Nga Botimet më të fundit të shtëpisë botuese “ADA”

 

Autori: LEONARD BIXHILI

Titulli: KUR MALLI BËHET MAL

Redaktor&Korrektor: KOZMA BILLA

Kopertina: Pashk Përvathi

 

 

Botimi i parë: 2020

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

ISBN: 978-9928-326-18-8

 

Formati : 14x20cm

 

Të gjitha të drejtat i takojnë autorit

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, korrik 2020

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Leonard Bixhili

Kur malli bëhet mal : poezi / Leonard Bixhili ; red. Kozma Billa.

– Tiranë : Ada, 2020

164 f. ; 20 cm.

ISBN 978-9928-326-18-8

1.Letërsia shqipe         2.Poezia

821.18 -1​

 

NË VEND TË PARATHËNIES

 

Kur shfleton vëllimin poetik të autorit Leonard Bixhili “Kur malli bëhet mal”, poezia e parë, e cila shërben edhe si prolog i këtij vëllimi, të çon në fshatin e lindjes, në Dhërmi.

Poezia është një strukturë e këtij fshati, karakteristikë edhe në fshatrat e tjera të Bregut, ku të fut në këtë mjedis aq të bukur dhe tërheqës, sa që të mahnit me bukurinë e tij. Është një panoramë reale, e përshkruar bukur me nota dhembje e malli, me një dashuri të papërshkrueshme. Në këtë pikturë të skalitur me vargje, çdo kalimtar mund ta emërtojë, pa më të voglin dyshim, se ky është Dhërmiu.

Kjo nuk është e vetmja poezi që flet për këtë qytezë të ngritur rrëzë malit e që lan këmbët në detin kristal të Jonit, me një perëndim të bruztë që flakëron e ndizet zjarr e që shkon në tjetër kontinent duke lënë pas magjinë dhe bukurinë përrallore e që mbetet gjatë dhe gjallë në kujtesën e çdo vizitori.

Ai ka një brengë për fshatin e tij dhe ai këtë brengë e pikturon bukur në vargjet:

“Ngjitem brinjave përpjetë,

e lodha trupin dhe mendjen,

do të iki nga kjo jetë,

o Dhërmi me brengën tënde”.

Autori është i shqetësuar që ky vend turistik merr jetë e gjallëri gjatë periudhës së verës, ndërsa dimrit zhytet në gjumin letargjik të tejzgjatur. Ai kujton kohën e fëmijërisë, ku rrugët, rrugicat e sokaket gëlonin nga zërat e fëmijëve, ndërsa tani, në më të shumtën e kohës, kanë rënë në heshtje, ku rallë mund të ndeshësh ndonjë plakë, e cila del për të bërë blerjet e nevojshme.

Ai shprehet:

“Në të rrallë dëgjoj ndonjë zë vajtimi,

atëhere veshët i mbyll me pëllëmbë,

pastaj i hap se më soset durimi

dhe ndihem sikur kalova një krizë të rëndë”.

 

E megjithëkëtë ai është entuziast që fshati është ringritur duke u kthyer në identitet, falë përkujdesjes së qeverisë shqiptare.

Autori shkruan:

“Gabime si këto bënë dhe të tjerë,

fshatit bukuritë duke ia shteruar,

por qeveria mori një vendim të prerë,

fshatin historik për të rindërtuar”.

 

Tematika e këtij vëllimi është e larme. Autori, edhe pse në mërgim, është i shqetësuar për çka ndodh. Ai, edhe në kapërxime tematike, kthehet e rikthehet në ato kujtime që i kanë lënë mbresë gjithë jetës së tij, në fshatin e tij, në ata gurë që ka përgjakur këmbët, në ato gërxhe ku ka kullotur bagëtitë në fëmijëri, në jetën e vështirë, në optimizmin që e karakterizon, se një ditë fshati do gjallërohet si dikur.

Një peng ka në zemër e shpirt që nuk iu ndodh pranë nënës së tij, kur u largua nga kjo jetë. Ai që vinte shpesh tek ajo, ishte lidhur ngushtësisht, ndaj dhe ky peng e ngushton. Nuk ka kush ta presë te dera, nuk do i dëgjojë më zërin e saj, nuk do të gjejë derën hapur, ndaj ai shkon me një tufë çelësash në dorë, që dikur nuk i ka përdorur. Sa të vështirë e ka autori, kur kjo tufë çelësash i rëndon në dorë.

 

 

Me një tufë të madhe çelsash në dorë,

një nga një dhomave u vij vërdallë,

kërkoj në  çdo cep me minuta dhe orë

me shpresë se diku do i gjej të gjallë. – shprehet autori.

Krahas temave që trajtohen në këtë vëllim, ajo që të bie në sy është edhe lirika e dashurisë, ku autori i zgjedh dhe i përzgjedh fjalët për të pasqyruar sa më mirë realitetin e kohës, duke u mbështetur edhe në traditën bregase. Do të mjaftonin këto tetë vargje për të vërtetuar, se si autori e përshkruan bukurinë e vashës dhe andrrallat që i hap ajo në jetën e tij:

“Nur i bukurisë

i madh sa shtatë dete,

më bëri dhe mua,

të flasë me vete.

 

Flaka e dashurisë

më kushton çdo ditë,

herë humbas mendjen,

herë humbas sytë”.

 

Autori nuk i harron shokët e tij, jo vetëm ata të fëmijërisë, ku kaloi një pjesë të jetës në fshatin e tij të lindjes, po ashtu ai nuk harron edhe shokët e shkollës së lartë, për të cilët ai entuziazmohet për ecurinë e tyre të mëtejshme dhe që deputojnë në skenat ndërkombëtare. Ai është krenar për ta.

Një pjesë e mirë e poezive të këtij vëllimi kanë të bëjnë me aktualitetin, me ngjarjet, me gjithë dritëhijet e tyre. Ai është kritik, qoftë edhe për qeveritë që kanë kaluar në këtë vend e që e kanë zhytur në mjerim e varfëri këtë popull të mirë, por të shumëvuajtur. Ai i fshikullon pa frikë dhe me kurajo duke ngritur zërin me të drejtë për këto dy-tri standarte jetese: disa në vila luksoze, pjesa më e madhe zhytur në mjerim e skamje. Ai nuk pajtohet me këtë gjendje, ndaj dhe është i ashpër me këdo që e ka katandisur shtetin në këtë gjendje. Ai kritikon ashpër edhe luftërat që ndodhin nëpër botë për të përmbushur epshet e këtyre shteteve të quajtura të fuqishme. Ai shpërthen:

“Lufta vazhdon e ashpër nga të dya palët,

populli fukara bën sehir rivalët”.

 

Ose në poezi tjetër, autori shkruan:

 

“Kjo tokë s’duron xhelatë të rinj,

me gjak është vaditur.

Ndaj, popull, mos fli, ngreu e merri

dhe prapë zvarritur”!..

 

Vëllimi përfshin një numër prej 120 poezish. Një nga poezitë që të bën përshtypje është ajo që i kushtohet shkrimtarit të madh të Bregut dhe gjithë Shqipërisë, i quajtur “shkrimtar rebel” të madhit Petro Marko nën titullin “Takim me barba Petron”. Është poezi e ndërtuar bukur në formën e një bashkëbisedimi me këtë kollos të letrave shqipe, ku poeti i tregon atij, se ka filluar të belbëzoj në rrugën e bukur të poezisë. Është vet autori që merr rrugën për ta takuar shkrimtarin e madh. Autori shprehet:

“Kalldrëmeve të Dhërmiut do t’u ngjitem me një frymë,

do të vij në Allonja,1) në shtëpinë e re të të takoj,

të ulemi pak, nën hijen e rrapit të rrimë,

të flasësh ti dhe unë në heshtje të dëgjoj”.

Autori e mbyll poezinë për “Nderin e Kombit” me këto vargje:

“Tani prehesh i qetë këtu në vendlindje,

përballë kaltërsisë së pafundme të Jonit,

me shikimin tutje nga parcelat e ullinjve,

mes bukurive të Bregut dhe aromës së limonit”.

 

i cili ishte edhe amaneti i shkrimtarit të madh.

Poezia e fundit e këtij vëllimi titullohet “Bukuritë e bregdetit tim” që për mendimin tim shërben edhe si epilog i këtij vëllimi, duke shprehur mallin që ka për bukuritë e këtij vendi të bekuar që pamundësisht nuk arrin t’i shijojë siç duhet. Ndaj, me një apostrof,  ai shprehet:

“O bukuri përrallore të bregdetit tim,

male, pyje, brezare e dete,

ika shpejt e shpejt një natë me nxitim,

zemrën lashë aty, trupin mora me vete”.

 

Përsa i përket strofës dhe metrikës së vargut duhet thënë se autori në përgjithësi përdor strofën e zakonshme katërvargëshe, si dhe alternon tercinën dhe strofën dyvargëshe.

Edhe rima e përdorur është ajo tradicionale, pra rimë alternative, e stilit ABAB dhe e përputhur AABB. Ngandonjëherë në ndonjë poezi kemi gërshetim të këtyre dy rimave, në ndonjë rast të ndonjë strofe edhe njërimëshe.

Duke përfunduar, i uroj autorit suksese në rrugën e bukur të poezisë.

 

KOZMA BILLA