Titulli: I trembem vetmisë
Autori: Gurali Spahillari
Redaktoi dhe përgatiti për botim: Skënder RUSI

Botimi i parë, 2020
ISBN: 978-9928-296-99-3

Përgatiti për botim: Roland Lushi

©Të gjitha të drejtat i takojnë autorit

Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall 32. Ap. 7
Cel: 068 22 190 16

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Spahillari, Gurali
I trembem vetmisë : poezi / Gurali Spahillari ;
red. Skënder Rusi. – Tiranë : Ada, 2020
116 f. : me il. ; 20 cm.
ISBN 978-9928-296-99-3
1.Letërsia shqipe 2.Poezia
821.18 -1

Në vend të parathënies

Nga Skënder RUSI

Jeta ime është e lidhur pashmangshmërisht me poezinë, me krijimin dhe nuk e di cili do të kishte qenë fati im sikur të mos kisha mundësi që çdo ditë të provoja të nxirrja prej vetes një tingull, një varg, që t’i jepte botës një pjesë timen. Krijimi dhe letërsia mund të quhen të domosdoshme për t’i dhënë kuptim ekzistencës së njeriut, shqetësimeve të tij, dritës që lind çdo mëngjes dhe muzgut që vjen çdo mbrëmje.
Poezia të lejon të shohësh atë që fshihet përtej të dukshmes, të vë afër ndjesive ku qielli dhe toka janë pjesë e hyjnores, e një krijimi të mistershëm që jetën e secilit prej nesh e zhvesh nga e zakonshmja dhe e bën të ngjajë të jashtëzakonshme, të bukur.
Poezia është edhe mister, sjell fragmente të poetit që nuk dije se ekzistonin më parë: të lejon të shohësh tek ata që deri dje ishin të zakonshëm, njerëz si gjithë të tjerët, vullkane që shpërthejnë tronditës, perëndime të zjarrta qiejsh, fluturime në një bote ku e mira ka kuptim.
Ky lloj zbulimi ndaj poetit vjen sa herë që lexon një libër me poezi, kështu ndodh edhe me librin “I trembem vetmisë”, të shkruar nga një prej miqve të mi të hershëm e më të mirë, Gurali Spahillarit.
Jetët tona janë lidhur nga miqësia prej shumë vitesh, kemi biseduar dhe kemi ndarë shqetësime nga gjërat më të papërfillshme, deri tek ato që rëndojnë e kanë pasur peshë në jetët tona, megjithatë krijuesi Gurali Spahillari në këtë vepër poetike është edhe dikush tjetër që flet dhe komunikon një botë të cilën unë duket sikur e dëgjoj për herë të parë, jo ngaqë nuk e njoh botëkuptimin e tij, por sepse mënyra e përcjelljes së shpirtit përmes poezisë, e bën të kumbojë ndryshe gjithçka.
Titulli i librit është “I trembem vetmisë”, e që në fillim, lexuesi vendoset përballë një dileme të rëndësishme: çfarë vendi zë vetmia në jetën tonë? Për dikë, vetmia mund të një jetë një ndëshkim i tmerrshëm ose një fitore e mrekullueshme. Ka ditë kur vetmia mund të jetë si një verë që deh e që të frymëzon lirinë, e ditë të tjera kur është si një lëng i hidhur, helm, që të trullos e të mpak frymën brenda gjoksit.
Është vërtet e komplikuar vetmia, një përzierje e lirisë krenare dhe zhgënjimit dëshpërues.
Ky titull, është dritarja ku ne depërtojmë brenda librit. Miku im Gure e trajton si më poshtë brenda librit:

I trembem vetmisë,
Hijet t’ia kafshoj,
Nuk mundem
Janë ajër,
S’dua ta fut
Në gjoksin tim,
Ku diafragma
Ulet e ngrihet
Me dëshpërim!
Fiziku që e vuan dëshpërimisht vetminë, sikur vetmia të ketë ardhur tinëzare, si një mallkim, duke ndërprerë në mes një ditë të porsafilluar.
Nga këtu, lexuesi mund të fillojë të deshifrojë ato që janë elementë të ndalesës në poezitë e librit. Tematika e poezive trajton njeriun që lufton, që përpiqet me cdo kusht t’i japë një domethënie jetës përmes kontaktit që ka me natyrën, me botën, me njerëzit, me të afërmit, me kujtimet, me ata që nuk janë më e që vështrojnë nga qielli, me fëmijët, me nipat dhe mbesat, me miqtë. I gjithë libri ngjan si një zemër nga dalin tinguj, të cilët ndezin jetën dhe e bëjnë atë të ngjajë e papërsëritshme.
Kemi trajtimin e realitetit tonë, të zhgënjimit dhe pamundësisë për t’i kthyer edhe njëherë nga e para gjërat, braktisjen, zbrazjen e vendit tonë prej njerëzve dhe prej shpresës.
Në poezinë “Në re jam shndërruar”, miku im Gurali nuk lëshon fjalë, por rrufe mbi letër, e krahason vetëm të shndërruar në re, të ngarkuar me mëri, zhgënjim, inat, deri sa shpërthen e thotë:

Ndaj sokëllij
Ngado që shkoj,
Ndaj turfulloj
Në dëshpërim,
Në re jam shndërruar
Që bredh pa pushim!

Jetojmë në një kohë të mbushur plot padrejtësi, dhe të drejtët vuajnë dhe iu vritet vështrimi nga marrëzia dhe e keqja që ulet pranë nesh, që do të hyjë në familjet tona, që ngjan sikur ka kontrollin mbi të ardhmen tonë.
Pushteti i fjalës poetike është i madhërishëm dhe e sfidon gjithë këtë fatkeqësi. Njëlloj siç shprehej Umberto Eko se “Poezia nuk matet me peshë, por që në një farë mënyrë peshon dhe luan rol për të gjithë shoqërinë”, këtë lloj ndikimi mund ta gjejmë nga poezitë e përfshira në këtë libër. Kemi të bëjmë me poezi që mbushen me frymë, me meditim, me jehonën e së kaluarës, ku malli, dashuria, njerëzit e afërt, por edhe vetmia, distanca, marrëzitë, shtjellohen në vargje poetike. E rëndësishme, ngjan sikur thotë poeti është të shohësh nga pranë dhe të lidhesh me gjërat që vërtet kanë rëndësi në jetë: toka, fëmijëria, rrënjët e origjinës nga vjen, pastaj të afërmit, miqtë, njerëzit dhe krejt bota ku jetojmë. E gjithë kjo përcillet përmes fjalësh që janë rebelim, pasion, oshtimë, nevojë për të kuptuar nëse realiteti i sotëm është mallkim apo sfidë që duhen kapërcyer:

Ç’po ndodh kështu
Me dheun tim?
Dhe mali po tkurret
Dhe fusha po rrudhet!
Ç’kolerë e ka zënë?
Ç’mallkim?
Që ikin kaq larg
Bijtë e tij?
Ikin me nxitim!

Nesër s’do ketë
Më dasma
Se dhëndurë nuk ka
S’do të ketë as nuse
Se as vajza s’ka
Ka vetëm pleq
Dhe plaka sigurisht
Dhe arkivolët të porositur
Jo krejt papritur!

Kjo zbrazje, është vetmi. Ky dëshpërim është vetmi. Kjo braktisje është vetmi. E vetmia ndjehet edhe kur muzgjet vishen me tinguj, edhe kur duket sikur jeta rrjedh ëmbël dhe qielli nuk perëndon, por vishet si zjarr mbi jetët e njerëzve. Lumturia, kjo ndjenjë që shpesh arratiset më lehtë sesa e dëshirojmë, ka nevojë për gjëra të thjeshta e të vogla, por që në thelb kanë domethënie të madhe.
Kjo bën që ne të kemi mundësi të dallojmë reflektimin njerëzor mbi ato që janë ditët e shëmtuara, ngjarjet tragjike, dramat ku mund të humbasim edhe vetë një ditë prej ditësh. Ky reflektim poetik, megjithatë, tregon që vetëm përmes kujtesës ka mundësi që të mos kemi ripërsëritje të tragjedisë, kujtesa është edhe trishtim edhe shmangie fatkeqësish njëherësh.
Nga ky sfond, krijues zhvendoset në dimensionin e personales. Kush jam unë e ku po shkoj, ngjan sikur thotë në një pjesë të krijimeve. Jeta rrjedh për secilin prej nesh e ditët e rinisë tashmë na rrinë ngushtë, koha shkel edhe mbi ne, mbi trupin tonë, mbi flokët në kokë, mbi rrudhat në sy dhe në zemër. Por nëse vështrimi në sy është dobësuar dhe kemi nevojë për syze të shohim përtej, sytë e shpirtit kanë ngelur të njëjtë, i njëjtë dhe padurimi, dëshira për të kuptuar, për t’i dalë në fund një rruge të papërsëritshme, që është rruga e jetës sonë:

RROTULLOHEM

Jam nisur
Për të shkuar diku
Dhe fundin nuk e shoh,
Nuk e di !
Në rrugë e rrugica
Ngatërrohem e kthehem,
E prapë ec,
Kërkoj, nuk urrej,
Kurrkujt s’i mbaj mëri,
Veç ec,
Drejt kujt,
Ende nuk e di!
Meridianët ngatërroj
Paralelët po ashtu,
Pa shend e shpresë,
Rrotullohem
E s’di se ku!

Në këto vargje unë, ti, çdo lexues mund të gjejë një pjesë të vetes, mund të thotë që është në njërin prej vargjeve më sipër, që këto rrugë të paqarta e misterioze, janë rrugët ku ne hedhim hapa të ngatërruar e jo fort të sigurt çdo ditë!
Këtu, e gjithë kjo sugjerohet edhe nga imazhe të mbetura pezull, që na kërkojnë ne si lexues që të vihemi në provë, të mos lexojmë tekstin vetëm nga pjesa e atij që e ka shkruar, por të bëhemi njësh me faqen e letrës.
Brenda këtij libri, ku miku im Gurali e trembet vetmisë në titull, por e sfidon me pasionin e tij në përmbajtje të poezive, kemi këmbënguljen për të zbuluar dhe për t’i shkuar deri në fund fatit të jetës sonë, duke pasur si çelës leximi eksperiencat personale të vetë krijuesit.
“I trembem vetmisë” është edhe një sfidë ndaj vetmisë, ndaj gjithkujt e gjithçka je që kërkon të futë acarin në shpirt dhe të krijojë largësi mes nesh dhe botës. Poezitë janë të lidhura dhe krijuesi del në shumësinë e zërave të tij, duke e thyer heshtjen e madhe që ndodh ta kaplojë ndonjëherë jetën e njeriut.
Këmbëngulja e treguar në këtë libër, është një përpjekje për të dëbuar nga vetja errësirën, të ftohtin, verbërinë, e ashtu siç dëshiron dhe autori i këtij libri, të fillojmë ta ushqejmë shpirtin tonë me poezinë dhe të bukurën, që është njëfarësoj përjetësi në botën tonë të fundme.