Këtë fundjavë një tjetër botim te shtëpia botuese ADA

Titulli: Lëndina e lumturisë

Autore: Gjyste Dajani

Korrektor: Çelik Petriti:

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

©Të gjitha të drejtat i përkasin autores

ISBN: 978-9928-326-32-4

Botimi i parë, 2020

Formati : 14x20cm

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr.Mihal Grameno Pall.32 Ap.7 Tiranë

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, gusht 2020

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Dajani, Gjyste

Lëndina e lumturisë : poezi / Gjyste Dajani. – Tiranë : Ada, 2020

60 f. ; 20 cm.

ISBN 978-9928-326-32-4

1.Letërsia shqipe     2.Poezia

821.18 -1​

 

Parathënia

 

“Lëndina e lumturisë”, ky është libri numër 13 i autores dhe në radhë qëndrojnë edhe dorëshkrimet e tjera për t’u botuar.

Më në fund librat e poetës Gjyste Dajani, po shtohen në sasi dhe cilësi, dhe detyra ime si shkrues i parathënieve, vështirsohet paksa, pasi nuk duhet të përsëris vetveten nga parathënia në parathenie!

Vëllimi poetik i poetes nga Zadrima, shtrihet horizontalisht si fusha e Zadrimës, dhe vertikalisht si mali i Korabit. Kombinon bukur titullin e librit me kopertinen. Tek “Lëndina e Lumturisë ” është poezia që i dhuron titullin librit.

Poetja ka mbaruar studimet për dentiste në Vlorë , por të duket se ke përpara një psikologe, e cila pas mbylljes në karantinen e lodhëshme dhe stresuese të virusit korona, Gjystja grumbullon gra e vajza të luajnë e të bisedojnë te lëndina e fshatit, që ajo e pagëzon me emrin ” Lëndina e lumturisë”.

Lexuesi do të përpiqet ta zbulojë çdo poezi si një ngrehinë më vete me një arkitekturë të veçantë, e cila të jep një tablo më të plotë dhe më të përgjithshme.

Gjyste Dajani vjen për të treguar të vërtetat e saj nëpërmjet pulsimeve poetike, që bashkojnë dy skaje të jetës: një skaj i kësaj jete është Shqipëria dhe një skaj tjetër është Amerika, ku ka djalin me nuse dhe fëmijët, që autorja, gjyshe e lumtur, i quan mjalti i mjaltit.

Kështu libri i Gjyste Dajanit bëhet libër i identitetit të trazuar, por të vendosur dhe të projektuar brenda një zemre njerëzore që përpiqet dhe pulson deri në vlim.

Autorja shfaq gjithë botën dhe shqetësimet e një gruaje që kërkon të ringrejë përditë jetën e vet, e cila duket sikur është gjithmonë përpara rrezikut të shembjes…!

Mund të themi se në këtë libër vlon dita, çasti, nata, mëngjesi, koha e një njeriu të vetëm; madje i një njeriu të vetëm që di të përballojë çdo vështirsi, e cila arrihet nëse gjërat i sheh me pozitivizëm.

Autorja duket se ka arsye të ndryshme për të lindur dhe për të shfaqur ndjenja të çliruara të një gruaje që lufton për një ekzistencë të pasuruar nga bota e saj e brendshme.

Gjyste Dajani e ruan temën shqiptare në duar si në një maratonë të lindur kushedi se kur. Brenda kësaj teme ajo rilind dhe vuan, ndjek dhe shoqëron bashkëqytetarët e saj, përplaset, deri sa arrin të shpalosë veten.

Mund ta quash këtë libër vizion për jetën e për hallin personal, rrebesh shpirtëror i grumbulluar, që më në fund ka ku të derdhet. Terreni poetik dhe gjuhësor është i pafundmë. Në Shqip këto të gjitha i përmbledhim në një fjalë të vetme: “shqetësim”.

Dalëngadalë, dhe si pa e kuptuar, poetja krijon ekon e saj poetike, lëvizjen e vetes, jo thjesht gjeografikisht, por edhe shpirtërisht nëpër histori.

Ne shpesh, kur duam të themi dy fjalë për një libër, aq më tepër për poezinë, e largojmë atë nga meraku fillestar dhe e përplasim te forca e shprehjes. Kështu që edhe Gjyste Dajanit, aq sa i duhet materia, i nevojitet edhe teksti i saj poetik, i cili përsëri ka dy çelësa së bashku: mënjanë ndikimin e poezisë shqiptare më të mirë të viteve ’70-’80, duke filluar nga poetët më të mirë të trevave të saj (të Lezhës) si Ndoc Gjetja, Rudolf Marku e më vone tek Preç Zogaj etj deri te poeziä e sotme qytetare të vendit ku jeton, që shpesh nuk ka nevojë për filozofira të shumta.

Gjyste Dajani zgjedh kështu bisedën e hapur dhe të drejtpërdrejtë, deri në skutat më të thella njerëzore.

Kjo lloj gjuhe shprehëse na bën të mendojmë se jemi përpara sinqeritetit të një njeriu që tregon për vete.

Mund të jetë një ndikim i shoqërisë ku jeton, ku i dihet!

Por, ajo që ka rëndësi, është ̈ të gjej një të prerë analitike rreth një fati të përbashkët (shpeshherë të kuptueshëm, apo të pakuptueshëm) për pjesën tjetër, më të brendshëm ,ose më të izoluar.

Poezia vjen nga një jetë e prekshme dhe plot detaje marrëdhëniesh reale. Lexuesi është miku i poetes, ai që mban dhe pret dëshpërimin, emocionin, “kupton justifikimin, apo zhgënjimin”. Gjyste Dajani ka gjetur gjuhën e një besimi reciprok me lexuesin.

Ky stil bashkëbisedimi kaq koefidencial tregon respektin për lexuesin.

Por, edhe pasi e përfundon leximin e librit , pasi merr frymë thellë, mund të thuash se më e rëndësishme është që ky libër është shkruar me vrull të brendshëm.

 

Deniluja, epigramist.