Nën një titull interesant dhe me nje redaktim nga nje emër i njohur i letrave shqipe, autorja Rakela Zoga (Yzeiri) vjen nën logon e Shtëpisë Botuese “ADA”

 

Titulli: Mjellmë në mjegull

Autore: Rakela Zoga (Yzeiri)

Redaktor: Demir Gjergji

 

©Të gjitha të drejtat i përkasin autores.

ISBN: ISBN 978-9928-244-33-8

 

Botimi i parë, 2017

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

Formati : 13x20cm

 

Botimet ADA

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Nasi Pavllo Nr.20

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, gusht 2017

 

Shtypur në shtypshkronjën e Shtëpisë Botuese “ADA”

 

Të gjitha librat e botuar tek Shtëpia Botuese “ADA” gjenden në Bibliotekën Kombëtare

 

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Zoga (Yzeiri), Rakela

Mjellmë në mjegull : poezi / Rakela Zoga (Yzeiri) ;

red. Demir Gjergji. – Tiranë : Ada, 2017

96 f. ; 20 cm.

ISBN 978-9928-244-33-8

1.Letërsia shqipe 2.Poezia

821.18 -1

 

 

 

 

Peizazh poetik

 

Dimër Korçe.

Dantellat e dritareve pothuaj puthen me dantellat e dëborës, ndërkohë që bien mbi kangjella, plloça, çati, flokë, fusha, drurë. Dhe kënga “Dëbora zbardhi malet-ë”, s’kuptohet mirë nga ç’drejtim vjen…

Një deriçkë hapet përgjysmë. Fytyra e bukur e një çupke shfaqet me sy të habitur. Sheh borën dhe botën. Brenda sapo ka dëgjuar një përrallë dhe jashtë i duket se përballet me imazhet që ka krijuar prej saj. Është përralla përballë: jeta me të gjitha pamjet, udhët, zërat, shtrigat dhe shtojzovallet. Sytë e habitur të çupkës ndritin nga çudia dhe mrekullia. Merr të dalë, të vrapojë nëpër këtë përrallë të vërtetë, por: “Kelaaa, hajde brenda!”. Del nga përralla, atje brenda, pranë zjarrit, ai zë, apo është i vërtetë? Gjithsesi bindet, kthehet e hyn brenda me fluturzat e borës nëpër krela.

 

Pranverë Korçe.

 

Aromat e blirëve janë bërë frymë në ajrin e qytetit. Hyjnë kudo, deri thellë në kraharorin e çupkës, e cila hap tinëz deriçkën, hedh sytë në rrugën me plloça, që ndritin duke pasqyruar ngjyrat e luleve dhe kaltërsinë e qiellit dhe ia ther vrapit pas asaj arome. Nga deriçka, prej nga doli, dëgjohet zëri: “Keelaa!”. Por ajo nuk kthen as kryet për ta dëgjuar atë zë. Stuhia e aromës së blirëve ia ka trazuar shpirtin dhe fantazinë. Vrapon e vrapon. Për ku? Për te puthja e parë, për te aventura e parë? Nuk e di. Vetëm vrapon e vrapon:

 

“Këngë cicërimash,
Shumëllojshmëri ngjyrash,
Flakje mendimesh tej…”

 

Poezia i del natyrshëm prej shpirtit, si fryma. Duke vrapuar drejt saj, ajo vrapon drejt dashurisë, drejt vetes, drejt botës, por edhe drejt trishtimeve, zhgënjimeve, plagëve, dhimbjes… Se kështu qenka bota për ata që i shfaqen të kthjellët, me shpirt të bukur e të tejdukshëm si kristal…

 

Vjeshtë Korçe.

 

Udhët e kësaj bote të madhe, të çuditshme, të errët e të ndritshme paskan qenë shumë të gjata, me një mijë të papritura, me ngritje e rrëzime, me stacione të gabuara e kthesa të rrezikshme. Anash tyre drurët i zhvesh vjeshta nga gjethet e verdha. Shpirti i Kelës zhvishet gjithashtu nga gjëra të shtrenjta e të bukura. Poetja merr frymë thellë, …ngashëren. Sytë i lagen dhe në rruzujt e lotëve përthyhen peizazhet plot ngjyra trishtimi të vjeshtës.

 

“Tek shkelja gjethet e zverdhura

                 të vjeshtës,

Mendoja të shkelja dhe

             kujtimin tënd.

U zgjua shpirti melankolik i fjetur

Dhe thirri fort: “s’të dhemb, të dhemb!?”

 

Kështu pëshpërit shpirti i Rakelës, sa herë kthehet nga rrugët e gjata të botës, nga dramat dhe magjitë e dashurisë si dhe të gjitha zhgënjimet e tjera që ia ka ngritur jeta si gracka tinëzare shpirtit të saj të çiltër e të kthjellët si kristalet e borës, si qiejt e prillit në vendlindje.

 

Përsëri dimër Korçe.

 

Po ajo deriçkë me kangjella dhe gati po ajo dëborë vegjëlie. Një dorë e shtyn deriçkën tashmë nga jashtë, jo nga brenda. Nuk është dora e çupkës së dikurshme që e tërhiqte për të dalë, është dora e zonjës, e nënës, e qytetares së botës, e poetes, që e shtyn për të hyrë brenda. Dantellat e borës vallëzojnë mbi flokët e saj, malli fryn në frymëmarrje. Kristale prej asaj e bore i bien mbi qerpikë…Shkrijnë për t’u bashkuar me bulëzat e lotëve. Prag fëmijërie në një ag të bardhë dimri. Zonja me shpirt të bukur, poetja çapitet drejt hyrjes, sikur po futet në fëmijëri. Brenda janë të gjithë: disa në kujtesë, disa në jetë. Të gjithë e përqafojnë si të ishte ajo çupka çapkëne, që u nis tinëz drejt enigmave të detit të jetës. Një zë e thërret nga jashtë: “Rakelaaaaa!” Është era, gjëmimet e moteve, apo Ai, Princi i kaltër i ëndrrave, i dashurisë, i dhimbjeve?

 

“Ç’erë të solli sërish në kujtesën time?!

Kujtimet si fije të bardha dëbore,

Mbuluan gjithçka.

Dikur e munda dimrin e ndjenjës,

Tani era e sjell si behar!”

 

Brenda janë të gjithë. Mbledhur në sobalkën e ngushtë, pranë stofës së ndezur. Aty është edhe përralla e fëmijërisë: “Na ishte një herë një vajzë e bukur dhe një mbret!”

Ndërkohë lexuesi ka mbërritur në faqen e fundit të këtij libri:

 

Tetot e mia dinë të luajnë teatër.

Nuk dinë të plaken.

…..

Ndryshe nga ato,

Nëna ime me flokë të bardhë,

Me sytë e thellë,

Përqafon dashuri të pafund!”

 

Fund…

Demir Gjergji

Tiranë, verë 2017