…Fatmir Musai i takon kategorisë së poetëve që shkruajnë me varg të matur e të rimuar dhe sipas sistemit strofik. Varg i tij i preferuar është tetërrokëshi, strofa më e shpeshtë katrena, kurse në rimariumin e tij të pasur mbizotërojnë rima e puthme dhe rima e alternuar. Kjo e dhënë nuk ka a priori rëndësi për poezinë: i rëndësishëm është fakti që autori e zotëron mirë këtë mënyrë vjershërimi; e ka veçori të individualitetit të vet poetik.

Fatmiri është mjeshtër i vargut të lidhur dhe i kompozimit të strofës, ndërsa rima është po ashtu një mjet efikas i poezisë së tij, që i jep vargut kuptim dhe bukuri.

Ndjenja e dashurisë është zembereku që e vë në lëvizje krijimtarinë e këtij poeti…

 

Titulli : Korrieri i dashurive

Autor: Fatmir Muasi

Redaktor:Prof. Agim Vinca

Korrektor:Muhamet Cenko

 

Botimi i parë: 2021

Tirazhi: 300 kopje

 

Formati : 14x20cm

 

Të gjitha të drejtat i takojnë autorit

 

Përgatiti pë botim: Roland Lushi

 

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

 

Tiranë, mars 2021

 

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese ADA

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Musai, Fatmir

Korieri i dashurive: poezi / Fatmir Musai.

red. Prof. Agim Vinca

– Tiranë : Ada, 2021

184 f. ; 20 cm.

ISBN 978-9928-326-00-0

1.Letërsia shqipe 2.Poezia

821.18 -1

 

KUR POEZIA TË DEH E TË ESËLLON

 

(Dy fjalë mbi librin më të ri të poetit Fatmir Musai)

 

Një titull i pazakonshëm: Korrieri i dashurive (“i dashurive” në shumës e jo në njëjës); një moto atipike (ajo për aventurën qiellore të Lasgushit me holandezen e bukur); mbi njëqind poezi të sistemuara në tre cikle, që sajojnë një mozaik shumëngjyrësh, ky është, me pak fjalë, letërnjoftimi i librit më të ri të poetit elbasanas Fatmir Musai.

Duket pak i çuditshëm titulli i këtij libri, por dilema zgjidhet sapo lexojmë vargjet e vjershës hyrëse, Korrieri i dashurive: poeti është “korrier i dashurisë”; ai përçon tek njerëzit dashurinë për jetën, gruan, fëmijën, familjen, vendlindjen, atdheun, natyrën, tokën, qiellin, yjet dhe gjithçka tjetër me vlerë në këtë botë.

Fatmir Musai rreket të jetë në shkrimet e tij, si në poezi, ashtu edhe në prozë, “korrier” i kohës së vet. Ai regjistron në vargje pothuajse gjithçka që sheh, dëgjon dhe përjeton në mjedisin ku jeton, por shikimin e hedh edhe përtej asaj që shihet me sy e preket me dorë: në lartësitë qiellore dhe në thellësitë e shpirtit njerëzor.

Bota komplekse e njeriut, si qenie më vete, por edhe në raport me botën që e rrethon, është terreni në të cilin hulumton poeti ynë; aisbergu i tij.

Tematikisht poezitë e Fatmir Musait janë heterogjene, por stilistikisht kompakte. Nisur nga ciklet në të cilat radhiten ato, vjershat e këtij libri mund të ndahen në tre grupe: 1. Poezi dashurie, 2. Poezi humoristiko-satirike dhe 3. Poezi refleksive.

Në ciklin e parë, Mëkat i tyltë, poeti përfshin vjershat e dashurisë; në të dytin, Në kërkim të një rime, vjershat e llojit humoristiko-satirik, kurse në ciklin e tretë, Do vijë një ditë, poezitë refleksive.

Në qoftë se nga pikëpamja tematike poezitë e këtij libri janë të larmishme, nga pikëpamja e strukturës artistike ato i karakterizon një koherencë e theksuar, që shprehet në fjalorin poetik, në mënyrën e ndërtimit të vargut, në figuracion dhe në ritmikë.

Fatmir Musai i takon kategorisë së poetëve që shkruajnë me varg të matur e të rimuar dhe sipas sistemit strofik. Varg i tij i preferuar është tetërrokëshi, strofa më e shpeshtë katrena, kurse në rimariumin e tij të pasur mbizotërojnë rima e puthme dhe rima e alternuar. Kjo e dhënë nuk ka a priori rëndësi për poezinë: i rëndësishëm është fakti që autori e zotëron mirë këtë mënyrë vjershërimi; e ka veçori të individualitetit të vet poetik.

Fatmiri është mjeshtër i vargut të lidhur dhe i kompozimit të strofës, ndërsa rima është po ashtu një mjet efikas i poezisë së tij, që i jep vargut kuptim dhe bukuri.

Ndjenja e dashurisë është zembereku që e vë në lëvizje krijimtarinë e këtij poeti. Për ta karakterizuar këtë ndjenjë, poeti përdor një metaforë origjinale: “Mëkat i tyltë…”. Për subjektin lirik të kësaj poezie dashuria është mëkat, por mëkat i bukur dhe delikat, siç sugjeron epiteti “i tyltë”. Poeti nuk mjaftohet vetëm me dashurinë e prekshme, tokësore, ndonëse ajo është në plan të parë, por i jep kësaj ndjenje, herë-herë, përmasa kozmike, duke i bërë edhe  yjet, hënën dhe kometat pjesë të universit poetik.

I lidhur ngushtë me motivin e dashurisë është edhe motivi i ikjes së jetës dhe, rrjedhimisht, edhe i vdekjes. Erosi dhe Tanatosi janë ndër shekuj “bashkudhëtarë” të poezisë lirike, heronj të saj. Shigjetat e Kupidit dhe shtytjet frojdiste, pleksen që nga fillesa e botës.

Krijimet humoristiko-satirike janë një zhanër i preferuar i këtij autori, ndaj të cilit ai ka afinitet të veçantë (mjafton të kujtojmë librin e botuar në vitin që lamë pas Njeriu guaskë).

Fatmir Musain do të mund ta quanim një Ali Asllan elbasanas, por humori i tij, me gjithë një tis të hollë oriental, ka ngjyrën e kohës sonë, të erës së globalizmit. (Nëse poezia shqipe e viteve gjashtëdhjetë të shekullit XX, e Kadaresë me shokë, fuste furishëm në fjalorin poetik fjalët asfalt, antenë dhe ekran, në tekstet tona të sotme poetike kanë një frekuencë të madhe fjalët: internet, fejsbuk dhe celular).

Më shumë se humor, te ky poet kemi satirë, që kufizon herë-herë me sarkazmin nolian. Në konceptimin e përgjithshëm të poezisë, përfshirë edhe afinitetin për humorin, shëmbëllen me Dritëroin, por është vetvetja, sepse të vetat i ka motivet, shqetësimet, ndjeshmërinë dhe shprehjen.

E zotëron mirë teknikën e vargut; ka fjalor të pasur, shtron shumë pyetje e dilema ekzistenciale; ka një raport aktiv me kohën; është kritik ndaj dukurive negative në shoqëri. Zhvillon dialog me të urtët e botës: “I madhi Khajam, ç’bëhet kështu…”; zemërohet kur sheh se: “… rrugëve shëtisin qen me kollaro që bëjnë veç gam-gam,/ Është buçja e madhe që i ndërsen/ Dhe stelën e ka në një pallat në Tiranë!”. Përqesh analistët injorantë, tallet me deputetë, priftërinj e hoxhallarë; ironizon spitullaqët dhe narcisoidët; stigmatizon ithtarët e “teorive të konspiracionit”, që përhapin frikë e mosbesim në botë. “Me gjuhë nëpërke rri e pret në pritë,/ Oksigjen i dha dhe zoti Kovid” (Konspiracionisti).

Mbi të gjitha, vargu i këtij poeti përçon mesazhe të qarta poetike dhe ka një diksion gati perfekt, ku secila fjalë e secili tingull është në vendin e vet. Gjuha është e qartë, por e kultivuar; rima spontane e jo e kërkuar, kurse vargu i gdhendur me durim e mjeshtëri dhe, ç’është më me rëndësi, në harmoni me përmbajtjen.

Do thënë se poezive të ciklit të parë (erotike) u përgjigjet më mirë katrena; atyre të ciklit të dytë (satirike) u shkon për shtat më fort distiku, ndërsa te cikli i tretë dhe që është më i vëllimshmi, ku poeti përsiat për probleme të ndryshme shoqërore, kemi një kombinim të këtyre dy formave të vargut.

Nuk mungojnë as poezitë me frymëzim historik e kombëtar, çfarë janë, fjala vjen, vjershat për Çamërinë e Osman Takën, si dhe ato ku përftojnë imazhet e Elbasanit të dikurshëm, por e sotmja, me tërë spektrin e saj, është fusha në të cilën manovron më lehtë dhe më me siguri imagjinata e këtij poeti.

Vëllimi Korrieri i dashurive është një libër i nivelizuar, pa batica e zbatica të mëdha, ku pothuajse nuk ka poezi “të forta” e “të dobëta”, edhe pse ndonjëra syresh lë për të dëshiruar nga aspekti i porosisë ose edhe i ndonjë zgjidhjeje jo plotësisht të justifikuar artistike.

Me këtë libër Fatmir Musai ka bërë një hap para në krijimtarinë e tij letrare: ky libër shënon fazën e pjekurisë së plotë të këtij poeti tashmë në moshë dhe me përvojë të gjatë krijuese. Teksa e shqiptoj fjalën “moshë”, më vjen në mend një mendim brilant i Servantesit. Në parathënien e vëllimit të dytë të Don Kishotit, të cilin e botoi dhjetë vjet pas të parit, në një moshë relativisht të shtyrë, romancieri i madh thoshte: “Nuk shkruajnë thinjat, po mendja”. Pjekuria artistike e këtij libri i detyrohet në radhë të parë punës, talentit dhe kulturës së autorit e jo moshës dhe viteve.

Autori i këtij libri, “don” Fatmir Musai, është një Don Kishot i llojit të vet, komik dhe tragjik njëkohësisht, po aq sa edhe optimist dhe skeptik. Ka një mendje të kthjellët, por edhe një dehje latente, pa të cilën nuk mund të krijohet poezia, kjo “mbretëreshë e arteve”, si quhej dikur, atëbotë kur poeti ishte profet dhe zot, kurse poezia jo vetëm art, por edhe besim dhe shkencë.

 

Prishtinë, 31 janar 2021                                                                     Agim Vinca