Titulli: FISI I RAMAJVE LLAKAJVE TË KRAHËSIT TEPELENË

Autori: Reit Ramaj

Përgatiti për botim : Roland LUSHI

Formati: 14 X 20.5

ISBN:978-9928-223-68-5
© : Autori

Botimet ADA
Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Nasi Pavllo Nr.20
www.botimetada.com
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, mars 2017

Reit Ramaj

FISI I RAMAJVE
LLAKAJVE
TË KRAHËSIT
TEPELENË

Gjenealogjia historiko-familjare e fisit Ramaj –Llakaj

HYRJE

Këtë punim historik e nisa me shumë dëshirë dhe e punova
me përkushtim dhe me një ndjenjë të vecantë krenarie për
fisin Ramaj eLlakaj të Krahësit të Tepelenës.
Ua kushtoj këtë punim prindërve të mi, familjarëve dhe gjithë
fisit.
Fotoja e prindërve, e cila gjendet mbi komodinën pranë shtratit
tim, nuk shërben vetëm si një mundësi për t’u çmallur me ta, por
edhe si një rrugë lidhëse me të shkuarën, me kujtimet, mbresat
dhe gjurmët e shumta, të cilat ato kanë lënë tek unë
Theksoj se shtepia e Ramajve në fshatin tonë ka qenë bazë e
Luftës Nacionalçlirimtare dhe ka kontribut të cmuar si
materialisht ashtu edhe fizikisht. Prindërit tanë me zemër të
madhe, të urtë e bujarë punuan gjatë gjithë jetës, për të na rritur
e edukuar ne fëmijëve si më mirë, për t’u bërë të vlefshëm për
familjet tona, për atdheun e shoqërinë.
Shpesh më është kërkuar, duke filluar nga djali im i madh e
më gjerë, të shkruaja për fisin Ramaj dhe pastaj të përgatisja e
të botoja “Historikun e Fshatit Krahës”. Bashkë me Selamin
botuam historikun, pasi historia e një fshati është më e madhe se
ajo e një fisi dhe ajo ndriçon jo vetëm fisin Ramaj, por edhe
fshatin e trevën në përgjithësi.
Për botimin e këtij libri kam qenë i vetëm, kam shpenzuar
shumë kohë, jam munduar të zbuloj e të nxjerr në pah shumë të
vërteta nga takimet, studimet dhe hulumtimet që kam kryer.
Sigurisht që më ka ndihmuar shumë Pema e Hasan Ramës, e
lënë me shkrim nga ana e tij, (Hasan Çelua) para vdekjes, pa të
cilën nuk do të arrija deri në brezin e dhjetë, të cilin e kujtoj me
shumë mall, mirënjohje e përzemërsi.
Ky libër modest ka të dhëna të sakta për 10 breza të Ramajve
e Llakajve, pjesëtarë të një peme (Hasan Ramës), të cilat mendoj
se do t’ju vlejnë shumë brezave që pasojnë kudo që ata punojnë
e jetojnë.
Do të jetë sa dije, aq edhe krenari për ta, pasi ata i përkasin
një fisi të dëgjuar, me kontribute dhe shërbime të vyera jo vetëm
për veten e tyre, por edhe për fshatin, trevën dhe historinë e
vendit tonë.
Për përgatitjen e librit janë shfrytëzuar të dhëna gojore,
literaturë nga historianë, shkrimtarë e poet, por edhe të dhëna
nga Arkivi i Shtetit, Instituti i Historisë dhe Arkiva e
Kryegjyshatës Botërore.
U mundova të bëj më të mirën për pasqyrimin e vlerave të
fisit tonë në një hark kohor prej 300 vitesh, por nuk mendoj se
kam mundur t’i them të gjitha. Jam krenar dhe ndihem mirë se
shtrova një trase rruge për historinë e fisit të Ramajve, por kjo
nuk do të thotë se gjithçka është zbuluar e thënë. Mendoj se
është hapur një dritare nga ku, shumëkush nga Ramajt e Llakajt,
por edhe studiues të trevës e më gjerë, mund të sjellin të dhëna të
reja, duke e pasuruar atë, pasi burrat e këtij fisi dhe ata të Krahësit
të Tepelenës, kanë qenë të pranishëm në çdo moment të
rëndësishëm e kulmor të historisë së vendit tonë. Pranoni ndjesën
time nëse ka ndonjë gabim në radhitje apo për mungesën e fotove

Me shumë respekt,
I juaji,

REIT RAMAJ