Lot për Dalinën…

Botimi i parë, 2017

Përgatiti për botim: Roland Lushi

Formati : 14x20cm

Të gjitha të drejtat i takojnë autorit

Botimet ADA

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Nasi Pavllo Nr.20

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, qershor 2017

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Gjergji, Demir

Lot mbi Dalinën… : jetëshkrim / Demir Gjergji.

–Tiranë : Ada, 2017

172 f. : me foto ; 20 cm.

ISBN 978-9928-244-00-0

1.Letërsia shqipe 2.Biografia në formë letrare

3. Gega (Gjaci), Dalina N.

821.18 -94

Dy datat e Dalinës…

Me parandjenjën se ajo ditë e nxehtë dhe e qetë vere, nuk do të më sillte asnjë ngjarje për t’u kujtuar më pas, isha ulur në kafen e zakonshme të lagjes. Herë pas here, si në një rit monoton, vija filxhanin te buzët, me sytë nga lëvizja e vrullshme e makinave mbi asfalt. Kujtimi, njëri nga taksistët, që e kisha bërë mik ato ditë, më hetoi nga larg me sy, nëse dëshiroja shoqëri në tryezë. Ia pashë vështrimin dhe e ftova me shenja. “E more vesh për Gjonin? Ka bërë aksident me makinë”. Dora me filxhanin më mbeti pezull. “Si është”? – e pyeta duke e parë në sy i tronditur. “E shoqja është më rëndë… “ i rashë menjëherë numrit të tij. Nuk m’u përgjigj! Po atë ditë shkova ta takoj. S’munda. S’më lanë të hyja. Rreth spitalit dhe në korridor ishin njerëzit e tij, që nuk i njihja.

E takova pasi doli nga spitali. Ai trup me fizik të admirueshëm, ishte rrëgjuar. Hija e rëndë e burrit me prejardhje malësori, e cila më kishte bërë përshtypje gjithnjë tek ai, ishte bërë më e zymtë. I zgjata dorën për ta ngushëlluar. Gjoni e shtriu përgjysmë me mundim dorën e vet. Ia preka lehtë gishtërinjtë, për të mos e lënduar. Vetëm kaq. Nuk shkëmbyem, pothuaj, asnjë fjalë. E dija se shoqja nuk jetonte më!

Dalina! Kisha përshtypjen, se e kisha parë vetëm një herë, duke hyrë në klinikë. Ajo po dilte nga dera, ndërsa unë hyra. Mbaja mend vetëm zbritjen e saj shkallëve me hap të lehtë e të shpejtë. Supet e mbuluara me një bluzë të bukur. Kaq.

Muaj më vonë, u ulëm me Gjonin në kafe. Sytë i kishte vazhdimisht të lagur nga lotët. “Dua të bëj një libër për të. Si mendon”? “Është më mirë se t’i ngresh një lapidar”, – i thashë.

Ky ishte fillimi i njohjes së vërtetë me Dalinën. Mënyrat e sotme të njohjeve janë nga më të ndryshmet: takimet e rastësishme në një udhëtim, një ngjarje e padëshiruar ose e gëzuar, rastisja bashkë në një vend pune, apo auditor, sidomos ato njohje nëpërmjet internetit që janë bërë më të zakonshmet… Janë të panumërta rastet. Kurse njohja ime me Dalinën, me vajzën plot ëndrra, plot shije dhe dëshira për të renë dhe të bukurën, plot dashuri pasion për jetën, me atë njeri të sinqertë dhe shpirt të madh, me atë bashkëshorte të përsosur, me atë nënë të përkushtuar që lindi e rriti 3 fëmijë të mrekullueshëm, që kishte kaq shumë mikesha dhe njerëz që e donin dhe e respektonin, ishte krejt ndryshe. Të gjitha këto cilësi që rendita për të, i mësova jo duke e njohur drejtpërdrejt, sepse përveç asaj dite, kur u hasëm në një fraksion sekonde, në dalje të klinikës, nuk e kisha parë më asnjëherë, por i mësova gjatë përgatitjes dhe shkrimit të këtij libri, nëpërmjet rrëfimeve të njerëzve të saj më të afërt, të Gjonit, Xhoinës, Deas, Henrit, Gjovalinit, të Dilorës, Maries, Terezës, Pashkut, Palit, Marës, Nushës, Angjelinës, Erindës, Kristinës, Gjergjit, Amversës, Eglës, Lulit, Shpresës, Athinasë, Mirelës, Vjosës, Enkeledës, Lolës, Brikenës e shumë e shumë të tjerëve, për të ardhur te ky libër që ti, i dashur lexues, ke sot në dorë. Gjatë bisedave me ta përjetova emocione që rrallë i kam provuar. Nga fjala në fjalë, nga kujtimi në kujtim, nga ngjarja në ngjarje, nga fotoja në foto, pyetje pas pyetjeje, Dalina më shfaqej gjithnjë e më e plotë, gjithnjë e më e afërt, sikur ta kisha motër. Detaje nga më interesantet, të cilat as nuk i kisha menduar në fillim të kësaj pune, kur librin e mendova, thjesht, një portret të dhimbshëm bije, gruaje dhe nëne, por nuk ishte kështu; Dalina ishte edhe piktore, edhe mësuese, edhe artiste në shpirt dhe me temperament të gjallë, edhe e dhënë pas veshjeve me shije, dinte edhe të bënte humor e të qeshte me gjithë shpirt, edhe të kërcente bukur në dasma, edhe të gatuante si një amvisë që rrallë ia gjeje shoqen, që të bënte për vete me çiltërsinë e saj dhe fjalën e ëmbël. Tani që libri është në dorën tuaj, mes shumë pyetjeve që i bëj vetes, natyrshëm me vjen edhe pyetja, se si ka mundësi që nga Xhuxha, një fshat i thellë, mes maleve të Mirditës, të rritet një vajzë e kohës, të dalë një grua e tillë, që do ta kishte zili edhe një zonjë metropoli. Dhe përgjigjen e kam gjetur, kur më kanë folur për familjen e saj të madhe me një vatër vëllezërish e motrash, por sidomos, kur kam mësuar për nënë e saj, së cilës burri i vdiq duke ia lënë asaj barrën e shtëpisë dhe rritjen e fëmijëve. Pra, midis atyre maleve ishte rritur edhe ajo! Nderim për atë nënë, për ata vëllezër e motra, për atë familje! Nuk mbaron këtu nderimi. Dalina u njoh me Gjonin dhe hyri në familjen e tij si nuse, por që shpejt njerëzit e burrit e donin si bijën e tyre, si motrën e tyre! Në të gjitha takimet dhe bisedat, që kam bërë për të arritur te ky libër, një gjë ka qenë e përbashkët: syri i përlotur; kushdo që më foli për të, duke filluar nga motrat e vëllezërit e saj, nga fëmijët e saj: Xhoi, Dea e Henri, nga i shoqi, Gjoni dhe nga prindërit e tij; Pali e Mara, nga kunatat e kunetërit, nga mbesat e nipat, nga miket e koleget, nga komshiet etj, të gjithë i shoqëronin fjalët me pika lotësh. Madje, nga emocione të tilla, shpesh, më është dashur ta ndërpres bisedën, për ta rinisur më pas.

Tani që, edhe unë, autori, e kam këtë libër në dorë, tashmë si lexues, më duket sikur e kam njohur prej një jete Dalinën. Kështu shpresoj të ndodhë edhe me ju, që nuk e keni njohur atë më parë. Tek e shfletoj këtë libër, me vjen ndërmend shprehja lapidare e njerëzve që janë lindur në malet e Dalinës: “Ra ky mort e u pamë”!

Dalina nuk është më! Megjithëse kjo, mbase, mund të jetë gjëja më e pabesueshme që po them, sepse ajo jeton tek të gjithë të shtrenjtët e saj.

Dalina Ndue Gjaci. Vendlindja: Xhuxhë, Mirditë. Datëlindja: 01. 08. 1968. Shkollën fillore dhe 8-vjeçaren i kreu në Xhuxhë, në vitet 1975-1983. Ka mbaruar Shkollën e Mesme Pedagogjike në Tiranë, në vitin 1987-1988. Ka kryer Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, në vitin 1999. Ka punuar prej 13 vitesh, si mësuese, në qytetin e Rrëshenit. Më pas, gjatë viteve 2007-2010, emërohet në shkollën jopublike “Eureka”. Nga viti 2010 – 2012, punon në shkollën “Metropol”. 2013-2015 janë vite, kur punon si edukatore në kopshtin “Melodia”. 2015-2016, mësuese në shkollën “Willson”.

Ndërron jetë më 20.06.2016, pas një aksidenti fatal të 12 qershorit, 2016.

Në këto pesë radhë përfshihet jeta e saj e kufizuar në dy data: 01. 08. 1968 – 20. 06. 2016. Dhe kjo me siguri është pasaktësia me e madhe e gjithçkaje që përfshihet në këtë libër. Jetën e Dalinës nuk mund ta nxënë shekujt! Ato që ajo la pas, nuk mund t’i përfshijë as një libër si ky, as 1000 libra të tërë. Dy datat e Dalinës janë përjetësia. Kujtesa jonë për të do të jetë gjithnjë e përlotur!

Demir Gjergji Tiranë, 2017