Java te Botimet ADA fillon me botimin më të fundit

 

Titulli i librit: MALLI PËRTEJ OQEANIT

Autore: Daisy ELBASANI

Redaktore: Alma PIRE

Kopertina: Niku Ramollari

© Daisy Elbasani

Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Botimi i parë, 2021

ISBN: 978-9928-362-11-7

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

Shtëpia Botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap.7 Tiranë

www.botimetada.com

 

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, dhjetor 2021

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese “ADA”

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Elbasani, Daisy

Malli përtej oqeanit: poezi / Daisy Elbasani;

red. Alma Pire. – Tiranë : Ada, 2021

100 f. ; 20 cm.

ISBN 978-9928-362-00-0

1.Letërsia shqipe         2.Poezia

821.18(497.7) -1​

 

PARATHËNIE

 

Nuk është nevoja që një poet ta takosh fizikisht për ta njohur, nuk është fare e domosdoshme ta pyesësh mbi jetën, vuajtjet, zhgënjimet, sfidat, përjetimet, as nuk duhet të hulumtosh në internet apo nëpër miq për të mësuar qoftë edhe një fjalë për të. JO!

Për të njohur një poet mjafton të lexosh poezitë e tij, të futesh midis vargjeve, të qëndrosh mbi strofa, të qetësohesh mbi fjalët që ka përdorur, të dyshosh edhe mbi peshën që kanë pasur shenjat e pikësimit të vëna në fund të çdo mendimi. Një poet i jep peshë edhe një tingulli, ia shton rëndësinë një titulli, sado i shkurtër apo i gjatë qoftë ai. Një poet luan me fjalën siç mund të luajë një fëmijë me lodrën e tij të preferuar, e përkëdhel atë, i fal dashuri, e bën të vetën dhe kërkon që ta ketë pranë në çdo lëvizje që bën. Muza e një poeti bën që ai të dalë nga vetja e të thotë në vargje ato të fshehta që as në dhomën e rrëfimit nuk do t’i kishte thënë kurrë. Një poet i vërtetë nuk jeton në sajë të ushqimit si gjithë të tjerët. Ai jeton vetëm falë muzës, ushqehet me vargje, shuan etjen me tingujt, vitaminat e tij janë çdo element i poezisë, çdo shenjë që vendoset mbi to për t’i dhënë formën, ngjyrat, detajet që përçojnë ndjenjën e saj. Të gjithë ata që do ta lexojnë këtë libër do të rikthehen në kujtime e përjetime personale, do të bëhen përjetues dhe personazh i çdonjërës prej poezive. Mesazhi që përçojnë ato tregon se çdo njeri e do poezinë dhe jetën me gjithë dhimbjet dhe vuajtjet që përçon.

Për mua është gjithmonë kënaqësi kur vjen një libër për t’u redaktuar, sepse është një proces i imtësishëm për të vëzhguar me detaje edhe germën më të vogël që përdoret e për të arritur te përkëdhelja që i bën fjalës e cila ka gjithmonë shumë gjëra për të thënë. Poezia është një komunikim i pashoq, një komunikim i ngushtë midis poetit dhe lexuesit, komunikim me sy, me mendje dhe me ndjenja.

 

Jam e kënaqur që kam njohur nëpërmjet këtyre poezive, edhe pse nuk jemi takuar në realitet, një poete me vlera, një person së cilës i flet shpirti dhe ia pasqyron fjala çdo ndjenjë që përjeton, çdo dhimbje që ndjen, çdo mall dhe brengë që e mundon. Ajo ka emrin e një luleje dhe vërtet poezitë e saj janë plot lule, diku me ndonjë gjemb, diku pa aromë, diku pa ngjyrë, por janë lule të veçanta në llojin e tyre, lule që përdoren për të shprehur shumë gjëra dhe që kanë vlerë në çdo kohë, pavarësisht llojit e paraqitjes. Ajo është lulja DAISY, lule që i ka rezistuar shkretëtirës, furtunës, shirave të rrëmbyeshëm dhe gjithçkaje që ka dashur ta shkatërrojë atë. Daisyn e ka degdisur fati të jetonte sa në njërin vend të Shqipërisë në tjetrin, sa në njërin rrebesh në tjetrin. Por ajo, ashtu siç dinë vetëm gratë e forta, e ka përballuar dhe ia ka arritur t’ia dalë mbanë sepse pas çdo rrëzimi është ringritur, pas çdo dështimi ka mësuar, pas çdo tradhëtie ka kuptuar. Ajo e di  që jeta kalon dhe ne shpesh, pa pasur mundësi të kuptojmë fatin tonë apo të ndalemi në detajin emotiv të njerëzve dhe ngjarjeve afër nesh, përdorim instrumentet gjuhësorë dhe letrare, ato të përjetimit dhe të realitetit për të na i kthyer në një libër të thjeshtë, që na prek të gjithëve, që na jep sy të tjerë për të parë botën dhe një ndjeshmëri tjetër për të komunikuar me fjalën.

Kjo poete, me poezitë e saj na tërheq ngadalë në realitetin e emigrantit, në një realitet të përjetuar çdo ditë me dhimbje për vendin e lindjes, për të shkuarën, për kujtimet e fëmijërisë. Historitë e saj personale, edhe pse i ka përjetuar vetëm ajo, të vijnë aq dhimbshëm sa dhimbja jonë si lexues është po aq e njëjtë me dhimbjen e poetit.

Daisy jeton përtej oqeanit, mijëra kilometra nga vendi ku ajo la rininë e saj, la varret e të parëve, la çdo gjë të bukur që mund të përjetojë një njeri në rininë e tij për t’iu kthyer një realiteti të dhimbshëm siç është emigracioni.

Çfarëdo që e prek atë në lidhje me emigrimin, e përpunon dhe i jep formën e perlave të vërteta artistike dhe ua dhuron lexuesve. Poezitë e saj i përkasin përvojës, të përzier me një sensibilitet specifik. Daisy e shndërron çastin në përjetësi, një ulje mbi stolin e parkut e quan magji, një puhizë e lehtë që i përkëdhel faqet e quan dashuri, çdo gjë që e rrethon i krijon romancën e përditshme që lidhet me jetën përtej oqeanit. Mendimi i saj, qoftë edhe për një foto, është i thellë dhe universal dhe çdo poezi është e bukur dhe e papërsëritshme.

Libri i Daisyt duhet të shkojë larg, sepse ai sjell porosi dhe mesazhe të fuqishme, për këdo, në çdo kohë.