Një bashkësi faqesh që tenton të përshkruajë kushtet e jetës arbëreshe, parë në aspektin gjuhësor, kulturor, tradicional e folklorik: një gjurmë e rëndësishme etnologjike mbi jetën arbëreshe, përfaqësuar nga figura madhështore e gruas, si bashkëshorte, nënë, bijë e nuse.

Titulli:

 

Autore: Emilia Blaiotta, Flavia D’Agostino

Lucrezia Linda, Lucia Martino

Redaktor e përkthyes nga italishtja: Ndue Lazri

Përkthyer sipas botimit të dytë të Shtëpisë Botuese “Il Coscile”, Castrovillari, Cozenza. Qershor 2018

Falenderojmë: Najada Frasheri, Klodian Cami e Prend Ndoja, për

kontributin që kanë dhënë për publikimin e këtij libri.

Përgatiti për Botim: Roland Lushi

Formati: 17x25cm

Të gjitha të drejtat i takojnë autorëve

Shtëpia botuese “ ADA”

Adresa: Rr.Mihal Grameno Pall.32 Ap.7 Tiranë

Cel.0682219016

Tiranë, prill 2023

Shtypur në shtypshkronjën e Shtëpisë Botuese “ADA”

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Blaiotta, D’Agostino, Lindia, Martino

Gruaja arbëreshe dje, sot, nesër : …midis së shenjtës dhe

profanes / Emilia Blaiotta, Flavia D’Agostino, Lucrezia

Lindia, Lucia Martino ; përkth. nga ital. e red. Ndue Lazri.

-Tiranë : Ada , 2023. – 112 f. : me foto ; cm.

ISBN 978-9928-398-17-8

1.Arbëreshë 2.Gra 3.Etnologjia 4.Studime sociale

5.Itali

 

PARATHËNIE

Një bashkësi përshkrimesh, informacionesh dhe materiali që promovon gjuhësinë, recetat dhe shijet, imazhet, traditat, folklorin përshkon faqet e librit dhe janë të lidhura nga një urë e përbashkët që niset nga Shqipëria që në kohët e hershme dhe lidhet me Italinë në një identitet të vetëm, atë të arbëreshëve.

Lidhja Shqipëri-Itali bashkëjeton me mua kaherë, madje unë jam krijesë e kësaj lidhjeje dhe në venat e mia rrjedh gjak italo-shqiptar.

“Sa e çuditshme është jeta”, më thoshte gjithnjë gjyshja ime nga babai kur jetonim në Shqipëri. “Unë jam një italiane që ka lënë tokën e saj të lindjes, Italinë, për dashuri. Në Itali kam njohur një student shqiptar, që pastaj është bërë burri im e për rrjedhojë gjyshi yt. Unë, pasi u mbyllën kufinjtë shqiptarë për shkak të regjimit totalitar, nuk kam mundur më të vë këmbë në dheun e Italisë sime. Por, nga ana tjetër, ti e di, mbesa ime, që në Itali janë shumë shqiptarë të ngulitur atje shekuj më parë? Ata quhen ARBËRESHË.

Që kur isha fëmijë nuk kisha dëgjuar nga askush tjetër të flitej për arbëreshët në Tiranë, përveçse nga gjyshja ime, një italiane në Shqipëri. Gjyshja më spiegoi që jo vetëm ishte martuar me një shqiptar që kishte ndjekur studimet në Itali, por ishte edhe e mirëinformuar për arbëreshët që jetonin që nga mesjeta në Itali.

Arsyeja për të cilën ajo fliste me kaq dashuri rreth tyre ishte një tjetër: gjyshi im kishte qenë gjatë dhjetëvjeçarit të parë të 1900 një nga studentët shqiptarë të Kolegjit në Shën Mitër Korona, një fshat arbëresh. Ndaj gjyshi kishte shumë miq arbëreshë, shokë të studimeve që gjyshja i kishte njohur kur ishte e fejuar, në kohën që bashkë me gjyshin jetonin në Itali. Dhe është kjo arsyeja që gjyshja,

që në moshtë të re, kishte njohur botën tërheqëse shqiptare e në veçanti atë arbëreshe: Botën e Diasporës arbëreshe, e ngulitur në Itali menjëherë pas vitit 1468, viti i vdekjes së Heroit Kombëtar Shqiptar, Gjergj Kastrioti, Skënderbeg, i njohur edhe si “Atlet i Krishtit” për udhëheqjen legjendare që kishte bërë kundër avancimit otoman në Europë. E meqenëse edhe vetë arbëreshët gjatë diktaturës në Shqipëri nuk mund të kishin lidhje aq të lehta me tokën mëmë Shqipërinë, unë, kur isha e re, thoja me vete: “Sa mirë që të paktën gjyshja ime ka njohur vëllezërit tanë edhe një copë Arbëri në Itali! Kushedi sa histori të bukura mbi traditat e tyre do t’i kenë treguar”.

Është edhe për këtë arsye që këtë libër, edhe pse nuk jam një arbëreshe autoktone, kur e kam lexuar, e kam ndjerë menjëherë si pjesë timen, duke patur parasysh edhe faktin që prej ca kohësh ndjek me admirim e stimë veprimtarinë e Shoqatës “Vorea” të Frashinetos dhe kontributin e saj në ruajtjen e gjuhës, të kulturës e të traditave arbëreshe.

Është për t’u konsideruar një fat i madh dhe i vertetë që ata që kanë ndihmuar në realizimin e këtij libri janë të gjitha gra arbëreshe, të nxitura nga dashuria për traditat e tyre dhe për gjithë atë pasuri kulturore të trashëguar nga të parët e tyre, me përkujdesjen për të lënë gjurmë të pashlyeshme edhe për brezat e ardhshëm. Në faqet e këtij libri, nëpërmjet një bashkëpunimi kolektiv, kanë sjellë në mënyrë perfekte, secila sipas njohjeve e aftësive të saj, si në një pëlhurë të qëndisur me fije të ndryshme shumëngjyrëshe: një kolazh tradicional e autentik të Arbërisë së tyre të dashur.

Bëhet fjalë për një vëllim, i pari dhe i vetëm në llojin e tij, që përmbledh si në një enciklopedi të vërtetë shumë elemente që në mënyrë trasversale përshkojnë universin femëror arbëresh. Dhe, duke qenë gruaja origjina, ajo që lind e kujdeset për fëmijët e të gjithë vatrës, një figurë model dhe një udhërrëfyese drejt

studimit të një stili të tërë jete, nuk mundej që përmbledhja në këtë vëllim të linte mënjanë pozicionin dhe rolin e dukshëm të gruas arbëreshe.

Duke u pëqendruar tek gruaja arbëreshe, tek mamaja e familjes arbëreshe, nuk mund të mos flitet për gjuhën, traditat, kulturën, gastronominë, veshjet, zanatet arbëreshe në përgjithësi, trashëguar nga brezi në brez. Kjo ka bërë që misioni i gruas arbëreshe në jetën e përditshme, rëndësia e saj në jetën familjare e shoqërore, të sillen me aq dashuri e, në të njëjtën kohë,me aq profesionalitet.

Libri përbën një laborator të vërtetë të grave arbëreshe, të cilat kanë bashkuar zotësitë e tyre, njohjet e tyre, specialitetet e tyre, duke i rezervuar një vend të veçantë e të përhershëm ruajtjes së gjuhës në shekuj, fesë dhe riteve festive fetare sipas periudhave të ndryshme të vitit, të shoqëruara nga këngë, ushqime e receta të festave, duke ofruar një njohje 360 gradë të sferës së jetës femërore arbëreshe.

Libri ofron nxitje dhe informacione shumë të dobishme edhe për turizmin e zonës.Ngjyrat e kostumeve tradicionale, punimet e bëra krejtësisht e rreptësisht vetëm me dorë, të gjitha këto informacione direkte, të thjeshta e origjinale, duke bashkuar edhe shijet, aromat, recetat e kuzhinës, shërbejnë dhe janë një ndihmë e madhe për lexuesin. Rëndësia dhe larmia e ushqimeve dhe e artit të kuzhinës arbëreshe janë protagonistë të këtij libri. “Dikush nuk mund të mendojë mirë, të dashurojë mirë, nëqoftëse nuk ka ngrënë mirë”. (Virginia Wolf).

Me shumë receta të dobishme e interesante të përmbledhura në brendësi, mund të realizohet një libërth kuzhine më vete, shkrirë në vëllim me elegancë.

Gratë autore dhe protagoniste që firmosin këtë vëllim, me kontributin e tyre i krijojnë lexuesit përshtypjen që kur të mbajë në dorë këtë libër, atij do t’i duket sikur është ulur tek porta e një

shtëpie arbëreshe, duke bashkëbiseduar me gjitonet që dalin tek pragu i derës.

Në këtë mënyrë lexuesit dhe udhëtarit të mundshëm i hapen dyert e një shtëpie tipike, që shërben në të njëjtën kohë edhe si një ftesë për të vizituar të gjithë zonën e përbërë prej fshatrash mikpritës e të bukur arbëreshë, që me dashuri e me shumë krenari, në rrugën e gjatë prej pesë shekujsh kanë ruajtur identitetin e tyre dhe kanë përballuar rrezikun e asimilimit nga kultura e vendit pritës, me gjithë vetëdijen e një ndikimi të pjesshëm e të paevitueshëm që ndodh zakonisht në raste të tilla.

Një bashkësi faqesh që tenton të përshkruajë kushtet e jetës arbëreshe, parë në aspektin gjuhësor, kulturor, tradicional e folklorik: një gjurmë e rëndësishme etnologjike mbi jetën arbëreshe, përfaqësuar nga figura madhështore e gruas, si bashkëshorte, nënë, bijë e nuse.

Uroj që kjo iniciativë të vazhdojë dhe të rritet gjithnjë e më tepër, duke na dhuruar libra të tjerë, si instrumente të informacionit vërtet të domosdoshëm.

Adela Kolea

Gazetare