Këtë fundjavë sërish një botim tjetër te shtëpia botuese ADA

 

Titulli: Mos ki frikë nga zjarri im

Autor: Gurali Spahillari

 

Redaktor letrar: Dr. Eris Rusi

Recezentë letrarë: Petrika RIZA

Klaudeta RIZA

 

ISBN: 978-9928-362-60-5

Formati : 14x20cm

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

 

Tiranë, korrik 2022

Shtypur në shtypshkronjën e

shtëpisë botuese ADA

 

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Spahillari, Gurali

Mos ki frikë nga zjarri im : poezi /

Gurali Spahillari ; red. Eris Rusi.

– Tiranë : Ada, 2022

144 f. ; 20 cm.

ISBN 978-9928-362-60-5

1.Letërsia shqipe         2.Poezia

821.18 -1

 

Dy fjalë për lexuesin

 

Përfytyroni një njeri që qëndron buzë një ujëvare dhe sheh të rrjedhë që lart jo uji i kulluar i burimeve, por jeta e njeriut. Me sytë e mbërthyer në buzët e ujëvarës, e ndjen që gjithçka që mund të imagjinojë mendja e njeriut, është e krijuar në natyrë tanimë. Por përballë asaj pamjeje ku jeta rrokulliset teposhtë, me shpejtësi skëterrë, ka vend për një hezitim të vogël, është një çast kur njeriu mbushet me frymë dhe ia çel zemrën ndjenjave, përqafon thjeshtësinë dhe e fshin egoizmin nga çdo kënd i vetes. E ndjen zjarrin që i vlen përbrenda, atë dëshirë flakë për dikë tjetër, që është dashuria. Atë pasion për të bukurën dhe natyrën, për të mirën dhe sublimen, që e bën më pak të frikshme përballjen e jetës me rënien teposhtë, nga ujëvara.

Ky përfytyrim i njeriut dhe poetit Gurali Spahillari, mund të përjetohet në leximin e përmbledhjes së fundit me poezi “Mos ki frikë nga zjarri im”.

Ky libër, është vijimësi e emocionit dhe trazimin shpirtëror të poetit, që lexuesi e ka përjetuar edhe në librat e mëparshëm. Jemi sërish përballë njeriut në dilemat e tij, ku poezitë  krijohen mbi vargje që shtrohen si hapa për lexuesin. Duhet të shkelësh aty ku ka vendosur shenjën e tij poeti, për të kuptuar brishtësinë dhe ndjenjat e pastra, për të vështruar përtej, drejt një qielli dhe një kohe ku lexohen copëza nga shpirti i njeriut. Gjithçka në brendësi të këtij libri ngjan të jetë e kthjellët, plot energji, por edhe e mbushur me zemëratë dhe lëngim nga koha e padrejtë që po jetojmë. Sa e vështirë është që të futesh në mendimet e dikujt tjetër sot, të gjesh çelësin për të lexuar botën e njerëzve që vrapojnë për të mbijetuar, që çlodhen pak, duke mbajtur mbi supe peshën e botës, dhe që e vetmja gjë që duan, është pak dashuri më tepër.

Kjo është dhe thirrja që bën poeti, “Të falim më shumë dashuri” – jehon ai, dhe përjetimi vjen i ëmbël, njerëzor, me përkushtimin dhe pasionin e njeriut që zemrën e ka të pastër dhe të ngrohtë si diell, që ndjen dhimbje për lotët e pazëshëm, për dhimbjen e pafjalë, që drithërohet dhe kërkon të pijë edhe ai nga burimi i lotëve, që të përgjysmojë lëngimin e shpirtit pranë vetes:

 

 

 

TË FALIM MË SHUMË DASHURI

 

Ku i paske fshehur gjithë këta lot,

Dhe si s’ma paske thënë ta di,

Dhe det shpirtin ta kishe pasur,

Do t’i kishte nxjerrë në breg ai!

 

Dhe zemrën si të zogut e paskam patur,

Dhe s’e kam ditur këtë aspak,

Tani nga lotët po e shoh,

Dhe zemra më dridhet çdo çast!

 

Trishtimi yt po më lodh shumë,

Dhe nuk e di ç’të bëj më parë,

Si pjesë të dhimbjes që ke dhe ti,

Një grusht nga lotët po e marr!

 

Të ketë më pak në sytë e tu,

Dhe dhimbjen ta ndajmë në mes,

Dhe degëz lumi të kishe qenë,

Do ishte shterur ca më shpejt!

 

Më dhimbsen sot lotët e tu,

Një pjesë me fund unë do t’i pi,

T’i thajmë të tjerët pak e nga pak,

Të falim më shumë dashuri!

 

Ta shërojmë bashkë atë shpirt,

Buzëqeshjen ta mbjellim me këngë,

Ta lodhim trishtimin me puthje,

Të rrahë më fort dhe ajo zemër!

 

 

Nga ky intimitet shpirtëror, poeti na shpie në shtigje të tjera, në Shqipërinë e njëmijë e një problemeve, ku njerëzit mendojnë gjithë kohës si të bëjnë gjërat për nesër dhe harrojnë që e sotmja është e mbushur me probleme, me shqetësime, pasiguri dhe dhimbje. Lexuesit duhet të përjetojnë të njëjtin trazim shpirtëror, të njëjtën revoltë, të njëjtin gjëmim. Ata mund ta ndjekin krijuesin që kalon nga zjarri i dashurisë dhe ndjenjave, në  kritikat që i bën sistemit shoqëror, pseudo intelektualëve, ordinerëve me diplomë universiteti, akademikëve që nuk guxojnë të flasin, nuk lodhen të reagojnë, me frikën mos humbasin privilegjet e çmuara:

 

 

PALO INTELEKTUALË

 

Një ordiner-intelektual

Budallenj pas vetes mban,

Dhe prej tyre mendje merr

Që t’i shesë si moral!

 

Një ordiner-intektual,

Doktor qoftë a politikan,

Profesor a biznesmen,

Mashtruesin pas vetes mban!

 

Dhe e sheh në dritë të syrit,

Dhe diplomat vlerë s’kanë,

Se mashtruesi mendje jep

Nga duhet filluar më parë!

 

Dhe në krah të një ideje,

Del afera në pran të parë,

Heshtin, struken diplomatët

Kokën ulin pa bërë fjalë!

 

Akademikë dhe mund të jenë,

Botën e tërë ta kenë parë,

Kur një heshtje të kërkojnë,

Kokën ul pa thënë një fjalë!

 

Kokën ul dhe shurdhin bën,

Të paditurin, domosdo,

Për një fjalë që duhet thënë,

Vrimë të futesh ti kërkon!

 

Dhe rënkon Atdheu ynë,

Edhe shitet për çdo ditë,

Fyhet, vidhet anembanë,

Nga ca palo qeveritarë!

 

Dhe ul kokën duke falur,

Edhe tkurret duke shitur,

Akademikë e politikanë,

Mbyllën sytë si të paditur! 

 

Po jetojmë një kohë që është e vështirë t’i japësh një identitet të caktuar. Sapo na duhet të merremi me përditshmërinë tonë, me gjërat që na vrasin, që na lodhin, që na shqetësojnë, menjëherë duhet të kalojmë vëmendjen tek ajo që vjen së jashtmi: pasiguria e jetës në një vend që shëmbëllen me një të sëmurë kronik.

Në këtë realitet, krijuesit dhe intelektualët e mirëfilltë mund të japin sinjalet e shpëtimit për të rimëkëmbur dinjitetin e shpirtit dhe për rigjallëruar vlerat që i japin peshë shoqërisë. Vetë krijimtaria e poetit Gurali Spahillari  është e mbrujtur me lëndën e shpirtit, me frymëzimin që nuk shter, sepse i kundërvihet Unë që e njoh dhe bashkëpunoj nga afër me këtë poet, e di fort mirë që njerëz si Gurali Spahillari trazohen, vuajnë dhe e kanë për zemër shoqërinë shqiptare sot, që ec e çorientuar, dhe ka nevojë të përjetojë të bukurën dhe shpirtëroren që buron nga krijimi artistik. Ndaj poeti tregon kujdes, peshon çdo fjalë me masën e zemrës, që vargjet të mos mbeten vetëm në letër, por të krijojnë një lidhje të ngushtë e të drejtpërdrejtë me lexuesin. Sepse vëmendja e Guraliut është sidomos për lexuesit e tij, e gjithkush që afrohet pranë botëkuptimit të poetit në këtë libër, do të përjetojë jehonën e bukur poetike “Mos u tremb nga zjarri im”, “që është triumf i zemrës dhe i shpirtit, deri në përjetësi.

 

Eris RUSI

Kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Bota e Re”

Korçë