Të gjitha botimet e shtëpisë botuese ADA mund t’i gjeni në Bibliotekën Kombëtare Tiranë

 

Një arritje në gazetarinë lokale

Libri “Gazetaria si profesion, si mision dhe roli i saj në shoqëri”, me autor, gazetarin Mariglen Bita, është një tjetër libër me vlerë që i shtohet “bagazhit” mediatik. Autori ka ndërmarrë nismën që të paraqesë anën teorike dhe praktike të punës së gazetarit, në një vështrim tërësor.
Marigleni ka kombinuar eksperiencën e suksesshme në terren, me teorinë e gazetarisë bashkëkohore që mësohet në auditorët e universiteteve. Një “substrakt” i vlefshëm në këtë fushë për autorin, ka qënë, jeta e tij studentore, përvoja si gazetar në Tiranë dhe puna disavjeçare pranë Radio Televizionit të Korçës.
Lexuesit e libri: gazetarë, studentë, njerëz që merren me marrdhëniet publike, por edhe gjithë të interesuarit e tjerë, do të kenë mundësi të njihen me një paraqitje sistematike të koncepteve dhe problemeve themelore të gazetarisë dhe publicistikës.
Nocionet bazë që jep ky tekst janë të vlefshme, jo vetëm për rrethet e gazetarëve, por edhe për publikun e gjerë. Pra, libri është një tregues i mirë, për t’u orientuar në fushën e gazetarisë, e cila vitet e fundit po ndryshon me ritme të shpejta, si në formë, ashtu edhe në përmbajtje, duke ndjekur ritmin e ndryshimeve të kësaj fushe, në spektrin më të mirë të përvojës kombëtare dhe asaj ndërkombëtare.
Gjithsesi, duhet thënë se në faqet e këtij botimi, reflektohet tradita dhe realiteti ynë, me vlerat dhe problematikat që janë bashkëudhëtare të shoqërisë shqiptare.
Njëherësh, autori nënvizon fakti e zhvillimit të hovshëm që kanë marrë mjetet e komunikimit masiv. Sot nuk flitet vetëm për “radio”, “televizor”, “gazeta”, “revista”, por për multimedia në tërësinë e saj dhe, në veçanti, për median elektronike e rrjetet sociale aq të larmishme dhe për këtë nevojtet një profesionalizëm cilësor nga njerëzit e medias.
Një aspekt i veçantë i këtij libri, që vlen të theksohet, është liria e informacionit në një shoqëri të hapur. Mjetet e informimit, pa dyshim, kanë një rol kryesor në shoqërinë e sotme. Janë pikërisht ato që vendosin dialogun në gjirin e shoqërisë dhe që kërkojnë gjithnjë të vërtetën. Të informosh, do të thotë t’i japësh mundësi publikut, t’i zgjedhë interesat, sipas dëshirës dhe aspiratës së tij; do të thotë t’i japësh mundësinë që të mësojë për një fakt, ngjarje apo fenomen, që ta kuptojë dhe të reflektojë.
Informacioni luan rol në transparencën e jetës publike, aq të nevojshme dhe të domosdoshme për një shoqëri të hapur dhe është një element përcaktues, për të jetuar në një simbiozë të përhershme. Dhe, për të qënë pjesë e publikut, një gazetar duhet ta trajtojë me vërtetësi e paanësi lajmin, kronikën, apo shkrimin problematik, duke u bazuar tek liria e fjalës, pasi vetëm kur e vërteta është e lirë, atëherë liria është e vërtetë. Dhe kjo ide përcillet mjaft mirë në faqet e librit.
Nëpërmjet trajtimit të situatave, autori përcjell edhe idenë se faktet janë të shenjta, kurse komentet janë të lira. Të jesh objektiv, do të thotë të transmetosh dëshmi të vërteta, ta përshkruash ngjarjen ashtu siç ka ndodhur. Vetëm një gazetar i tillë fiton besueshmërinë e publikut, duke e realizuar misionin e tij në shoqëri.
Libri “Gazetaria si profesion, si mision dhe roli i saj në shoqëri” i gazetarit Mariglen Bita, nuk është vetëm një tentativë, por edhe një arritje në gazetarinë lokale në veçanti dhe atë kombëtare në përgjithësi.

Artan Grabocka