…Një vepër mëse e arrirë sepse ka brenda artin, dhimbjen, ndjenjën, mallin, vlerat…

 

Titulli: FYTYRA E JETËS

-Autore: Dava Nikolli

-Redaktore & korrektore: Vjollca Shurdha

-Kopertina Helena Mehuka

-Botim i parë 2023

 

-NB/.Redaktimi e korrektimi i këtij libri është bërë në bazë të liçencës poetike. 

 

Formati : 14x20cm

Të gjitha të drejtat i takojnë autores

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, korrik 2023

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese ADA

 

 

Të gjitha librat e botuar te shtëpia botuese ADA gjenden në Bibliotekën Kombëtare Tiranë

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Nikolli, Dava Fytyra e jetës / Dava Nikolli ;

red. Vjollca Shurdha

– Tiranë :Ada, 2023.

184 f. ; 20 cm

ISBN: 978-9928-398-37-6

1.Letërsia shqipe 2.Proza 3.Ese

821.18 -3

821.18 -4

 

 

PARATHENIA

 

Përsa i përket poetikës eksperienca ka treguar të sajën; çdo vëllim poetik i poetes Dava Nikolli është një margaritar në duar të lexuesit artdashës! Në vëllimin e radhës “Fytyra e jetës” autorja Dava Nikolli prezantohet me dëshirën e saj për t’u çimentuar jo vetëm në gjininë poetike por edhe me gjërë! Ashtu si poezia që ndahet në kategori të ndryshme, sociale, patriotike, lirike etjer…edhe në këtë veper letrare kemi ese e tregime, ku vëmë re pa pikë dyshimi pregatitjen e saj intelektuale-artistike në këtë fushë. Përsa i përket përmbajtjes së disiplinës të rregullave letrare prozaike, përpikshmëria është në maksimum! Ndryshe nga poezia, proza në brendësi ka ngjarje e personazhe plot emocione të çdo natyre, ku dialogohet o monologohet. Format dhe llojet letrare janë të larmishme  e që në faqet e para me tregimin Hipokriti na jep një pasqyrë të qartë të këtij aspekti:

“Të gjitha udhët i kyqëzoheshin, i humbte udha çdo ditë e më tepër në oborr të shtëpisë! Një jetë duke kërkuar vetveten e humbur! Një jetë në kërkim të vetëgjetjes, që nuk e gjeti kurrë! Një jetë duke menduar vendmbrritjen që nuk mbrriti kurrë në destinacionin e duhur! Një jetë i veshur kokë e këmbë nga hipokrizia!”

Vëllimi paraqet vërtetë fytyrën e jetës, të së përditshmes me retorikat, regreset e progreset e saj. Na bën të reflektojmë se; të jesh teknologjikisht i pregatitur nuk do të thotë se je dhe intelektualisht. Teknologjia është progres i shkencës, inteligjenca është virtyt, progres i ndjenjës njerëzore. Nga vetë titulli “Fytyra e jetes“ nënkuptohet që kemi të bëjmë me një vëllim-deklaratë që shërben për të kuptuar më mirë fasadat që përshkojnë e përshkrojnë  jetën e çdo individi. Me koherencë të rrallë udhëton ndërmjet imagjinatës-dhe realitetit  duke parakaluar si në një paradë me njerëzit në rrjedhshmërinë e jetës. Në stinët e saj gjejmë një përshkrim të ciklit jetësor ndër to:

Edhe se stinët e jetës vijnë e shkojnë, nëpër klithma uraganesh e suferinash pret e përcjell dallgët më të egra të kohës. Stinët e jetës, asnjëherë nuk na e puthin ballin e menduar,por vetëm tinëzisht na shtyjnë, duke na përplasur shkëmbit pamëshirë. Kjo jetë të ofron gjithmonë gjembat e trëndafilit, e të le zemërplasur duke ëndërruar përjetësisht gonxhen e trëndafilit të saj.

Është shumë domethënëse çdo ese o tregim sepse përceptohet ndërmarrja autoritative, dhe e përgjegjshme; si në formën letrare ashtu edhe në atë thellësisht njerëzore: ”Harku i ylberit i vesh zemrat tona me ngjyrat e tij.“

Befasuese autorja Dava Nikolli ku në mënyrën me të thjeshtë përcjell mesazhin artistik drejt rezidencës transparente të shpirtit, duke  udhëtuar bashkë me ndjenjën që nuk përshkruhet dot me fjalë. Ndaj dhe shkruan:

“Nuk ka penë që e përshkruan kët’ udhëtim imagjinar sonte! Është vetëm një çast magjik, që prek imagjinatën! Udhëtimi vazhdon atje, ku s’ka sy as dorë që e prek. E prekin vetëm ndjenjat, dhe fluturat e mendimit. Në udhëtime të tilla lumturia puth dashurinë, dhe shijon horizontin anembanë!”

Përpos të tjerash përgjatë leximit në disa ese ka përdorur krahasorë që është e pamundur të mos buzëqeshet o qeshet me të madhe si psh në ese-n Pritja

“Pritja, ky gogol i jetës, që sot po akrobaton me kujtesën time”

Një vepër mëse e arrirë sepse ka brenda artin, dhimbjen, ndjenjën, mallin, vlerat. Arrin të japë kuptimin në punën e saj edhe pse e lodhur, e lënduar…por gjithmonë e drejtë. Pasuria e vërtetë e njeriut për Dava Nikollin nuk është materiali por është e përbërë prej ndjeshmërisë që tregojnë personat ndaj ngjarjeve individuale dhe sociale të kohës sonë, është shpirti humanitar që çfaqet në çdo skaj. Autorja banon gjerësisht në çdo ese e tregim duke skalitur dhe jo zhgarravitur! Qëllon e largon negativitetin mbi zakonet e bestytnitë e mediton për të mbajtur të gjallë përkushtimin për miqësinë, vëllazërinë, autenticitetin e t’i mbrojë ato nga indiferenca që ka përshkuar globin. E vetëdijshme që jemi të gjithë bashkëudhëtarë të përkohshëm autorja ëndërron të hyjë në bërthamën e fjalës e në bërthamën e ndjenjave jetësore. Jeta me stinët e saj, kjo koleksioniste e gjithckaje të vlerë a të rëndomtë në memorje. Autorja këto kujtime  i ruan me origjinalitetin e tyre ashtu siç jeta ia shtroi e ia shtron gjate udhëtimit ndaj dhe shkruan:

Nuk e kritikoj, nuk e dënoj, nuk e gjykoj, as nuk e paragjykoj! Edhe se të panumërta i desha gëzimet e jetës, lumturinë e saj, e pranova siç më erdhi me të gjitha. Sot i shtërngoj fort ngjyrat e saj. I falem për frymëzimin që më dha. Me sytë e shpirtit, dua ta shikoj në çdo çast të saj! Të dua o jetë!

Dritarja nga e cila vazhdimisht hedh vështrimin duhet të jetë një lloj diafragme që kap imazhet e realitetit dhe imagjinatës. Dialogun intim të saj me elementët -Hënë-yje na e paraqit në formë meditimi në ese-n  YJET DHE HËNA!

“Sonte nata është e qetë, nën qiellin vezullues të dritës së yjeve. Është vetëm hëna hirëplote, që duket e zhduket si një dritë syri në orbitë. Hëna qetësisht shijon hapësirën e saj qiellore, përjetësisht e dashuruar me qiellin e tokën deri në pafundësi. Janë pikërisht yjet, dielli, dhe hëna, që frymëzojnë çdo poet e piktor, për të shkruar dhe për të pikturuar…jam e lumtur, që shkruaj për planetet e paprekura nga njerëzia. Ah! Sikur njerëzia t’i ketë këto ligje! Këto parime themelore, që janë të lidhura kaq ngushtë me universin! Ndaj e adhuroj shumë këtë harmoni universale!”

Shpirti poetik nuk mungon as në ese-n NË PREHËR TË HËNËS ku shkruan:

“Nëpër muzgun e errësuar, pashë sonte drapërin e hënës! Atje përtej malesh e nxori vetullën e hollë prej floriri. Në të dalë të saj, pak e nga pak e ndriçoi botën. Kët’ botë, që po bëhet gati për gjumë, këtu poshtë nën peshën e gërshetave të saj.”

Mjeshtërisht na mrekullon me leksikun e saj sa të pastër aq të goditur e të disiplinuar në parametrat letrare, Nënë e dashur dhe e ëmbël në zemër e shpirt, bimët e shpirtit i quan:

“Ata janë zogj ëndrrash, në universin e pafund! Janë meteorët e Universit qiell tokë! Janë dritëzat e shpirtit tim, pa këto drita sysh, qënia ime është e verbër, -Po, po, është jeta ime, është drita e syve të mi,”

Autorja  bijë e devotshme, babën e nënën me ofshamë shpirti i quan ”engjëj mbrojtës“ të saj:

Në dialog me natyrën metaforikisht shprehet:

“Edhe tulipani i pritjes i ka zverdhur gjethet e durimit. Ka filluar të më gjuajë me copëza shpirti. Me frutat e fundit të ndjenjave. Ka filluar, të lëshojë gjethet nga furtuna me shi e stuhi. Ka nisur të mbushë hapsirën e pafundme me mure erërash, e ciklonësh të kohës së pa kohë! Të vetmin tulipan, e desha të ishte plot me gonxhe të bukura dimër e verë. Por kjo nuk qe e mundur kurrë, në asnjë kohë nuk iu gjend poleni, as lulja e tij e parfumuar! Unë të jam dorëzuar ty, e dashur natyrë! Ke gjithçka që më shërben mua! Të dua natyrë për gjithçka që më dhuron!“

Ndërsa për lutjet e pafund ndër të tjera shkruan:

“Në trurin e lodhur, falet shpirti me zë të ulët!” 

Shkrimtarja merr gërshetin e argjentë të hënës mbi supe dhe ashtu së bashku mbajnë peshën për të mbështetur shpresën. Ka ëndërr në sirtar që e quan ”metaforë malli strukur shpirtit” e udhëton me të! Por ka dhe ëndërr të përgjakur e cila me lot e mall shpirti e çon tek nëna që e la jetime në moshë të mitur! Netëve të gjata përpiqet të ngazëllejë ëndrrat, duke iu shtrënguar shpresava për t’iu shmangur lotëve.

Marrin pjesë në këtë libër një gamë e gjërë temash por me një unitet të jashtëzakonshëm,  përshkruar më së miri: U kushtohet, vendeve të ndryshme të botës në tragjeditë e tyre. Vendlindjes së dashur e jetës gjithsesi të vështirë të asaj kohe. Vë në dukje fenomene negative që dëmtojnë shoqërinë, data historike, tragjike për vendin tonë ndaj shkruan:

“Po puthen e përgëzohen shpirtligësitë, që kapardisen nën pelerinën demokratike të vendit tim. O Zot shpëtoje Shqipërinë dhe shqiptarët, kësaj here nga pseudodemokracia! Shpëtoje at’ vend nga mjerimi e nga mashtruesit, që janë instaluar në politikë!”

Nuk mungojnë kujtimet e ëmbla rinore, familjare, ngjarje që i kanë lënë shenjë pozitivisht o negativisht. Përkushtimi ndaj fjalës së shkruar është tregues i detyrës rreptësisht etike që shkrimtarja Dava Nikolli i ka vënë dhe i vë vetes vazhdimisht. Kjo vlen për këdo që merr penën në dorë e shkruan mbi fletën e bardhë sepse:  Nëse dëshirohet që fjala të depërtojë në shpirtin e lexuesit qoftë në poezi, prozë, ese, novela, o roman, duhet të jetë e motivuar nga forca themelore për mbarëvajtjen e jetës dhe historisë së njeriut. Nëse vendoset  distancë ndërmjet tyre dhe kjo distancë zgjerohet dita ditës në përmasa të pakalueshme… arti humb vlerën në vetvete. Faktikisht autorja nuk paraqitet në këtë vëllim si një vëzhguese e thjeshtë, por rigjykon një udhëtim emocional. Ka të qartë idenë që një vepër arti duhet të prekë në një perçentualitet të lartë sensibilitetin e publikut artdashës. Netëve të shtrira në bregun e heshtjes, mendimet komunikojnë dhe e çojnë nëpër peripecitë e jetës. Me ngarkesë të fortë emotive, fryma kërkon ngrohtësinë në një qiell të kthjellët, për të ngrohur sadopak brendinë e akullt të qënies njerëzore të kësaj kohe të pa kohë. Origjinale është mënyra e përballur me tragjedinë e historisë bashkëkohore të cilën po me atë autenticitet  e shpalos e skalit mbi fletë të bardha. Në imagjinatën e saj shkrimtarja Dava Nikolli përçon mendimin të fluturojë larg, nëpër erë, në mes reve, mbi ajrin e ëmbël të mëngjesit. Në vesën kristal të agut, me Yllin e dritës u pëshpërit ëndrrave, të cilat dalin nga brendësia e shpirtit të saj, dhe si një këngë misterioze i bashkohen fytyrës dhe profumit të jetës.

 

Vjollca Shurdha

Poete.Shkrimtare –Përkthyese

                Itali  10/10/ 2022