… “Mungon një…”, është një titull i thjeshtë, prapa së cilit fshihet diçka, ashtu sikurse mund të nënkuptojë gjithçka. Në fund të fundit, e rëndësishme është që pasi lexon poezitë, pasi tërhiqesh prej vargjeve me ndjenjë, të arrish të mirëkuptosh një dashuri edhe me mungesat e saj…

 

 

Autor: ASTRIT LULAJ

Titulli: MUNGON NJË…

Redaktor: Afrim Sala

Kopertina: Autori

 

Botimi i parë: 2023

 

Të gjitha të drejtat i takojnë autorit

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, dhjetor 2023

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Lulaj, Astrit

Mungon një… : poezi / Astrit Lulaj ;

red. Afrim Sala.

– Tiranë: Ada, 2023.

216 f. ; 20 cm.

ISBN: 978-9928-398-77-2

1.Letërsia shqipe 2.Poezia

821.18 -1

 

PARATHËNIE

 

Ashtu siç lind dielli i një mëngjesi të ri, shpresëdhënës për jetën, ledhatues, ëndërrimtar, por gjithmonë i ngrohtë, ashtu lindi edhe vepra e një poeti që rrinte e fjetur nën dritëzën më të bukur të kujtimeve të mbushura me dashuri, sa e pamundur, aq dhe e jetuar, sa platonike, po aq dhe pasionante.

 

Me këtë vepër autori sjell çdo gjë që i mungoi kësaj dashurie, me brengën dhe shqetësimin se dhe kur fatet në jetë kurdisen çuditshëm, për dashurinë nuk kanë pse të mungojnë ndjenjat më të bukura…

 

Dashuria është gjithmonë e bukur, por çdo dashuri do të ishte më e bukur pa mungesa që në vite kthehen peng. Ai diti ta trajtojë kaq mirë dhe kaq ëmbël të gjithë përjetimin e tij në këtë ndjenjë, ndjenjën e dashurisë. Herë me frymë e herë pa frymë, herë trishtueshëm e herë i  lumtur, herë nostalgjik dhe herë real, herë me mungesa e herë i plotësuar, autori shkriu të gjithë ndjenjën e tij në këtë vepër ku edhe shpalosi mjaft mirë ndjenjat dhe përjetimin e tyre, këtë ndjenjë të zjarrtë që djeg e përvëlon, jo vetëm kur e jeton realisht dashurinë, por veçanërisht në mungesë të saj.

 

Kur “Mungon një…” na solli në vizionin tonë një lindje dielli, një siluetë hëne, një rrjedhje loti, një buzëqeshje në heshtje, një shpresë gëzimi, një heshtje zhgënjyese, një dashuri dhe një mungesë dashurie, autori solli njëkohësisht vargjet e bukura, mahnitëse, drithëruese plot hijeshi, për t’i ndjerë të gjitha mungesat me ngjyrën e perëndimit, mallit, kujtimit të pashlyeshëm, duke na krijuar një gjendje të brendshme të lakmueshme shpirtërore.

 

Në këtë vepër, në momente të veçanta të jetës sonë, e gjejmë veten të gjithë dhe kjo mund të jetë njëra nga arsyet pse ky vëllim me poezi, na përthith në brendësinë e tij si me magji. Përhumbemi në kujtimet e përjetimeve tona, ashtu sikurse edhe të autorit Astrit Lulaj.

 

“Mungon një…”, është një titull i thjeshtë, prapa së cilit fshihet diçka, ashtu sikurse mund të nënkuptojë gjithçka. Në fund të fundit, e rëndësishme është që pasi lexon poezitë, pasi tërhiqesh prej vargjeve me ndjenjë, të arrish të mirëkuptosh një dashuri edhe me mungesat e saj.

Ajo, dashuria, gjithsesi është e pëlqyeshme me apo pa mungesa.

 

Të gjithëve ne, na mungon diçka…

 

 

REDAKTORI

Afrim Sala