Një libër për një figurë historike vjen si botimi më i fundit nga shtëpia botuese “ADA”

Titulli: LYRA 1930
Autor: NESTOR H. MUKO (NEÇO H. MARRIOTI)

Botim i Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale

Struktura grafike realizuar: Grafika “ADA”

©Të gjitha të drejtat i përkasin QKVT
ISBN: 978-9928-326-03-4

Përgatiti për botim: Niko Kotherja
Formati : 14x20cm

Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap.7

Tiranë, Mars 2020

Shtypur në shtypshkronjën e Shtëpisë Botuese ADA

Nestor Muko me grupin e tij
dhe koha e tyre

Niko KOTHERJA
Drejtor – Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradiconale
Studiues i historisë

Para rreth një shekulli, kur Nestor Muko me grupin e tij gjallëronte jetën kulturore dhe artistike të Sarandës, gjithë të pasionuarit shijuan momentet e shfaqjeve të cilat u tretën në kujtesën e tyre, pa u trashëguar mbresa të shkruara nga ato zhvillime. Në ditët tona të vetmet materiale të mbërritura prej Mukos dhe grupit të tij janë disa regjistrime, fare pak imazhe, ndonjë revistë, një katalog dhe një libër. E natyrisht edhe pjesëza rrëfimesh diku të vërteta, diku të mbajtura peng nga misteri e diku të hiperbolizuara. Pothuaj gjithë pikat e sipërpërmendura njihen pak, ose aspak. E ndërkohë kur flitet për jetën dhe aktivitetin e themeluesit të këtij grupi, lihej mënjanë dhe pa u përmendur një material i rrallë dhe i veçantë, pikërisht libri me titullin “Lyra”, që Neço Muko botoi në Tiranë, në vitin 1930. Arësyen e gjejmë përmes rrëfimesh, ku sipas tyre kuptojmë se ky libër u botua në një tirazh të kufijëzuar dhe qarkulloi pak në libraritë e kohës. Njëkohësisht, pakot me libra që autori kishte në shtëpinë e vet u shpërdoruan duke u flakur rrugëve gjatë vitit 1940, në periudhën e luftës italo – greke, kur shtëpia e tij u bastis dhe plikot me botime u hodhën në plevica e pellgje baltërash. Mendohet se Neço kishte në posedim pjesën më të madhe të librave që pati botuar. Me shpërdorimin e tyre, humbi një pjesë e rëndësishme e krijimtarisë së tij, që pa dritën e botimin 90 vite më parë nga sot. Një kopje origjinale e botimit të tij, që sot gjendet në bibliotekën e të nënshkruarit, ka në kopertinën e saj një vulë, e cila tregon se ky botim është tregtuar në Librarinë e Ali Hashorvës në Gjirokastër. Nga kërkimet e deri tanishme, besojmë se kjo kopje është e vetmja që ruhet në formë të plotë, pra e pa dëmtuar dhe pa mungesë faqesh. Nga kërkimi ynë pranë Bibliotekës Kombëtare zbuluam se ky botim nuk gjendet në fondet e saj dhe se nuk bën pjesë as në listën e botimeve që i mungojnë këtij institucioni. Ky fakt ka bërë që në studimet e ndryshme mbi figurën e Neço Mukos të botuara derimë sot, “Lyra” të mos përmendet si referencë në ato punime…