Të gjitha botimet e shtëpisë botuese ADA mund t’i gjeni në Bibliotekën Kombëtare Tiranë

 

Parathënie

Është e çuditshme të vësh re, çdo herë, se si shpirti i shkrimtares Irma Kurti është në dialog të vazhdueshëm me veten dhe gjithnjë gati për t’i lënë vend mahnitjes dhe mrekullisë brenda e jashtë saj. Kjo përmbledhje e re me poezi dëshmon binarin në të cilin lëviz koha e jetës së saj: e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja, të filtruara nga sytë e shpirtit.
Motivet e poezive janë vetëm në dukje të mbuluara nga një atmosferë nostalgjie dhe trishtimi. Poetja i do çastet e gëzimit dhe i kërkon në mënyrë të vazhdueshme; së kaluarës, të errësuar nga ngjarje sociale e private të vështira tenton t’i kundërvërë momente të paqes dhe qetësisë. Është ky një kërkim i qëndrueshëm dhe këmbëngulës i rrethanave të jetës së vërtetë, të distiluara nga lot dhimbjeje dhe durimi.
Kuptohet nga rrokëzimi i ndjenjave midis shpirtit të saj dhe natyrës që e rrethon: një lëndinë, një qiell me yje, dielli ose më mirë, mijëra diej të vegjël, retë e kuqe të perëndimit të diellit…
Çdo gjë që i përket natyrës, në bukurinë ekstreme dhe efektive, krijon tek Irma një ankorim ndjenjash të mira, pozitive, që përfaqësojnë antitezën ndaj gërshetimit të marrëdhënieve humane, shpesh të rrufeshme dhe zhgënjyese.
Po çfarë përfaqëson poezia e Irma Kurtit?
Ajo mund të konsiderohet si një dhuratë e vetvetes që poetja i bën një miku ideal, një braktisje totale ndaj çdo rezistence të mundshme, një dialog i vazhdueshëm dhe ekstremisht transparent midis vetes dhe tjetrit.
Lexuesi është i privilegjuar sepse përfaqëson atë të cilit Irma Kurti i beson veten, të cilit i konfidon motivet e dhimbjes së saj, të nostalgjisë dhe të perceptimit dehës të lumturisë.
Ai ka në duar gjithë botën dhe autorja i drejtohet pa vello e pa asnjë frikë, me gjithë humanitetin dhe të vërtetën, në rolin e asaj që, duke lënë përpara një udhëtimi të gjatë në duart e një miku një të mirë të çmuar, kërkon prej tij përgjegjësi e kujdes.
Unë nis kërkoj me mendje një vend/ pa njerëz, shtirje dhe pa intriga/ ku mund t’i ujis ëndrrat e qetë/si lule të hedhin shtat çdo ditë.
Cilat janë ëndrrat e Irma Kurtit? Çfarë lulesh mund të rriten në kopshtin e saj, të mbështjella nga krahët e blerta të natyrës? Është ndoshta ky misteri i madh mbi kreshtën e të cilit Irma Kurti dëshiron “të jetojë”.
Nga një anë horizonti i ëndrrave të saj, nga ana tjetër realiteti i jetës, në rrudhat e së cilës me vështirësi arrin të lërë gjurmë të idealeve të saj të mëdha. Dhe, atëherë, ëndrrat e saj, me shkrirje ngjyrash dhe formash, i ruan pikërisht aty, mbi këtë kreshtë jo perfekte, që poezia e saj është e aftë ta kthejë në moment bukurie dhe mrekullie pafund.

Adele Donini

Shënime biografike

Irma Kurti ka nisur të lëvrojë e të botojë poezi që në moshë të hershme. Në vitin 1980 u nderua me çmimin e parë në konkursin kombëtar me rastin e 35-vjetorit të revistës “Pionieri”. Më 1989 fitoi çmimin e dytë në konkursin e organizuar nga Radio – Tirana, me rastin e 45-vjetorit të çlirimit të Atdheut.
Nga publiku i gjerë njihet si krijuese e talentuar e teksteve të këngëve të lehta. Është pjesëmarrëse në dhjetëra anketa muzikore, festivale kombëtare e koncerte pranvere.
Ka botuar 13 libra në gjuhën shqipe, tetë në gjuhën italiane dhe tre libra në gjuhën angleze.
Për poezinë dhe prozën i janë akorduar 30 çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali e në Zvicër.
Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër.
U shpall “Poetja Shqiptare e Vitit 2015” nga Qendra P.E.N e Shqipërisë.
Përmbledhja me poezi: “Në pragun e një dhimbjeje”, me të cilën autorja prezantohet përpara lexuesit shqiptar, është botuar fillimisht në gjuhën italiane dhe është nderuar me çmimin “Libri më i mirë” në Konkursin Ndërkombëtar “Poem Academy Awards 2016”, organizuar nga Akademia e Artistëve në Napoli.
Irma Kurti jeton në Bergamo, Itali.