Në këtë Ditë Vere, shtëpia botuese ADA publikon botimin e saj më të fundit

 

Titulli: Fol dhimbja ime – Poezi

Autore: Mimoza Eliona Osmani

Redaktor: Bajram Torba

Recensent: Naim Nuredini

Kopertina: Liza Berisha

 

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

Formati: 13.5x20cm

 

Të gjitha të drejtat i takojnë autores

 

Shtëpia botuese “ADA”

 

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, mars 2022

 

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese ADA

 

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Osmani, Mimoza Eliona

Fol dhimbja ime : poezi / Mimoza

Eliona Osmani ; red. Bajram Torba.

– Tiranë : Ada, 2022

108 f. ; 20 cm.

ISBN 978-9928-362-29-2

1.Letërsia shqipe              2.Poezia

821.18 -1

 

 

PARATHENIE

 

Poetët shfaqen si ato shpendët fluturues nëpër hapësira, ku mbartin ndjesi dhe emocione. Ata më ngjajnë si ato pëllumbat, që me flatrat e tyre këkojnë të përcjellin mesazhet e me fjalët drithëronjëse spërkasin anembanë shpirtërat njerëzorë. Poetët zgjerojnë fjalët dhe i shtrijnë ata si notat në pentagram e me ta krijojnë atë muzikalitetin që na mbush me drithërima.

Dihet tashmë se ҫdo poet le pas trashëgimërinë personale dhe përpiqet që të jetë sfidues, frymëzues dhe misionar, duke kapur ҫastet e për t’i bërë ata të pavdekshme. Nëpërmjet të vërtetave të tyre, që shtrihen artistikisht me vargje, bëjnë që krijimet e tyre t’u rezistojnë kohërave e t’u shërbejnë brezave. Por të lësh pas shpirtin e derdhur në vargje, është atributi më i madh, është trashëgimëria më e vyer, më njerëzorja, më e shenjta. Janë pikërisht këta krijime poetike, që ngelen të gjalla me të gjitha përjetimet, shpresat, gëzimet, mallet, dashuritë dhe vuajtjet.

Mjaft natyrshëm na vjen poetja Mimoza Eliona Osmani me vëllimin e saj poetik “Fol dhimbja ime…!” Teksa i lexojmë poezitë e poetes sonë, na bie në sy brishtësia dhe magjia e fjalëve të hedhura me aq elegancë e me sinqeritet, të cilat prekin shpirtin njerëzor, duke na krijuar një vizion të qartë se janë depërtuese dhe mjaft emocionale. Me një modesti të dukshme dhe me një krijimtari pozitive, poetja vjen me një proҫes të brendshëm frymëzimi e që ndërthur si mozaikë vargjet e saj, ku mbizotërojnë lirikat dhe një erotikë e lehtë, që na i le neve lexuesve t’i përjetojmë me mënyrën më të bukur.

Ky është një vëllim poetik, ku endet hijshëm fjala e thënë me mënyrën më të thjeshtë, por që lartësohet me belbëzimet, me përkëdheljet, me thirrjet, me dhimjet dhe mallet… Me gjuhën e fjalës poetja zbraz ndjesitë me vargje edhe më tej, duke u bërë si model me krijimtarinë e saj unike, ku nëpërmjet poezive të saj na sjell atë jetën njerëzore duke na entuziazmuar me frymëzimet e largëta e të afërta…

Ky vëllim poetik vjen si lajtmotiv që kristalizon zhanrin e lirikave pafund në krijimtarinë që mbart në vetvete. Lirikat na vijnë si një shkallë e ndjeshmërisë poetike, si një muzikë shpirti të botës së poetes. Në lirikat e këtij vëllimi herë me zhgëjime e herë otimizëm, na bie në sy është shkalla superiore se si e sheh poetja ndjenjën më fisnike, dashurinë. Ky lirizëm shtrihet sidomos në spektrin emocional, ku shquhet mbi të gjitha ligjërimi me gjuhën e bazuar në tabanin popullor. Vëmë re se poetja i lëvrin lirikat e saj duke mos i personalizuar ato, por udhëhiqet që të bëjë ndërlidhjen mes lirikave tradicionale me ato moderne. Me motivet që poetja trajton, na e shpalos bukur këtë ndjenjë me një afrimitet të pashoq dhe bëhet kaq komunikuese me thjeshtësinë e saj vargëzuese.

Krahas lirikave poetja ndjehet si pjesë gjithpërfshirëse e familjes dhe e shoqërisë. Në disa poezi të saj shpërndan mesazhe mirësie dhe lufton varfërimin e shpirtit dhe kjo vihet re në diagramën lëvizëse, ku me sigzake vargjet jo rrallë herë shkaktojnë vuajtje. Poetja nëpërmjet disa poezive të saj na shfaqet si nënë, si grua dhe si qytetare e preokupuar për problemet e kohës. Ndërkohë si emigrande prej vitesh në viset e huaja, jo rrallë herë vihet re ndjenja e patriotizmit, malli për vendlindjen dhe Atdheun e saj. Ajo indinjohet, duke u treguar shpërthyese për të gjitha vuajtjet që kalon vendi i saj. Autorja ngre zërin për të shembur ditët idhnake me zbukurimet poetike, që mbretërojnë plot pozivitet dhe me kurajo shprehet ashtu me mënyrën e saj më të bukur. Në këtë vëllim poetik shpaloset qartazi vargu, ku shprehet dhimbja, nostalgjia dhe dashuria për vendin e saj, për tokën ku ka lindur, për ҫdo vend e cep, ku ka lënë kujtime dhe mbresa të pashlyeshme.

Dua që ta përkufizoj poeten Mimoza Eliona Osmani si një vargëzuese, që me mënyrën e saj origjinale dhe me talentin e saj, futet natyrshëm tek lexuesi dhe i bën kaq të prekshme fjalët, ndjenjat, shpërthimet, ku starton me dinjitet në rrugën e krijimtarisë. Ajo me shtjellime artistike dhe me një ligjërim të veҫantë, paraqitet si një poete me një strukturë të qartë poetike.

Vëllimi me poezi “Fol dhimbja ime…!” mbart përbrenda mall, ndjenja, mirësi, thirrje, rënkime, nostalgji dhe mbi të gjitha dashuri, ku depërojnë thellë dhe e pëkëdhelin lexuesin, duke shkaktuar emocione të rralla.

Urime Mimoza dhe suksese në krjimtarinë tënde të veҫantë!

Udhë të mbarë librit!

 

Bajram Torba