Një tjetër libër vjen nga shtëpia botuese ADA
Titulli: Ku lindin e vdesin dashuritë
Autori : GURALI SPAHILLARI
Redaktor letrar: Eris RUSI
Recezent: Petrika RIZA
Botimi i parë, 2020
ISBN: 978-9928-326-13-3
Përgatiti për botim: Roland Lushi
Formati : 13.5x20cm
Të gjitha të drejtat i takojnë autorit
Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, qershor 2020
Katalogimi në botim BK Tiranë
Spahillari, Gurali
Ku lindin dhe vdesin dashuritë : poezi / Gurali Spahillari ; red. Eris Rusi. – Tiranë : Ada, 2020
124 f. ; 20 cm.
ISBN 978-9928-326-13-3
1.Letërsia shqipe 2.Poezia
821.18 -1
PARATHËNIE
Ngjan sikur është kthyer në zakon për njerëzit që të matin jetën e tyre me kalimin e saj: minutat, orët, ditët, muajt, vitet. Në këtë hapësirë kohe, ka vend për dashurinë, që lind, rritet brenda nesh, e mbush me dritë e mirësi të bardhë jetën, por i nënshtrohet kohës dhe rutinës, mund të zvogëlohet, të mpaket, të vdesë. Ky përfytyrim, vjen në krijimet e këtij libri i cili tejçon një vezullim poetik të dashurisë si element thelbësor i ekzistencës sonë: dashuria e cila lind brenda nesh, prek ata që kemi afër, lëmohet mbi fytyrën e fëmijës kur është i vogël dhe buzëqesh i lumtur, zhvendoset mbi trajtat e gruas që kemi në krah, të bashkëshortit që është plotësim i ekzistencës, mbi prindërit, miqtë, njerëzit me të cilët mbushet bota jonë, më tej mbi natyrën, mbi gjallesat që të heshtura vijojnë jetët e tyre, zogjtë, retë, frymëmarrjen e së bukurës e cila bëhet poezi dhe depërton në shpirt. Por edhe i dashurisë që kthehet në dhimbje për vetveten, që është një lloj reflektimi i detyrueshëm kur vetmia vjen si një perëndim qielli dhe krijon zona me hije mbi ekzistencën tonë.
Kjo marrëdhënie e shpirtërores me ndjenjën e dashurisë, besoj është elementi kyç ku mund të shohim hapjen e autorit ndaj një frymëzimi individual, të sinqertë, prekës, mbi mënyrën si bota futet përbrenda zemrës së tij dhe si ai e mbush me trillet dhe delikatesën e shpirtit këtë botë. Njeriu është me origjinë hyjnore, vjen nga qiejt e epërm e si i tillë edhe ndjenjat e tij ruajnë esencën e yjeve, ndriçojnë dhe mund të gjurmohen në qiellin e jetës:
Dhe ne
Prej yjesh
Në tokë kemi zbritur
Si zbresim sot nga ajri,
Shpirtin e tyre
Në gjoks e kemi
Si një bërthamë zjarri!
Nga ky dimension metaforik, krijuesi zbret herë pas here mes ditëve që ngjasojnë të mbushura me pezmin e zakonshëm. Për atë ka rëndësi edhe thjeshtësia e jetës në një botë që vrapon e mbrapshtë për të qenë e trazuar, poetin e ngacmon gufimi i ditës ku bukuria vjen në formën e një kumbimi të brendshëm, ai është njeriu që i flet vetes së tij, si të shihet para një pasqyre e përtej të mos gjejë refleksin e vet, por hijeshinë, dhimbjen, mallin, pastaj zhgënjimin, dhe njerëzit që kthehen në drurë të largët, vetmitarë, me gjethe të rrëzuara që janë kujtime dhe brenga, ku jeton poeti por edhe miqtë e tij, ku i jepet shteg fatit të çdo njeriu dhe ku fati i femrës ndodh që të jetë në dritëhije, i mënjanuar, i përndjekur dhe i paragjykuar.
Kjo nevojë për t’u ndalur tek një tjetër përfytyrim i pozicionit të femrës në shoqërinë e sotme, i jep këtij libri një frymëmarrje të bukur, femra është e lirë të dashurojë dhe ta dashurojnë, të zgjedhë gabimet e saj dhe të mos pranojë të tjerët të gabojnë mbi të; femra është pjesa më e shndritshme e qiellit të jetës mbi botë, e këtë poeti e ngulmon në një pjesë të krijimeve të tij.
Pastaj vjen bota e ëndrrave dhe e meditimit, ku sërish nuk kemi një shpërfaqje të zakonshme të njeriut që përfytyron apo ngacmon nga ajo shtjellë e paqartë e ndjesive që lindin si ëndrra, por ndodh që të privohet, t’i hiqet edhe e drejta për të ëndërruar. A ka më keq se të jesh i braktisur nga ëndrrat? Ta lësh zhgënjimin dhe fatin të krijojë një shkreti të frikshme përbrenda shpirtit?
UNË ËNDRRA NUK KAM MË
Kalendari im
Grisur nga fati është,
Si copa letrash
Hedhur në zjarr!
Herë më ngjan
Me fatin e një lordi,
Herë me hirin më ngjan!
Të njëjtin fat
Ke patur dhe ti,
Prushi është djegur
Ka mbetur vetëm hi.
Unë ëndrra nuk kam më
Se as gjumë nuk kam,
Por dhe ti pa gjumë rri!
Këto vargje dëshmojnë edhe një element stilistik të vetë autorit. Poezitë në këtë përmbledhje kanë një natyrshmëri për t’u shndërruar, nga një zë melodioz, i qetë, në një rebelim, këmbëngulje për të mos rënë pre e së keqes, e vesit, e mëkatit,, për të kaluar më pas në melankolinë e njeriut që i rrëfehet vetes, e që vetveten, pjesën më të ndriçuar dhe honet më të thella, kërkon t’i ndajë me të tjerët, me lexuesit e tij. Kështu Poezitë ngjasojnë me shpirtin e krijuesit, dallgë të deti të trazuar, të paanë, që mbërrijnë tek lexuesi si rrëfime të një kujtese të hershme, ku lidhet realja me ëndërrimtaren, përmes emocionit ritmik të poezisë:
Zili dhe dallgët
Të kenë
Nga puthjet e mia
Si zjarr,
Si zjarr të digjesh
Dhe ti
Nga shpirti
Ngarkuar plot mall!
Ky libër vjen si një rrëfim poetik që nis nga vetvetja, poezitë ju ngjajnë jehonave, janë mbresa kujtimesh, goditje ndjesish, ku dalin emra, njerëz, fragmente natyre, histori ku nënvizohet dashuria në të gjitha fazat e saj.
Këto jehona janë edhe mesazhe shprese që e ftojnë lexuesin të mendohet ndaj pengesave më të zakonshme të jetës sot: frika, indiferenca, vetmia, përmbysja e vlerave, përçmimi i miqësisë, shpërfillja e dashurisë si akt sublim. Në këto jehona ka një vuajtje intime e cila bën të dallohet një zjarr i madh i ekzistencës që poetit. Autori zhvendoset nga skemat tradicionale të poezisë, gjen një formë të tijën të rrëfimit poetik, strukturimi i vargjeve dhe metaforat lindin me një origjinalitet që është vetë mënyra e të jetuarit të tij: një jetë e kaluar jashtë dritës së reflektorëve, duke sfiduar pompozitetin dhe zhurmën, por që bart në thelb të veçantën dhe njerëzoren artistike.
Nuk mbaj mend
Me dikë të jem grindur,
Sharë,
Mbajtur mëri…
Një natyrë e qetë
Kam qenë në jetë,
Me zemër kam folur shumë
Jo me gojë,
Kam ngjarë me një pranverë
Që shumë s’do vonojë!
Poezia e Gurali Spahillarit është e drejtpërdrejtë, përjetimet dhe idetë ndjekin njëra-tjetrën duke u bashkuar dhe ndarë në një lloj kaleidoskopi. Përtej ëndrrave, tekstet poetike na japin një sheshpushimi intim të krijuesit, një zonë e prekur nga hija e botës, ku autori është në kërkim të nuancës së duhur për të shprehur këndvështrimin e tij mbi botën, mbi jetën, mbi marrëdhënien mes njerëzve, për zjarrin dhe prushin e dashurisë, për hirin e pasionit dhe shkretinë e jetës kur dashuri nuk ka më. Ajo që e bën të veçantë poetikën e krijuesit Spahillari është përbërësi dialogues me lexuesin: ka përherë një “Ti” drejt të cilit autori zhvendoset kah lexuesit, lidhet me të dhe i bën të përbotshme përjetimet dhe ndjenjat, trazimet që zemrat i provojnë të paktën një herë në jetë. Kjo ngjan me momentin e mbajtjes thellë të frymës para zhytjes nën ujë, një moment i gjatë personal, individual, çasti kur secili prej nesh e kupton se jeta është një dhe e papërsëritshme, që dashuritë lindin dhe vdesin e që vetëm çasti i ndërmjetëm, është një përjetësi thuajse hyjnore.
Poeti, nëpërmjet forcës së evokimit në vargjet e tij, na dhuron imazhe të gjallë ëndrrash dhe iluzionesh, dhimbjet e shpirtit dhe magjepsjen e natyrës, duke peshuar me kujdes çdo fjalë, që vargjet të mos mbeten vetëm në letër, por të krijojnë një lidhje të ngushtë e të drejtpërdrejtë me lexuesin. Ky i fundit do ta gjejë veten ngrohtë brenda këtij libri, mund të lëvizë në atë hapësirë të pafund, ku lindin e vdesin dashuritë, të lexojë me kujdes poezitë, të bëjë ndërprerje të shkurtra nga një krijim tek tjetri, për të lënë të mbushet brenda zemrës së tij ai emocion vezullues, që ngroh dhe drithëron, që është edhe poezi edhe dashuri!
ERIS RUSI
Kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Bota e Re”
Korçë