Java fillon me një titull të ri te Botimet ADA

 

…Ajo që bie në sy, në poezinë e Fiqirete Kuklit, nuk është vetëm “himnizimi” i vendlindjes, as suprina e valëve të Shkumbinit të ëndrrave të saj vajzërore, por edhe veset e njerëzve, apo edhe harresa dhe braktisja e fshatit. Tiparet e poezisë moderne, përmes lirikës së saj, dallimet nga eptimi i titujve me *, ku motivet elegjake, rustike, reale, përshkruese fshihen përmes metaforave duke krijuar “lëkurën” poetiko-stilistikore të këtij vëllimi të ri poetik…

 

Titulli: Më duaj tani

Poezi

Autore: Fiqirete Kukli

Redaktim/recensa: Emrije Krosi.

 

Botimi i parë: 2022

Formati : 14x20cm

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

 

Tiranë, nëntor 2022

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese ADA

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Kukli, Fiqirete

Më duaj tani : poezi / Fiqirete Kukli ;

red. Emrije Krosi. – Tiranë : Ada, 2022

100 f. ; 20 cm.

ISBN 978-9928-362-78-0

1.Letërsia shqipe         2.Poezia

821.18 -1

 

PARATHËNIE

 

Poezia si akti i shkrimit, për shumë femra dhe gra, është kthina, streha, pragu, ku kujtimet dhe copat e mallit mblidhen dhe “ulen” në xhepin plot meditime, mall, largësi, pritje dhe takime. Kështu, edhe poetia e Shkumbinit, me plot “xixa malli” plugon thellësive të kujtesës shkrimore, të poetit të “Nimfave të Shkumbinit” të Haxhiademit. Nervi i përshkrimit të natyrës, me detaje deri në skutat më të imtat të saj, formon një konglomeratë ngjyrash dhe stinësh, plot larmëri kujtimesh. Ajo çliron, “vargonjtë e mallit” nga ikjet dhe kthimet, për fshatin, për lumin, për detin, për zogjtë, për veten, për prindërit, për motrat dhe atdheun. Aty, ka varrin e nënës. Plotmëria ndërtuese metaforike: kam veshur fustan gjethesh,/bluzë vjeshte mbi shpatulla,/jam veshur me stinën,/që ta ndjej deri në lëkurë, i jep një tjetër zëshmëri natyrës. Aftësia e saj përshkruese duke “hetuar” format dhe ngjyrat e reve, krijon një mjeshtëri rrëfimi, me stil individual.

 

Tematika e poezive është e larmishme. Nuk është vetëm forma e shkrimit të një gruaje, përmes stilit femëror, por edhe simetria ndërtuese përmes elementeve si:

marrëdhënia me veten, (si grua, nënë, shoqe, teze, emigrante)

marrëdhëni me familjen, (malli dhe kujtimet për prindërit, babanë, nënën, motrat, vëllain, birin e saj etj.),

marrëdhënia me mjedisin/atdheun/vendlindjen,

marrëdhënia me letërsinë dhe shkrimin,

marrëdhënia me kohën/kujtimet.

Ndërtimi stilistikor përmes metaforave si: muret e syve, që kalon deri në metonimi, por edhe përmes krahasimeve dhe simboleve rrok jo vetëm një qerthull fjalësh, qartësisht të dallueshme nga jeta rustike e fshtait si: fshat, fëmijëri, mulli, krua, shegë, qershi, misër, grurë, ara, balta, ftua, zogj, flutura, lule, por “kafshon” apo dyzon dhe njëjtëson, edhe dimensionin e saj si emigrante, përmes vargjeve: unë do mbetem ashtu, gjithmonë, /me sytë matanë detit ku lashë rininë, /këtej jam si ajo bima pa tokë, /këtej jam si ajo toka pa bimë. Ndërkëmbimi i fjalëve, apo përsëritja, anaforat dhe epiforat, shtojnë edhe forcën përshkruese të poezisë.

 

Në përditësinë e saj, përmes poezisë, rivajëzon edhe vështirësitë e integrimit të saj në vendin fqinj, sidomos përmes vargjeve: jam e huaj, /gjithmonë e huaj mbeta, /në këtë vend, përmes dy fjalëve sema: [mall /unë], përmes poezisë: “Matanë detit kam lënë mallin!”, ajo mundohet të dallojë se cilit atdhe i përket: atdheut matanë (realit) apo atdheut adoptues (artificialit), por përsëri ndihet e huaj. Ngjyrat e moshës dhe stina e viteve ia veshin butësinë femërore me mijëra buzëqeshje dhe gëzime amësore: bëj kafetë duke buzëqeshur e lumtur,/një këngë dëgjohet nga dhoma e birit,/të tre i themi ditës, mirëmëngjes,/të tre…!. Një korpus të madh fjalësh si: stinë, vjeshtë, gjethe, vite, kohë, kujtime, fëmijëri, Shkumbin, mall, baba, nënë, mungesë, grua, dashuri, det, lumë, formojnë një kolorit sa femror aq edhe personal, por edhe sa natyror aq edhe poetike. Nuk mungojnë edhe metaforat kozmopolite si:[qiell, tokë, yje, diell, deti]. Eh, si mund të mendohet qe një femër të harrojë apo braktisë atë të Epërmen, ndiesinë Sipëriore/shpirtërore, dashurinë: qielli u bë i purpurt nga dashuria,/deti u bë blu nga sytë e mi.

 

Ajo që bie në sy, në poezinë e Fiqirete Kuklit, nuk është vetëm “himnizimi” i vendlindjes, as suprina e valëve të Shkumbinit të ëndrrave të saj vajzërore, por edhe veset e njerëzve, apo edhe harresa dhe braktisja e fshatit. Tiparet e poezisë moderne, përmes lirikës së saj, dallimet nga eptimi i titujve me *, ku motivet elegjake, rustike, reale, përshkruese fshihen përmes metaforave duke krijuar “lëkurën” poetiko-stilistikore të këtij vëllimi të ri poetik. Thirrja e të qenit grua, përpara, asaj të një shkrueseje, vjen përmes këtyre vargjeve të shkurtra:

Ej, ti grua,

vishe fustanin cohëqielli,

aq të duhet për të qeshur përsëri,

ty të duhet veç pak det,

veç pak jetë…!