Një tjetër botim te shtëpia botuese ADA këtë fundjavë korriku
Titulli: Me syrin te shtegu…
Autor: Ndue Perlala
Redaktor: Ndue Lazri
Kopertina: Gjergj Kola
Përgatiti për botim: Roland Lushi
Botimi i parë: 2020
ISBN: 978-9928-326-15-7
Formati : 14x20cm
Të gjitha të drejtat i takojnë autorit
Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, korrik 2020
CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Perlala, Ndue
Me syrin tek shtegu… : poezi / Ndue Perlala ;
red. Ndue Lazri.
– Tiranë : Ada, 2020
68 f. ; 20 cm.
ISBN 978-9928-326-15-7
1.Letërsia shqipe 2.Poezia
821.18 -1
PIKËTAKIME UDHËSH
Nganjëherë qëllon të mos e kesh takuar kurrë një njeri e megjithatë të duket sikur e ke njohur gjithmonë. Veçanërisht në kohët tona, kur jemi shpërndarë në të katër anët e globit, dhe interneti e rrjetet sociale bëjnë magjinë të na afrojnë edhe me ata që janë dhjetra mijra kilometra larg.
Kështu më ndodh edhe me mikun, patriotin e kolegun tim, Ndue Perlala. Pikëtakim udhësh midis nesh ka qenë gjithnjë dëshira e pasioni ynë për të shkruar. Të dy e kemi nisur që herët, që kur ishim në shkollë të mesme. Unë në gjimnazin e Rrëshenit e ai në shkollën industriale të Rubikut, si bashkëpunëtorë të gazetave e revistave të ndryshme si “Zëri i rinisë”, “Bashkimi”, “Luftëtari”, “10 Korriku” etj.
Por udhët e jetës i patëm të ndryshme. Unë arrita të kurorëzoja ëndrrën time për t’u bërë gazetar profesionist. Ai i la pas mineralet e çmuara të nëntokës mirditore dhe nisi udhën e ushtarakut të karrierës. Por dëshira e tij për të shkruar nuk u fashit asnjëherë. Edhe në vitet studenteske të shkollës së lartë ushtarake, edhe në repart gjatë stërvitjeve me ushtarët transheve e poligoneve, ai gjente kohë të shkruante ndonjë reportazh apo të hidhte ndonjë varg poezie. E pastaj i botonte kryesisht në gazetën “Luftëtari” e revistën “10 Korriku”, ku gjente një klimë të ngrohtë nga redaktorët, të cilët unë kam patur kënaqësinë t’i njoh personalisht, sepse kam publikuar edhe unë shpesh gjatë jetës studenteske në këto organe.
Kohët ecën, ndryshoi regjimi e ne, që kishim ëndrra edhe për të parë e njohur një botë më të gjerë se vendi ynë, morëm udhët e mërgimit. Unë në Itali e adashi e kolegu im në Greqi. Por pikëtakimi i udhëve tona mbetën përherë shkrimet e poezia. Një ditë Ndue Përlala më shkruan se kishte dëshirë të mblidhte në një libër poezitë e tij të shkruara në vitet e mërgimit. E më kërkoi që të isha unë kumbara i tij,domethënë redaktori i tij. E pranova me kënaqësi.
Dhe ja, tani lexuesi ka në dorë përmbledhjen poetike të tij me titull “Me syrin tek shtegu”. Mbase një ushtaraku dikur do t’i shkonte titulli “Me syrin tek shënjestra”. Por tani, siç shkruan ai në një poezi kushtuar një mikut të tij emigrant, syri i nënës dhe i të afërmve mbetet tek shtegu që çon tek shtëpia në Mirditë, ku shpesh u duket se muzgjeve shohin hijen e tij të vijë nga larg. Është malli i madh që krijon mirazhe të tilla. E temës së mallit për vendlindjen, Ndue Perlala i kushton disa nga poezitë e këtij vëllimi. Dhe është e natyrshme. A nuk është kjo kryetema e gjithë krijuesve që ndodhen në diasporë?
Autori i këtij libri, nëpërmjet poezive, vjen me dinamizmin e jetës së tij ndër vite. Herë si gjimnazist që dashurohet me buzëqeshjen e një vajze me gërshet e herë student, herë si emigrant e herë si i pasionuar pas historisë, muzeve, figurave të artit etj. E nuk është aspak e çuditshme që në librin e tij gjen poezi edhe për Skënderbeun e Naim Frashërin, edhe për Nexhmije Pagarushën e Vaçe Zelën, edhe për Pal Mëlyshin dhe bardin e poezisë e të këngës mirditore Gjokë Beci. Ashtu siç shkruan edhe për vogëlushen që në klasën e parë fillore në Greqi, në detyrën e vizatimit në klasë, vizaton flamurin shqiptar, apo për djaloshin shqiptar që rrihet e burgoset nga policia greke pse merr pjesë në demonstratë për të drejtën e fjalës e të informacionit.
Ndue Perlala shkruan thjeshtë, nuk bën lojra moderne me vargun e nuk rend pas figurash të komplikuara. Ai hedh në letër ndjenja, mbresa e impresione të tij e ua ofron me sinqeritet e pa bujë lexuesve. Ai ofron fjalën e zemrës, që është kënga e tij, kronika e jetës së tij.
Ndue Lazri
Bolonjë, Itali