Po më merr malli me vete,

Po s’kam flatra që ta ndjek,

Hyn si ajër brenda shpirtit,

Si qiri shpirtin ma tret!

 

 

Po më merr malli në krahë,

Mall po shuan porsi zjarr,

Dhe po tretet shpirti im,

Si një yll në të aguar!

 

Po më çon dhe në Moravë,

Nën ca krahë të një lisi,

Fërfërijnë ato ngadalë,

Deri sa të dalë shpirti!

 

Lexuesi mund të ndiejë, të përjetojë çdo fjalë, çdo frymëmarrje, çdo emocion të poetit, e njëherësh të gjejë përbrenda të mirën dhe dritën që e bën të ëndërrojë e të jetë i çlirët.

Por sa zgjat ky moment? Cili është çasti që përmbyll ëndrrën, deri në momentin e zgjimit, kur lexuesi rikthehet në realitet dhe e gjen veten të rrethuar nga dallgët e trazuara të jetës, kur e kupton që lundrimi nuk vështirësohet nga erërat e fatit, por nga njerëz të tjerë, që përpiqen ta zhysin thellë nën ujë e të mos dalë më.

Ndodh, e gjithmonë e më shpesh në këtë Shqipërinë tonë, që ëndrrat të kthehen në makthe, jo nga fijet e qiellit, por nga vullneti i njerëzve që drejtojnë, i atyre që nuk kanë respekt për traditën dhe vlerat e trashëguara në shekuj, nga ata që mendojnë të sundojnë, sikur të kenë lindur me privilegjin e të qenit sundimtarë mbi njerëzit e kësaj toke. Janë ata që zhveshin edhe nga emri edhe nga historia, figura të rëndësishme të kulturës dhe të Rilindjes sonë kombëtare, që ngjajnë të lënë në mëshirë të fatit e të paemërt në përditshmërinë sot. Këtë forcë, përcjell poezia “Çdo njeri e ka një emër”:

Emra kanë edhe Rilindësit

Shkrirë me shpirt gjithë pasurinë,

Por po humbin nëpër rrugë

Sepse emrat u janë fshirë!

 

Krenari Korçës i dhanë

Por dhe mbarë Shqiptarisë,

Tre legjenda emrat s’kanë

Qëndrojnë para bashkisë!

 

Brenda saj hyjnë zyrtarë

Si dikur ca pashallarë,

Me ca emra varur qafës

Dhe rilindësit rrinë menduar!

 

Se Asdreni s’ka gjymtyrë

S’ka as gojë që të flasë,

Duar e këmbë i kanë prerë

Rri i heshtur përmbi rasë!

 

Në përfundim, ftesa për të lexuar këtë libër, bëhet sidomos ndaj lexuesve që ndjeshmërinë e zemrës, e shoqërojnë me vështrimin që shpaloset larg, ku puthet qielli me tokën dhe ëndrrat krijohen vetiu si imazh që ngulitet në mendje e nuk lëviz më prej andej. Përfytyrimi krijon shtigje mes ëndrrës dhe botës sonë, ku mund të ecim dhe të përballemi me të bukurën, me të mirën, me të dashurën, me mallin për gjërat e ëmbla që i kemi përbrenda në shpirt, e sidomos me dashurinë: për njerëzit, për botën, për krejt jetën tonë.

 

Dr. Eris Rusi