Titulli:  Fluturojnë engjëjt

                   Poezi

Autore: Zyra Ahmetaj

 

 

Redaktor: Hamit Aliaj

Konsulente- Xhane Imeraj

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, mars 2023

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese ADA

 

 

NJË RREZE SHKËLZENI…

 

(Parathënie për librin e Zyra Ahmetajt)

 

Siç e kam thënë edhe në shkrime më të hershme të mijat, Shkēlzeni hyn në tri kryemalet e shënjta të shqiptarëve; Baba Tomorri, i cilësuar kështu nga Çajupi i madh, Baba Shkëlzeni e Baba Pashtriku, të cilët mund ti grupojmë ne, duke ecur në atë urë të madhe që e ngriti pleqnari i madh i artit, A.Z.Çajupi. E ky Shkëlzen i bekuar për të cilin thonë, se aty janë ngujuar Muji e Halili e ata do të dalin nga guri “sa herë të bjerë ngusht Shqipëria”. Ky Shkëlzen që sa ka bubullima e rrufe, lëshon edhe drita amësie e shprese, në hijen e tij, ka rritur djem e vajza që me urtinë e tyre, me artin e tyre, i kanë dhënë shumëçka botës shqiptare. Një rreze mirësie e Baba Shkēlzenit, është edhe Zyra Ahmetaj.

Zyra Ahmetajn e kam njohur herët, kur ajo ishte maturante në shkollën e mesme të Tropojës më 1975.

Ajo shkollë, u bë nga më të njohurat në Shqipëri. Kishte ansamblin artistik, nga më të mirët, kishte ekipin e volejbollit për femra, në kategorinë e parë dhe kampion vendi. E në gjithë këtë dritësim, kishte meritën e vet edhe Zyra Ahmetaj, një nxënëse e shkëlqyer dhe me energji të pashtershme, në të gjitha aktivitetet e rinisë së kohës.

Vinte nga Kepeneku i Bytyçit, që në mendësinë popullore të kohës, quhej zona më e “sojshme”, më e fisme e gjithë Tropojës. Vinte nga familja e Hoxhëve të Kepenekut, me plot tradita atdhetare; gjithkund e përmendur.

Më 1975, me statusin e poetit, isha i ftuar në mbrëmjen e tyre të maturës. Të nesërmen. të gjithë maturantët dhe nxënësit e dy klasave që mbyllën vitin e tretë, u nisën për në Elbasan, në aksionet e rinisë së asaj kohe. Pas një muaji, po ktheheshin me autobus në Tropojë dhe në malet e Mirditës, pikërisht në Shpal të Mirditës, ndodhi gjëma e madhe: -Autobusi ra në humnerë. Tre vajza, një djalë dhe shoferi, humbën jetën dhe shumë të tjerê u dëmtuan rëndë, ndër ta edhe Zyraja. Atë ditë e sot ajo është paraplegjike, por plot jetë e vitalitet. Ajo mund të ishte lirisht pedagoge në ndonjë fakultet, por fati nuk deshi. Megjithatë, ajo është një rreze drite e Shkëlzenit. Qëndresa e saj të jep frymëzim. Një arkitekte e shkëlqyer e veshjeve tradicionale të Tropojës. Një poete plot ndjenjë, pa shtirje. Flet vetëm me zemër. E shpallur më 2005 “Krenaria e qytetit Bajram Curri”, mundëson kurse falas në anglisht si bashkëpunëtore e koordinatore për Tropojën në shoqatat “Fryma e dashurisë”, “Shpresë e dashuri” etj., anëtare e Kryesisë së Paraplegjikëve e Tetraplegjikëve të Shqipërisë; rrezaton gjithkund mirësi e humanizëm.

Por mbi të gjitha ajo është poete, ndonëse shkruan edhe prozë.

Dhe flet vetëm me zemër.

Rreze e Shkëlzenit tonë aq të dashur e aq të dhembshur. Vetë fjala Shkëlzen do të thotë “shkëlqen”, bën dritë.

E një rreze e kësaj drite, është edhe Zyraja.

HAMIT ALIAJ