Udhëtojmë me poeten në këtë vëllim të përkryer në Mirditën kreshnike. Na merr për dore të vallzojmë me zanat lozonjare, të dëgjojmë jehonën e bjeshkës, të kundrojmë aromën e tërfilit e admirojmë shqiponjat që ulen mbi lisat e lartë gjer në re. Krejt vëllimi përshkohet në çdo krijim nga një ngarkesë emocionale e papërshkrueshme ku poetja ajros mushkëritë në ajrin e pastër të bjeshkës e në ato bjeshkë ndien yllin në ballë, në vendlindjen e saj që e ka bekuar Perëndia.

 

Titulli: MIRDITA NË RRAHJET E ZEMRËS.

(Këngë e poezi)

 

-Autore: Dava Nikolli

-Redaktore & korrektore: Vjollca Shurdha

-Kopertina Helena Mehuka

 

-NB/.Redaktimi e korrektimi i këtij libri është bërë në bazë të liçencës poetike.

 

 

Botimi i parë: 2022

ISBN: 978-9928-362-45-2

Formati : 14x20cm

Të gjitha të drejtat i takojnë autores

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, maj 2022

 

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese ADA

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Nikolli, Dava

Mirdita në rrahjet e zemrës :

(këngë e poezi) / Dava Nikolli ;

red. Vjollca Shurdha.

– Tiranë : Ada, 2022

152 f. ; 20 cm.

ISBN 978-9928-362-45-2

1.Letërsia shqipe         2.Poezia

821.18 -1

 

 

Parathënia

Mirdita në rrahjet e zemrës

 

“Mirdita në rrahjet e zemrës” vëllimi i radhës i poetes Dava Nikolli i cili karakterizohet në të shumtën e poezive nga dialektorja. I admirueshëm guximi i autores ku dialektit në mënyrë të vetdijshme i jep interpretimin personal, duke filtruar realitetin për t’iu përshtatur bashkëkohores. Për hir të respektit maksimal dhe ndjesisë që ka karshi lexuesit artdashës e çon poezinë e saj në nivelin e duhur të kuptimshmërisë, për t’i dhënë mundësi çdo lexuesi pa diskriminim gjeografik të hyjë pa vështirësi krahinore e me qartësi në brendësi të poezive të përmbajtura në vëllim. Nëpërmjet krijimeve sublimon, shpreh revoltën e shpirtit që mbart ndjenja njerëzore e lë mbresa të thella. Përpos nivelit artistik të padiskutueshëm gjendemi përballë një oqeani të pafund ndjesish. Vargje madhështore, mahnitëse, mallëngjyese, një botë e gjërë ndjenjash, shkëputur nga një shpirt me vlera unike fisnikërie. Libër tejet i veçantë, që përshkohet nga një shpërthim vullkanik vargjesh për vendlindjen, jo vetëm poetike por mbi të gjitha shpirtërore. Nëpërmjet krijimesh poetja arrin pikën kulmore të ndiesive të dallgëve të shpirtit; dallgë që vërshojnë rrëmbyeshëm, duke depërtuar, drithëruar, mallëngjyer e emocionuar dukshëm.

”Sot mora laps e letër n’dorë,/me ia shkrue pak fjalë nanlokes sime./Me ia puth ato kreshta me borë,/me i thanë: Qëndro sokolesha ime!/Qëndro fort oj Mirditë kreshnike!/Oj Zonjë fisnike e fjalës dhe e besës./Shekujve erdhe kryenaltë si heroike!/E patundun n’ballë të qëndresës.

Mirditë…e shtrenjta, e palëkundura, e granitshmja, shkëmb-çelik, besnikja ndër shekuj, e pakrahasueshmja Mirditë! Mirdita pulson në rrahjet e zemrës së poetes me atë dhimbjen e madhe që në dysh e ndan zemrën i shkruan ”gurit të votrës”:

Kam mallin, që e thinjka botën,/dhimbjen, që po m’vuen kjo zemër./Kam lotin n’sy që po vadit tokën,/kam plagë në shpirt, që s’u vë emën./Pesha e kurbetit m’lodhi kaq fort./N’zemër m’i vret t’tana kujtimet./Shpresën e lodhun, që e laj me lot…/varg e vijë, m’vijnë dhe zhgënjimet.

Mall, mall, mall, ah ky mall që djeg si zjarr në krahëror, që kurrë nuk fle duke ëndërruar ditën e kthimit në truallin e saj. Në poezinë “Në troje të lotëve“ poetja e quan vendlindjen  parajsa e kësaj bote!

Erdha o vendlindja ime Mirdit,/të shuaj mallin mbledhur në shpirt. Derës ia putha kryqin mbi gur… /me lot ia lava të shejtin mur!

Dhe më tej me trishtim konstaton se;

Gjithçka në të egër ishte kthyer,/veç gurin e zi tej s’e  kishin rrëmbyer./S’kishte mbet gjë mbi tokë të Zotit,/krejt ato troje i vadiste pika e lotit.

Vazhdon të “kuvendojë” poetja me tokën mëmë me “mallin e përvëluar në at’ kurbet të zi”

Në çdo fjalë një rrahje zemre, në çdo varg një gulçim shpirti, në çdo poezi një rrëke lotesh, për atë mall të pashuar. Në poezi ndihet dhimbja e autores deri në asht. Përgjatë vëllimit përshkruhet një realitet i hidhur që përjetojmë ne shqiptarët jashtë atdheut përpos shqiptarëve në vend. U shpërndamë nga të gjitha anët e botës si zogjtë e korbit paçka se jemi bijtë e Shqipes. Përdëllohet poetja për një fjalë -bija ime pres krahëhapur, merr veten në atë ngrohtësi fjalësh amësore…që veç kush është në mërgim e di çdo të thotë ndaj shkruan: Lindëm e u rritëm në mjerim,/erdh’ e iku rinia, pa lënë askund emër./Rrotullohemi kësaj bote si jetimë…/na shkel këmba e huaj deri në zemër!/O kurbet he qofsh i mallkuar!/  Me thas ëndrrash na la mbi shpinë./Për s’gjalli na ke përvëluar…/dhe sot, pa ndërtuar askund shtëpinë./

Ringrihet potja sërish, sepse nuk dëshiron të mbytet në detin e dhimbjeve e të vdesë në dallgët e ligësisë. Gjithmonë ëndërron të shtrojë udhët me melodi gëzimesh edhe pse ndërkohë…:“Në pentagram t’huaj e hedh hapin,/me sytë e zemrës ndaj qiellin në mes./Drejt për në punë e marr vrapin, i njëjti ritual më shoqëron çdo mëngjes./Fryn ky fllad pranveror, fryn ngadalë,/ma ndez shpirtin e zemrën prush./Malli përplaset fort, si vala mbi valë,/më thoni: Kush e duron kurbetin, kush?”

Zemra i drithërohet kur mendon pragun, bjeshkën e muret e rrënuara. Dhe kur netëve të gjata ndër ëndrra hyn e del përmallshëm trojeve si zanë e mbyll poezinë “Tingujt e zemres” me ofshamë:

Sot në vend të huaj, sytë m’i rreh loti,/kënga e zogjve më vjen si në shqip./Tingujt e zemrës, m’i dëgjon vet Zoti…/ma sjell para syve Atdheun përditë!

“Pikturon” mirësitë e vendit të bekuar duke ia marrë ngjyrat ylberit, madje imagjinueshëm rend me të’ për dore në bjeshkë e vrri, për të qëndisur vargje me bukurinë amësore ndër sy!

Dhe ashtu, symbyllur në prehër të bjeshkes si një poet i verbër e përlotur shkruan: ”jam pranë teje, o Mirdita ime sot!”

Krijimet e vëllimit janë të lidhura në linjë të drejtë trajtim temash. Janë jo vetëm të tingëllueshme si melodi bjeshke por edhe të ngarkuara me brenga, me mallin heshtur që dërgon mijra mesazhe sa duket sikur bashkëbisedojmë me to. Bisedë pas bisede hedhim hapat duke medituar në Arrez, i përcjellim këngë Kashnjetit përtej Kreshtës që duket si “rrebel” e megjithatë poetja e përkëdhel përmallshem me dorën e ngrohtë, frymon me të’ dhe i drejton lutjen e mosdorëzimit ndaj trishtimit: “Tunde kokën, mbi shkëmb të lashtë,/ unë prap se prap shkruaj për ty!”

Kopshti i Edenit për autoren është e shtrenjta vendlindja e saj: Mirdita, që e cilëson:

e madhërishmja në male e kreshta/ vetëm atje lindin perëndesha! /Po, po, atje kanë lindur Hyjnitë!/Dragoj, zana, dhe shtojzovalle ka atje./Heronj e trima, lindin veç n’Mirditë…/Edenit tim, koka i shkon deri në re!

Vazhdon të udhëtojë me penën e saj në Arrëz’ Kaçinar, Simon, e Kuzhnen, nga mëngjesi në mbrëmje duke përshkruar dallgët e fuqishme të jetës që i kanë veçse forcuar, sepse atje, në të bekuarën e saj Mirditë: “flitet veç gjuha e perëndisë,/bjeshka plot me cicërima shpirtërore. /Në ujëvara zgjatet ylberi i dashurisë,/Diell e Hënë e lajnë tokën e Kuzhnenit,

Poetja mbart virtytin e lartë; inteligjencën, embrionin e gjithckaje ku vërtiten mirësia, harmonia, paqja. E prirur nga ky virtyt nuk harron kurrë krenaritë patriotike, gjithashtu dhe krenaritë kulturore, ndaj ndër të tjera për At Gjergj Fishtën shkruan:

Qofsh i bekuar o at’ Gjergj Fishta!/Gjithë Shqipërisë i le thesar të çmuar./Me ty krenohen trojet, krejt Mirdita. /O krenari Kombëtare, o yll i pashuar!

Dëshiron të dehet poetja me aromën e këndshme të zambakut të tokës mëmë  por me lot malli mallkon e vajton kurbetin. Vajton fatin e çdo shqiptari degdisur ndër dhera të huaja, pak herë i vlerësuar e shumë herë i përbuzur. Varur fati i tyre si tel i këputur, as atje, as në atdhe, enden me thes ëndrrash ngarkuar, ndaj poetja lëshon një ofshamë të thellë shpirti:

Tel i këputur, që s’ka melodi,/udhëve të botës, lahutë mijëvjeçare./Ky ishte fati i nënës Shqipëri…të endet në botën “shpëtimtare”!

E admirueshme mënyra e disponimit të vargjeve në çdo poezi ku edhe pse shkruhet dicka e dhimbshme autorja e shtron si një lutje e pyetje shpirti dhe rizgjon ndjenja të pakontrastueshme mërgimtare gjatë leximit duke dhuruar emocione e ngrohtësi. Vëllim që përlot nga fillimi në fund. Shpirti lëngon e loti që pikon nga sytë, shndërrohet magjishëm në dëshmitar për të shkruar mbi fletën e bardhë, sepse: Koha ka rrjedhur lumë,/por shtrati i bjeshkëve s’është tharë./Nga padurimi shpirti klith aq shumë /se sytë e përmalluar kanë kohë pa të parë…më ke pritur e di…ndaj po vij unë.

Më prit -këto dy fjalë të shkurtëra, të prera nga dhimbja që ther e zëri që meket:

Grykat e maleve zërin ma përpinë,/thërras fort, e zëri lëshon xixa trishtimi./Një erë e fortë shpirtin ma mpin,/vendlindja ime…shtrirë mbi nota harrimi, /prej mërgimtarëve që shkojnë e vijnë.

Larmia e temave të poezive të ndryshme e bën lexuesin të përlotur kur mes vargjesh vrapon me dallgët e kohës. Meqenëse poetja e adhuron lexuesin e saj i dhuron edhe buzëqeshje me mënyrën e shprehur në ironi të hollë në disa poezi kur shkruan për dashurinë si p.sh. në poezinë “Të Thashë”:Kur nuk më ke dasht, /përse më tha se “të due”?/O ty Zoti t’vraft…/e deksh ti bashk me mue! 

Udhëtojmë me poeten në këtë vëllim të përkryer në Mirditën kreshnike. Na merr për dore  të vallzojmë me zanat lozonjare, të dëgjojmë jehonën e bjeshkës, të kundrojmë aromën e tërfilit e admirojmë shqiponjat që ulen mbi lisat e lartë gjer në re. Krejt vëllimi përshkohet në çdo krijim nga një ngarkesë emocionale e papërshkrueshme ku poetja ajros mushkëritë në ajrin e pastër të bjeshkës e në ato bjeshkë ndien yllin në ballë, në vendlindjen e saj që e ka bekuar Perëndia. Nuk rresht së shkruari, edhe pse i lan fletët me lot për t’i lënë dëshmi kohës e brezave të ardhshëm. Lëshon klithmën e mallit dhe zëri i Mirditës i kthehet si jehonë bjeshke, ndaj dhe e mbyll:  “/Bjeshkët e Tërbunit flasin me zë,/por unë jetoj në dhera të tjera./Vij rrallë  të çmallem me bjeshkën por jam atje…ku lule pak çel pranvera…dheut të huaj shpirti s’është i qetë!”

“Mirdita në rrahjet e zemrës” pikon mall, lot, krenari, ART!

 

                            Vjollca Shurdha

              Poete –Shkrimtare – Perkthyese

                                 Itali