Nga botimet më të fundit të shtëpisë botues “ADA”

Titulli: Këndvështrimi tjetër i jetës

Autori: ARBEN TREBICKA

Redaktoi: YLA NEZIRI

Korrektoi: FLONJA ANDRANJI

 

Kopertina: ARBEN TREBICKA  (punim në akuarelë, e cila tregon se brenda një personi egziston një larmishmëri karakteresh)

Kopertina mbrapa: (përsëri një punim imi në vaj, e cila shërben si një test shpirtëror, nëse përqëndrohesh tek ngjyrat, ajo ngjyrë që të tërheq më shumë tregon dhe gjendjen tënde të brendshme)

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

©Të gjitha të drejtat i përkasin autorit

ISBN: 978-9928-326-26-3

Botimi i parë, 2020

Formati : 14x20cm

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr.Mihal Grameno Pall.32 Ap.7 Tiranë

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, gusht 2020

 

Falenderime

 

Dua të falenderoj përzemërsisht, personat që më janë gjendur pranë dhe më kanë inkurajuar për realizimin e këtij libri:

  1. Dhimitër Orgocka, z. Koço Qendro, z. Skënder Rusi si edhe mbështetësit dhe frymëzuesit e mi të pandarë, znj. Mikaela Doku, Xhorxhia Xhixho, znj. Yla Neziri, z. Arben Neziri, Klaudia Neziri, Inis Neziri, dhe sigurisht nënën time Violeta Trebicka.

Një falenderim të veçantë nga zemra, familjes NEZIRI që bënë të mundur realizimin e kësaj ëndrre nëpërmjet, jo vetëm mbështetjes të tyre por edhe nëpërmjet sponsorizimit për të dalë në dritë ky libër.

 

 

Në vend të parathënies

 

Kanë kaluar mbi 18 vjet nga momenti kur fillova të shkruaj këtë libër, në gjuhën greke fillimisht, ndërsa tani vazhdimësia e tij në shqip. Megjithatë, shkaktar i vonesës së vazhdimësisë të tij ka qenë “ndrojtja” për arsye se asnjëherë nuk e kam quajtur veten, dhe nuk dua të më quajnë edhe të tjerët me epitete: “shkrimtar”, “poet” etj…, unë jam ky që kam qenë për miq e për shokë: Beni, thjesht Beni.

Sa herë e kam nisur dhe lënë pas dore këtë libër, nuk më kujtohet! Një mikesha ime në Athinë të Greqisë, Vicky Manousaridou, mësuesja ime e pianos, që në fillim më lutej dhe u bë shkaktare të shkruaja një libër mbi gjithçka diskutonim, dhe tani sa herë komunikojmë, më pyet nëse po vazhdoj të shkruaj librin apo jo. Mbase tani është edhe momenti i përshtatshëm pas kaq vitesh, të marr vendimin për ta hedhur në fletë. Nuk e di, por për një gjë jam i sigurt, se jam shtyrë nga dëshira për të transmetuar tek ty, disa…, mos them “këshilla”, por momente nga përvoja e jetës sime për të sjellë pak ndryshim, qoftë edhe në ata pak vetë të cilët do të jenë në gjendje të kuptojnë ato që shkruaj për të pasur një jetë më të mirë, më të thjeshtë, më kuptimplotë. Ju bëj të qartë se për gjithçka është shkruar në këtë libër, jam bazuar në përvojat personale dhe nuk jam shtyrë ose ndikuar nga asnjë faktor i jashtëm përveçse dashurisë dhe dhembshurisë për jetën, për natyrën, për njerëzit, për ty!

Të jesh mëse i/e, bindur se në përfundim të studimit të librit, e theksoj, (të studimit të librit) e jo thjesht të leximit të tij, do të kesh marrë jo vetëm përgjigje të shumta të garantuara, por edhe një shembull të një mënyre jetese. Nëse do t’i zbatosh në praktikë ato të cilat do të arrish të kuptosh, jeta ka për të marrë një tjetër rrjedhë duke u bërë sigurisht më e lehtë, më argëtuese, dhe më kuptimplotë.

Ka ardhur koha të dalin në shesh disa prej shqetësimeve të jetës të cilat i kundërvihen realitetit të tanishëm, por domosdoshmëria e shqyrtimit të tyre është mëse e nevojshme për të tashmen, të ardhmen tënde dhe të njerëzimit, për arsye se ndryshimet në vetvete do të bëhen shkak për të sjellë ndryshime rrënjësore, jo vetëm në rrethin tënd shoqëror e familjar, por edhe më tej, gjithmonë në varësi të përkushtimit tënd!

Mua personalisht më vjen keq për këtë popull të zhytur në probleme jetike, ndërkohë që në çdo lloj bisede të gjithë flasin e diskutojnë për politikë, me përjashtim të politikanëve!

Në një botë ku niveli i përdorimit të logjikës është ulur, mbase në 0,9%, ndërsa niveli i “robotikës” është ngritur, mbase në 91%, (këto nuk janë shifra reale, por vetëm një supozim personal), tregon diçka jo thjesht shqetësuese, por alarmante do të thoja, gjithmonë nga këndvështrimi im mbase dhe i shumë të tjerëve të cilët shikojnë dhe veprojnë, jo mekanikisht, por me ndjenjë, shpirt, dhe logjikë.

Mos u nxito të thuash në vetvete: “Kush na qenka ky, që merr guximin të ngrihet mbi një shoqëri të tërë, dhe të flasë duke pëgjithësuar jetën dhe njerëzit…?!” Por lexo me kujdes, ndoshta edhe ty të përputhen mendimet me mua, mendime të cilat mund të kenë qenë të pashprehura deri më tani!

Ekzistojnë fenomene të ndryshme në jetën e përditshme dhe në mbarë botën. Shumica e tyre kanë mbetur një mister, disa janë studiuar e vërtetuar shkencërisht, dhe shumë prej tyre kanë mbetur me pikëpyetje për ata që nuk janë të informuar, ndërsa për të tjerë, të cilët kanë pasur një përvojë personale, janë të pranueshme. Por për ata të cilët kanë bërë këto fenomene pjesë të përdorimit në përditshmëri, përbëjnë thjesht pjesë të jetës!

Një nga temat bazë, e cila duhej të përbënte themelet e jetës, ka mbetur e fshehur, e pazbuluar, diçka si puna e diamantit të cilit shumë pak vetë ia dinë vlerën, për më tepër, shumë më pak e zotërojnë atë. Kjo është bota frymore, jeta; jeta frymore tingëllon më mirë. Çuditërisht shumë pak njerëz e njohin dhe shumë më pak, dinë ta zotërojnë atë!

Do të të lutesha të mos mërzitesh nëse rastis disa herë të njëjtat shprehje. Nuk i kam vendosur nga mungesa e fjalorit, të jesh i/e, sigurt, por për arsye se dua të të nguliten mirë në mendje këto lloj këshillash. Faleminderit!

Do të përpiqem nëpërmjet këtij libri t’ju shpjegoj me shembuj nga përditshmëria në një mënyrë sa më të thjeshtë dhe bindëse, përsa i përket ekzistencës sonë, gjithashtu dhe dyshime të ndryshme që mund të keni në lidhje me botën “enigmatike” frymore, duke ju dhënë një drejtim që të mundesh ti si person, të kesh një ide për vazhdimësinë e mënyrës së jetesës si dhe për mënyrat e zgjidhjes. Ndoshta jo të gjitha, por shumicën e problemeve që sigurisht je përballur ose do të përballesh gjatë jetës tënde, dhe si të bësh të mundur evitimin e tyre.