Në këtë prag Panairi të Librit shtëpia botuese “ADA” publikon botimin e saj më të fundit që njëkohësisht është edhe një nga Fituesit e fondit të Letërsisë për Fëmijë…

Fiton në kategorinë Rrëfenja

Hysen Kobellari, me motivacionin:

“Për merita të spikatura në qëmtimin, përpunimin dhe sjelljen në një kontekst të ri letrar të një trashëgimie folklorike që kemi nevojë ta kultivojmë tek fëmijët tanë si pasuri identitare”.

Titulli : “Gjahtarët e Nuselalës”

Autori: Hysen KOBELLARI
Mob. 0692239633

Redaktimi, korrektor letrar dhe Pasthënia :
Anton N. BERISHA

Recenzentë: Skënder DEMOLLI
Istref HAXHILLARI

Këshillues për Folklor dhe Tradita : Liço Neim LIÇI
Ballina dhe ilustrimet : Kosta RAKA

Botimi i parë, 2019
ISBN: 978-9928-296-60-3

Përgatiti për botim: Roland Lushi

©Të gjitha të drejtat i takojnë autorit

Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall. 32. Ap. 7
Cel: 068 22 190 16
www.botimetada.com
Tiranë, nëntor 2019
Shtypur në shtypshkronjën e Shtëpisë botuese “ADA”

Të gjitha librat e shtëpisë botuese “ADA” gjenden në Bibliotekën Kombëtare Tiranë

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Kobellari, Hysen
Gjahtarët e nuselalës : rrëfenjë / Hysen Kobellari ; il. Kosta Raka ; red. Anton N. Berisha.
Tiranë : Ada, 2019
100 f. : me il. ; 20 cm.
ISBN 978-9928-296-60-3
1.Letërsia shqipe 2.Letërsia për fëmijë
3.Përralla
821.18 -93 -34

NOVELË ME VLERË E PËRFTUAR MBI MODELIN E PËRRALLËS GOJORE

Pasthënie

Novela “Gjahtarët e Nuselalës” e shkrimtarit Hysen Kobellari, me mënyrën e ndërtimit, të shqiptimit të dukurive të botës si dhe të përftimit të rrëfimit poetik, të veçantë e të pasur, afrohet për shumëçka me botën e përrallës gojore, e cila shekuj me radhë u përcoll prej një individi tek tjetri, prej një brezi në tjetrin. Njohësit e përrallës gojore thonë se ajo, si krijim letrar, i përket kohës së gurit. Mirëpo, në qoftë se them se rrëfimet me përbërës mitikë janë edhe më të hershme, nuk them diçka të re. Si formë e të shprehurit të dukurive e të ngjarjeve që kanë ndodhur ose që kanë mundur të ndodhin ose të shqiptimit të botës së brendshme të subjekteve, që i krijonin dhe i përcillnin ato gojarisht, rrëfimi qe pjesë e pandashme e njeriut qysh në periudhën kur ai u bë i vetëdijshëm për veten e për jetën – fatin e tij.
Përralla është, pa dyshim, një nga format më të ngritura dhe më magjepse si lloj e formësim letrar, jo vetëm i letërsisë gojore, por edhe i artit të fjalës në përgjithësi. Pikërisht me artin dhe me botën e saj për shumëçka të veçantë, duke u bartur gojarisht nëpër shekuj, përralla bëri një ndikim të jashtëzakonshëm në shpirtin dhe në imagjinatën e njeriun. Këtu dhe duhen kërkuar disa nga arsyet pse përralla u quajt “kthjelltësi e poezisë mbretërore” (J. G. Busching), që “e shpie dëgjuesin në qenësinë e ekzistencës njerëzore” (Max Lüthi) dhe që “Filozofinë time të parë dhe të fundit, atë në të cilën besoj me vërtetësinë e pamposhtur, e kam mësuar në dhomën e fëmijëve (…) ato në të cilat atëherë më së shumti kam besuar, janë gjërat që quhen përralla” (Chesterton).
Në rrjedhë të qindvjetshave, nën ndikimin e përrallës gojore dhe sipas modelit të saj, shumë shkrimtarë i hartuan veprat e tyre poetike ose i përftuan përrallat e shkuara, të cilat me artin e tyre ndikuan në pasurimin e letërsisë në përgjithësi e në pasurimin e shpirtit të njeriut në veçanti.
Pra, me ndryshimin e kushteve jetësore, ndryshoi edhe mënyra e bartjes së këtij krijimi letrar: nga procesi i bartjes gojore, nga rrëfimi gojor, ajo filloi të bëjë jetën e krijimit të shkruar, të shndërruar në shkronja (pra, përmes botimeve të përrallave gojore ose të përrallave të shkruara) në të cilën formë ajo vazhdoi jetën, pasurimin dhe ndikimin e saj.
Natyrisht, vlera e jashtëzakonshme e përrallës (pra dhe interesimi shumë i madh për studimin e saj si krijim poetik dhe si botë e pasur tematike) dëshmohet nga shumë përbërës të saj, që këtu, nuk e shoh të arsyeshme t’i vështroj. Megjithatë, po them vetëm se përrallën e bën të tillë, para së gjithash gjuha e pasur dhe simbolike, herë – herë abstrakte (që i përgjigjet plotësisht imagjinatës së fëmijëve), sistemi i të shprehurit dhe i shtjellimit, konteksti kuptimor dhe poetologjik (që përligjet nëpërmjet tekstit) dhe shqiptimit të botës, të realitetit.
Përralla, njëmend, niset nga realiteti konkret jetësor, mirëpo, përmes tekstit krijon një realitet tjetër, imagjinativ, shumë më të pasur se ai i zakonshmi; realitet i shprehur nëpërmjet strukturës gjuhësore poetike. Pra, përralla, si botë, më tepër është projektim i realitetit, i lirisë së veprimit, i përmbushjes së dëshirave, por edhe ballafaqim dhe përjetim i asaj që gjakohet. Në qenësinë e vet ajo është e kundërta e realitetit: është kundërvënie e rregullave dhe e kufizimeve. Qenësisht përralla shpreh realizimin e personazhit e të gjakimit të tij jetësor. Mjafton që ai të shfaqë dëshirën për diçka dhe, pa marrë parasysh vështirësitë që i dalin, e përmbush atë. Kuptimi i dëshirës në përrallë është shumë më i gjerë: nënkupton edhe veprimin, edhe ekzistimin.
Rrëfimi në përrallë shpreh botën e brendshme, subjektive, realitetin subjektiv, që ekziston e funksionon vetëm brenda strukturës përkatëse të tekstit. Përralla i mundëson dëgjuesit ose lexuesit krijimin e idesë më të plotë për dukuritë e për kuptimësinë e botës; ia thellon vështrimin për zbulimin e thellësive të jetës e të veprimit, të gjërave të panjohura (a nuk thuhet me të drejtë: qenësorja është e padukshme), ia thellon vështrimin, ia zhvillon mendjen dhe ndjeshmërinë, ia forcon qëndrueshmërinë, ia nxit guximin dhe virtytet e tjera; po ashtu, mundëson pjekurinë psikologjike, pavarësinë dhe domosdonë e veprimit.
Nëpërmjet rrëfimit të ngjarjeve, në pjesën më të madhe të mrekullueshme, të ballafaqimit të personazheve me vështirësi të jashtëzakonshme, po dhe të kapërcimit të tyre (ballafaqimi, fjala vjen, me kuçedrën, me gjarpërin, me divin, me shtrigën, me rojet e të Bukurës së Dheut e me qenie të tjera mitike e të rrezikshme), të flijimit për atë që gjakohet, përralla i kënaq dhe i plotëson kërkesat shpirtërore dhe mendore. Me fjalë të tjera, ajo e nxit vetëdijen e marrësin (receptuesin), por edhe e aktivizon nënvetëdijen (subkoshiencën) e tij përballë realitetit jetësor. Si e këtillë përralla shpreh përjetimet, ku secili e gjen identitetin e vet dhe e nxit, i jep krahë, imagjinatës së vet.
Në këtë krijim letrar poetik, gjërat nga realiteti konkret marrin përmasë e kuptim tjetër nga ato të përditshmërisë. Kështu, fjala vjen, gjahu në natyrë nuk nënkupton vrasjen e kafshëve, po njësimin me natyrën, me bukurinë dhe me lirinë që e cilëson atë; ngadhënjimi mbi kuçedrën nuk nënkupton vetëm ngadhënjimin mbi të keqen, por para së gjithash ngadhënjimin e së mirës. Po kështu ndodh dhe me personazhet që jetojnë në oborret mbretërore: ata nuk shprehin përparësinë (superioritetin) ndaj të varfërve, por shprehin vizionin e tyre jetësor, nevojën (projektimin) për jetë të lumtur. Në përrallë (për fëmijën) nuk është e rëndësishme “A duhet të jem i mirë?”, por “Në cilin dua të përngjaj”?
Në këtë rrafsh përralla i ofron marrësit (receptuesit) të saj më tepër se secili krijim tjetër i prozës gojore.
I vetëdijshëm për rëndësinë e përrallës dhe të përbërësve të qenësishëm që u përmendën më lart, Hysen Kobellari, nëpërmjet një rrëfimi të përftuar me shkathtësi, nëpërmjet novelës së tij për Nuselalën, përrallës së shkruar, na fut në botën e këtillë të mrekullueshme, ku “midis kullave të gurta ku ata jetonin (personazhet)” dhe ku “çdo këngë kishte bukurinë e vet, bukurinë e jetës…” dhe “mes pyjeve madhështorë të Oparit”, gërsheton veprime nga bota konkrete me dukuritë e botës imagjinative; shpreh bukurinë si gjakim dhe ideal jetësor të njeriut, me nevojën e njohjes së botës, që nënkupton gjakimin për pjekurinë shpirtërore e mendore. Gjithë novela “Gjahtarët e Nuselalës” përqendrohet rreth gjetjes dhe lirimit të Nuselalës, që në qenësi është e Bukura e Dheut, aq shumë e pranishme në përrallat tona gojore. Nuselala, si bukuri e mirësi, bëhet qëllimi kryesor i rrëfimit dhe i veprimit të tërë vëllezërve gjahtarë.
Në novelë dallohet sidomos vëllai i vogël, Fatmiroshi (edhe në përrallat gojore zakonisht vëllai i vogël dëshmon aftësi dhe shkathtësi më të mëdha), i cili gjatë përmbushjes së qëllimit dëshmon aftësi dhe guxim të jashtëzakonshëm, po i shfrytëzon dhe i përdor me mençuri dhe mjetet mitike si kalin, Dori Vetëtimën, Pulën Hamëse, “topuzin magjik”, dhe bën gjithçka të mbërrijë qëllimin (“Dy ditë e dy net pa pushim zgjati lufta e tyre e madhe, dhëmb për dhëmb me bandën e arinjve, me në krye Ari Trashaliun”). Këto cilësi i dëshmon edhe gjatë ballafaqimit me Shtrigën, Dumlacin (djali i mbretit), kryeroje e burgjeve të mbretit Kanxhallozit të zi. Pra, shkrimtari Kobellari, nëpërmjet një rrëfimi të përftuar me përkushtim, na “gjezdis”, përkatësisht na kthen në një botë sa tërheqëse, aq dhe të veçantë, të pasur e të mrekullueshme, që jeta e përditshme na e largon pandërprerë, po rrëfimi na e përtërin përmes magjisë së tij, duke e “ringjallur” nga nënvetëdija jonë, aty ku gjërat, siç thuhet, mbesin përherë. Me një fjalë, “Gjahtarët e Nuselalës” na plotëson sado pak atë që, ndoshta, shumë prej lexuesve të sotëm, nuk e kanë përjetuar më parë, siç thotë me të drejtë Herderi: “Në karakterin e fëmijës, që nuk ka dëgjuar përralla, mbetet një zbrazëti që më vonë nuk mund të kompensohet”.

Anton Nikë Berisha, Akademik.