…Kjo moshë rron, sepse tek thjeshtësia e mëngjesit, tek muzgu i ëmbël i mbrëmjes, gjithkush mund të ndjehet i lumtur, e të preket emocionalisht, ta kuptojë që ka gjëra të pashpjegueshme e të mistershme kjo jetë, sa kurdoherë, në çdo moshë, mund të rilindësh mëngjesin e ditës tjetër i mbushur me bekimin fisnik të hyjnores…

 

 

Titulli: Kjo moshë rron

Autore: Floresha Zyberi (Qyra)

Redaktor letrar: Eris Rusi

 

Botimi i parë, 2021

Tirazhi: 100 kopje

ISBN: 978-9928-326-54-6

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

Formati : 14x20cm

 

Të gjitha të drejtat i takojnë autores

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, mars 2021

 

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese ADA

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Zyberi (Qyra), Floresha

Kjo moshë rron : poezi / Floresha Zyberi (Qyra) ;

red. Eris Rusi. – Tiranë : Ada, 2021

136 f. ; 20 cm.

ISBN 978-9928-326-54-6

1.Letërsia shqipe         2.Poezia

821.18 -1​

 

 

PARATHËNIE

 

Titulli i një libri shpeshherë harmonizohet me gjendjen shpirtërore të krijuesit, ilustron atë që është fryma e përmbajtur në tekst dhe i sugjeron lexuesit shtegun ku duhet të ecë në shfletimin dhe interpretimin e përmbajtjes. Dhe në përmbledhjen me poezi “Kjo moshë rron”, nga krijuesja Floresha Zyberi Qyra  lexuesi mund të dallojë lirizmin e ngrohtë dhe flakën e ndritshme të emocioneve që çlirohen në vargjet e përzgjedhura me kujdes. Ky libër është i ndarë në dy pjesë: në lirikat “Stinë kënge” që përbëjnë pjesën e parë dhe në poezitë e “Mozaikut të Elegjive”, të përfshira në pjesën e dytë. Dhe vjen një moshë, në jetën e secilit, kur mund të lëshohesh në krahët e dëshpërimit, të thuash i dorëzuar: Kaq ishte, mbaroi”, ose përkundrazi, të lesh dritën të vezullojë në zemër dhe në sy, e të shqiptosh kthjellët: Kjo Moshë rron”.

 

Qaj ti, qaj, kitara ime,

Qaj për sytë blu si qielli,

Kujtime më ngjall, kujtime,

Kur ndriçonim si rreze dielli!

 

Qaj, kitarë, mos pusho,

Për rininë që iku, shkoi,

Qaj dhe kurrë mos harro

Dashurinë që përvëloi!

 

Qaj ti borën përmbi krye,

Për vitet që kurrë s’kthehen,

Qaj, ti, qaj, rininë time

Jetën që si ëndërr zhbëhet!

 

Kjo moshë rron, sepse edhe në vitet kur flokët zbardhen, njeriu e dëshiron jetën, ka mundësi të çlirojë emocione të bukura prej familjes, të afërmve, miqve, kontaktit me botën dhe natyrën. Kjo moshë rron, sepse jemi të gjithë krijesa Perëndie, e magjia që i ka dhënë frymë qenies sonë lidhet me përhershmërinë, me pavdekshmërinë, me thelbin e së pakuptueshmes që bëhet e përjetshme.

Kjo moshë rron, sepse tek thjeshtësia e mëngjesit, tek muzgu i ëmbël i mbrëmjes, gjithkush mund të ndjehet i lumtur, e të preket emocionalisht, ta kuptojë që ka gjëra të pashpjegueshme e të mistershme kjo jetë, sa kurdoherë, në çdo moshë, mund të rilindësh mëngjesin e ditës tjetër i mbushur me bekimin fisnik të hyjnores.

 

Fshehur nga syri i botës,

mbi një rrugë të fshehur ndalëm.

E dëbora binte flokë-flokë,

jo mbi ne, por mbi një çadër.

 

Ashtu të kapur për dore,

mbi kalldrëmet e ngrira ecëm.

Ishte acar, verë na dukej,

se rrugës veç trëndafila gjetëm!

 

Në të dyja rastet, lexuesi takohet sërish me shpirtin e ndjeshëm, te ngrohtë, të dashur, meditues, të Floresha Zyberit. Ai njihet me botën dhe reflektimin e krijueses, që herë pas here pyet në tekst: çfarë vendi zë mirësia në jetën tonë? Për dikë, mirësia mund të një jetë një jehonë e së kaluarës, që nuk dëgjohet më sot në shoqëri. Por në poezitë e përcjella në këtë libër, mirësia është dashuri, është zemërgjerësi, është nevojë e gjithsecilit prej nesh që të kapet pas asaj që shkëlqen, që është e pastër, që është e moralshme, që kthehet në familjare për jetën e gjithsecilit.

Mirësia është mençuri, triumf dhe fitore e mrekullueshme. Është ana e kthjellët e qiellit, përballë së cilës qëndrojnë retë e ngarkuara të realitetit të sotëm. Jetojmë në një botë ku pak gjëra mund të dehin ndërgjegjen e njeriut dhe të frymëzojnë lirinë. Pjesa më e madhe është një shoqëri që ka humbur vetveten, që ushqehet me paradokse dhe sjellje apokaliptike, me helmin e përbuzjes dhe zvetënimit që  të trullos e të mpak frymën brenda gjoksit.

 

APOKALIPS

 

Nga plehrat zbardhojnë detet,

E ujë i pastër s’ka mbetur,

Zogjtë largohen në qiell

Peshqit në breg janë tretur!

 

Dhe deti është bërë më “i pasur”,

Dhe uji më nuk vezullon,

Plastikat notojnë në çdo anë,

“Vozitja veç ne na takon!”

 

Lumenjtë dhe liqet rënkojnë:

“Çdo ditë më të mbytur jemi!”

Shpirtin po na e rëndojnë

Dhe uji po bëhet si helmi!

 

Poezitë e këtij libri, ofrojnë një tematike të shumëllojshme. Sjellin njeriun që lufton, që përpiqet me çdo kusht t’i japë një domethënie jetës përmes kontaktit që ka me natyrën, me botën, me njerëzit, me të afërmit, me kujtimet, me ata që nuk janë më e që vështrojnë nga qielli, me fëmijët, me nipat dhe mbesat, me miqtë. Kemi trajtimin e realitetit tonë, të zhgënjimit dhe pamundësisë për t’i kthyer edhe njëherë nga e para gjërat, braktisjen, zbrazjen e vendit tonë prej njerëzve dhe prej shpresës. Jetojmë në një kohë të mbushur plot padrejtësi, dhe të drejtët vuajnë dhe iu vritet vështrimi nga marrëzia dhe e keqja që ulet pranë nesh, që do të hyjë në familjet tona, që ngjan sikur ka kontrollin mbi të ardhmen tonë. Pushteti i fjalës poetike është i madhërishëm dhe e sfidon gjithë këtë fatkeqësi. Kush është Shqiperia sot? Nje vend i cili është edhe i zbrazet, edhe i dëshpëruar, edhe i braktisur.

 

Eci rrugës kokë ulur

dhe vështroj portat me radhë,

Ja njëra qenka e kyçur,

dhe të tjerat ashtu janë.

 

Një qetësi si prej varri,

këmbë të riu nuk po shoh.

Peme e lule qenkan tharë

Të moshuar shoh ngado.

 

 

Në pjesën e dytë të librit, me emërtimin “Mozaik Elegjish”, krijuesja Floresha Zyberi zhvendoset edhe në sfondin e përjetimeve dhe kujtimeve personale. Kalvari i saj i dhimbjes ka qenë i ngjashëm me atë të shumë fateve të tjera njerëzore, të dënuar padrejtësisht nga regjimi dhe njerëzit që e mbanin atë regjim gjatë kohës së komunizmit në Shqipëri.

Por nëse vështrimi në sy është dobësuar dhe kemi nevojë për syze të shohim përtej, sytë e shpirtit kanë ngelur të njëjtë, i njëjtë dhe padurimi, dëshira për të kuptuar, për t’i dalë në fund një rruge të papërsëritshme, që është rruga e jetës sonë.

 

Makina si vajtim

Kobshëm rënkonte,

qenie të brishta,

Njerëz pa faj,

Drejt hijes po i çonte!

 

Kampi famëkeq

Me tela gjembash rrethuar,

Shiu i ftohtë si akull

Mbi fate të gjymtuar!

 

Jetë mizori

Ku asgjë s’dëgjohet,

Në një botë të mjerë,

Ku dhe dielli shuhet!

 

Si qenie njerëzore

Më dot nuk ngjajnë,

Janë ligur, janë tretur,

Por shpirtin s’e dhanë!

 

 

Në përfundim, mund të themi se poezitë e librit “Kjo moshë rron” janë zëri shpirtëror i krijueses Floresha Zyberi Qyra, një zë i cili është këmbëngulës, bën thirrje për të mos rënë pre e së keqes, e vesit, e mëkatit, që jeta të ketë kuptim dhe të gëzohet e plotë në të gjitha fazat e moshës së njeriut. Sepse vëmendja e Floreshës është sidomos për lexuesit e saj dhe gjithkush që merr në dorë këtë libër, do të përjetojë jehonën e bukur poetike: “Kjo moshë rron”, që është triumf i zemrës dhe i shpirtit, deri në përjetësi.

 

Eris Rusi

Kryetar i Klubit të shkrimtarëve “Bota e re”