Nuk ka gjë më të bukur se sa kur zhytesh në ëndërrime poetike. Duke lexuar poezitë e poeteshës Kristina Maneshi të duket sikur fluturon fushave me lule e gjelbërim pafund. Ajo, në librin e saj të parë “Më duaj…” vjen me një origjinalitet të veçantë, si një fluturë e bukur krahëshkruar, si një ëndërr magjike që kërkon të zgjatë pafundësisht…

 

Autor: Kristina Maneshi

Titulli: Më duaj

Redaktor: Delo Isufi

 

Botimi i parë, 2017

ISBN: 978-9928-244-64-2

Përgatiti për botim: Roland Lushi

Formati: 14x20cm

Të gjitha të drejtat i takojnë autores

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Nasi Pavllo Nr.20

www.botimetada.com

 

Cel: 068 22 190 16

Tiranë,dhjetor 2017

Shtypur në shtypshkronjën e Shtëpisë botuese ADA

 

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Maneshi, Kristina

Më duaj : poezi / Kristina Maneshi;

red. Delo Isufi.

Tiranë: Ada, 2017

120 f. ; 14×20 cm.

ISBN 978-9928-244-64-2

1.Letërsia shqipe   2.Poezia

821.18 -1

 

Hyrje

 

Nuk ka gjë më të bukur se sa kur zhytesh në ëndërrime poetike. Duke lexuar poezitë e poeteshës Kristina Maneshi të duket sikur fluturon fushave me lule e gjelbërim pafund. Ajo, në librin e saj të parë “Më duaj…” vjen me një origjinalitet të veçantë, si një fluturë e bukur krahëshkruar, si një ëndërr magjike që kërkon të zgjatë pafundësisht. Në këto poezi spikat çiltërsia, dashuria për jetën, për njerzit, për të bukurën e pse jo për ndjenjën aq të pastër e të kulluar.

Herë-herë vargu i saj është i qetë e melodioz, herë-herë   i vrullshëm, ai ngjason me valët e detit, me valëzimin e erës, me retë në qiell që garojnë me njera-tjetrën, me gurgullimën e ujvarave. Në krijimtarinë e poetes gjen dhimbje, lotë, puthje e përqafime e mbi të gjitha me rrahjet e zemrës së dashuruar.

Sa bukur tingëllojnë vargjet:

 

Kjo dhimbja jonë, na qënka e ëmbël,

Dhimbje që ma la shpirtin gjysmak,

Ndaj kam mësuar lloj-lloj këngësh,

Që zemrën të ta marr pak nga pak.

 

Në poezitë e Kristinës spikat bukur metafora, krijmtaria e saj është sa e larmishme, aq e gjerë në përmasat njerzore. Ajo u këndon luleve, stinëve te vitit, fshatit që e adhuron dhe ka puthur për herë të parë rrezet e diellit.

Poezitë e Kristinës janë si stinët e vitit, i kanë të gjitha lulet e ngjyrat dhe vargu i saj lodron bukur e rrjedhshëm në kopshtet e mëndafshta jetësore.

Poetja rend në shi e diell, në fusha e male, në fshat e qytet dhe, tek lexuesi sjell natyrën çiltërsisht.

 

Kjo ditë u zgjua përplot muzë,

E mua, më gjeti të përgjumur,

Dikush, tani puthet në buzë,

Një tjetër, përqafimeve ka humbur!

 

Ndonëse në një moshë të re, studente e juridikut, vargu i saj përfshinë një botë të madhe, ka përmasa jetësore, përshkohet nga dashuria e sinqertë.

 

Si prushi është kjo dashuria,

Si zog këndon në një degë bliri,

 

Në vargun e pastër pasqyrohen yjet, valët e detit, vesa e mëngjesit, mbrëmjet me netët e ftohta të dimrit, zjarri i oxhakut. Aty nanurisin ëndrrat, ylberët mbushin qiejt.

Më duaj sot në këtë natë plot yje,

Ngrohtësi e dashurisë të mbushë universin,

E frymë e trazuar, le të ngopë pyje,

Të përqafuar, të dehur, të presim mëngjesin.

 

Ndoshta kjo poezi e ngrohtë në netët plot yje e me frymë të trazuar dashurie e ka cytur poeten ta pagëzoj librin e saj të parë “Më duaj”.

Vendlindja e poetes, Menkulasi i Devollit, që në djep e ka përkundur atë me këngët dhe traditat e bukura të asaj treve, me mikpritjen ku nuk mungon edhe rakia që aq shumë e shijonte i madhi Dritëro.

 

Një puthje ma vodhe atë natë,

Them se kisha qënë e pirë,

Një çast m’u duk aq i gjatë,

Sa buza më mbeti e mpirë.

 

Poetja në vargun e saj ka një shpirt të pasur e të pastër, të mbushur plot dashuri e ngrohtësi jetësore. Poezia e saj të deh me aromë lulesh, ajo është si nektari që ushqente perënditë, është si një ylber që qarkon tërë librin e saj.

Kristina, me penën e saj vallëzon në vargje, në muzë.

 

Vetminë sot e mbushëm plot muzë,

Dhe e nisëm diku larg në fluturim,

Eh… sa zgjati puthja jonë, në buzë,

Puthje që s’të lë të gjesh shpëtim.

 

Vargu i poetes është hoje shpirtrash, kështu shprehet ajo.

 

Nëpër muzg mendimet bëhen ajër,

Tek më puth e tek më përkëdhel,

Dashuria, askënd nuk ka vrarë,

Dashuria hoje shpirtrash, sjell.

 

Poezitë e Kristinës janë si gurgullima e përrenjve që zbresin rrëmbyeshëm nga malet, si yjet në qiellin e kthjellët, si vezullimi i diellit në ditët e vjeshtës, si drita e hënës në netët pranverore, ato janë vet shpirti i poetes i qendisur në vargje.

Tingëllimi poetik dhe metrik në librin “Më duaj” është si një melodi e bukurë marramendëse.

Kristina është origjinale në poezitë e saj, ajo është vet Kristina Maneshi.

 

                                    Delo ISUFI